Ballina Aktualitet Shqipëri Sot, Nexhmije Hoxha mbush 98 vjeç (VIDEO)

Sot, Nexhmije Hoxha mbush 98 vjeç (VIDEO)

Një mesazh urimi për 98-vjetorin e lindjes së Nexhmije Hoxhës, veteranes së nderuar dhe të përkushtuar të LANÇ-it dhe të ndërtimit të shtetit socialist shqiptar të pas çlirimit, bashkëshortes së Enver Hoxhës, udhëheqësit të madh të Shqipërisë për gjysmë shekulli

Nga Gjikë Kurtiqi*

Nexhmije Hoxha është një figurë emblematike e historisë së Shqipërisë moderne. Sot ajo mbush 98 vjeç. Ajo ka qenë gruaja e Enver Hoxhës, personalitetit që ndryshoi historinë e Shqipërisë në shekullin e njëzetë dhe që bëri këtë Shqipëri që gëzojmë sot. Pavarësisht anatemimeve, Nexhmije Hoxha është një figurë historike. Fatmirësisht kujtimeve që ajo ka shkruar dhe do të botojë në të ardhmen, historiografia jonë ka rastin shembullor të korrigjimit dhe të rishkrimit me vërtetësi të historisë.

Nexhmije Hoxha është një dëshmitare autentike e historisë. Ajo dëshmon në vetë të parë. Dëshmon edhe në emër të Enver Hoxhës, pavarësisht pëlqimeve apo mospëlqimeve të shumëkujt.

Lindi më 8 shkurt të vitit 1924 në Manastir, nga prindër dibranë, që në vitin 1928 u vendosën në Tiranë, ku kryen shkollën e mesme Institutin Femëror të Tiranës. Në vitet “60 kryen me korrespodencë studimet e larta për histori- letërsi.

Kontributi i saj gjatë epopesë së lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ka qënë i veçantë dhe i gjithanshëm. La profesionin e mësuesisë për t’iu kushtuar veprimtarisë antifashiste në ilegalitet. Për këtë veprimtari u dënua në mungesë me 14 vjet e 6 muajh burgim. Më 16 shtator 1942 mori pjesë në Konferencën e Pezës, delegate e të rejave antifashiste. Po si delegate mori pjesë në të gjitha mbledhjet historike nacionalçlirimtare, në Labinot, Përmet etj. Në Kongresin e Parë të BRASH-it, në gusht 1944 u zgjodh antare e Kryesisë.

Gjatë LANÇ mori pjesë në të gjitha demostratat kundër pushtuesve, më 23 nëntor 1941, në Mbledhjen Themeluese të Rinisë Komuniste, u zgjodh antare e Komitetit Qëndror dhe më 12 prill 1942 i shpëtoi arrestimit.

Në janar të vitit 1945 lidhi jetën me Enver Hoxhën, Komandantin e Përgjithshëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe udhëheqësin kryesor të ndërtimit të shtetit modern shqiptar të pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe kolaboracionistët e tyre ballisto-zogistë. I qëndroi Enverit pranë mbi 40 vjet, si shoqe pune e jete, njeriut që bëri epokë në historinë e Shqipërisë.

Kontribut të veçantë shoqja Nexhmije ka dhënë edhe pas çlirimit duke kryer funksione partie e shoqërore: antare e KQ të PPSH, drejtore në aparatin e KQ dhe nga viti 1966 drejtore e Institutit të Studimëve Marksiste-Leniniste, deputete e Kuvendit Popullor në të gjitha legjistaturat. Për disa kohë Presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Grave. Më 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë.

Kontributi i saj pas çlirimit ka qenë i gjithanshëm, por veçanërisht për emancipimin, përparimin dhe punësimin e gruas shqiptare. Për kontributin në LANÇ dhe pas çlirimit u vlerësua me 13 dekorata dhe me titullin: “Hero i Punës Socialiste” .

Pas përmbysjeve që ndodhën edhe në Shqipëri në vitin 1990, Nexhmija dhe familja e saj u persekutua rëndë. U burgos dhe u dënua me 11 vjet burg, me akuza absurde. Por ajo nuk u mposht, nuk u ligështu por qëndroi krenare dhe sfidoi neofashistët e ardhur në pushtet. Pas 5 vitesh burgimi jeton pranë fëmijve të saj dhe shkruan libra me shumë vlerë për mbrojtjen e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të kuadrove kryesore të saj, të transformimeve të mëdha që u bënë pas çlirimit në të gjitha fushat e jetës, në industri, bujqësi, arsim, shëndetësi, elektrifikim të krejt vendit dhe në art e kulturë.

Për sa shkruammë sipër, kemi të drejtë që me rastin e 98 vjetorit të lindjes të urojmë shoqen Nexhmije: Jetë të gjatë e shëndet të plotë !

*Kryeredaktor i gazetës “Kushtrim brezash”

@tn.lajmelokale
@tetovanews