Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras ka bërë një vizitë në Turqi ku u intervistua nga kanali turk “TGRT”. Cipras foli për marrëdhëniet greko-turke dhe se sa ngjajnë dy popujt për nga kultura.
“Sot është një ditë e mirë për marrëdhëniet greko-turke. Kam vizituar Halkiun, ku takova shumë turq që ishin shumë miqësorë me mua. Unë besoj se ky është mesazhi i dërguar ndërkombëtar, që ne mund të lëvizim së bashku pa frikë apo urrejtje. Mendoj se duhet të vazhdojmë me punën e Shkollës Theologjike të Halkit, ne duhet të ndërmarrim hapa të rinj. Është një hap i rëndësishëm për të jetuar së bashku dhe të bëhet simbol i marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore të popullit turk dhe grek. Nëse hapet Shkolla Theologjike, ne duhet të bëjmë hapa të rinj. Ky do të jetë një hap i ri për të jetuar së bashku. Do të jetë një simbol për dy popujt që të jetojnë së bashku”,- theksoi ai.
Cipras gjithashtu foli edhe në nivel personal për lidhjet e tij me Turqinë pasi gjyshi i tij lindi në Kostandinopojë:
“Unë mendoj se në këtë fushë kemi një kulturë të përbashkët, muzikë, tinguj, kuzhinë dhe shije. Për shembull, gjyshi im lindi këtu në Konstandinopojë. Dua të them që kemi shumë ngjashmëri. Ne kemi gjuhë të ndryshme, por kemi një kulturë të përbashkët. Pra, ne duhet të jetojmë në mënyrë paqësore dhe miqësore mes nesh”,tha Kryeministri grek.
Kryeministri theksoi se BE duhet të mbështesë Turqinë:
“Turqia pret katër milionë refugjatë. Ndihma e Turqisë për refugjatët, në aspektin e strehimit dhe ushqimit, është shumë e rëndësishme. Dhe në Greqi ka më shumë se 70,000 mijë refugjatë. Kryesisht situata në pesë ishujt tanë në Egje është kritike. Kjo është arsyeja pse në nivel të BE-së kemi bërë shumë përpjekje”, vuri në dukje ai.