Ballina Bota Analiza ANALIZË: Një Brexit pa marrëveshje kambanë alarmi për biznesin gjerman

ANALIZË: Një Brexit pa marrëveshje kambanë alarmi për biznesin gjerman

Dalja e Londrës nga BE do t’i kushtonte Gjermanisë miliarda euro, ndërkohë që industria rrezikon të përballet me pasojat e pallogaritshme që do të sillte një Brexit pa marrëveshje

Për shumë gjermanë, Britania e Madhe është vendi mistik me ngjarje që shpesh konsiderohen si jo shumë të rëndësishme, pasi ato ndodhin ”auf der Insel” – thënë ndryshe nga gjermanishtja – ”në ishull”.

Komentatorët gjermanë shpesh mrekullohen me sensin e humorit që kanë britanikët dhe u pëlqen të citojnë një prej thënieve më famshme mbretërore: ”We are not amused” (”ne nuk jemi të kënaqur”).
Por, toni nuk është si zakonisht këto ditë, pasi kriza e Brexit po dërgon sinjale shqetësuese për biznesin gjerman. Ekziston një rrezik i madh që një prej partnerëve më të mëdhenj të saj në tregti të dalë menjëherë nga Bashkimi Europian si rezultat i skenarit shumë të druajtur ”no-deal” ”pa-marrëveshje”.

”Brexit kërcënon të ketë një ndikim shumë të madh në ekonominë gjermane”, thotë Eric Schweitzer, i cili kryeson Shoqatën e Dhomave Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK).

“Kjo mund të çojë në humbjen e vendeve të punës dhe prosperitetit”, tha ai në Berlin.

Britania e Madhe është partnerja e pestë më e madhe për Gjermaninë, pasi 750 000 vende pune të gjermanëve varen drejtpërdrejt nga eksportet në vend.

Tregtia me Gjermaninë ndikon në punësimin e 400 000 personave në Britaninë e Madhe dhe i sjell ekonomisë britanike pothuajse 120 miliardë euro (135 miliardë dollarë).

Por, pavarësisht lidhjeve të ngushta ekonomike, zyrtarët gjermanë jo publikisht janë shprehur të kënaqur për dështimin e negociatave të Brexit, pasi ata do të kuptojnë më në fund pasojat e vendimit për të dalë nga BE apo të dhënies fund të marrëdhënieve me bllokun me bazë në Bruksel.

Dështimi i parlamentit ditën e hënë për të rënë dakord me ndonjërën prej alternativave të planit për Brexit që qeveria ka, vetëm ka nxitur rritjen e tensionit mes liderëve të biznesit në Gjermani deri në pikën që rrezikohet një rënie ekonomike me largimin e Britanisë së Madhe nga BE.

Pasi asnjë prej opsioneve nuk u votua nga shumica në parlament, kreu i negociatave për Brexit i BE, Michel Barnier paralajmëroi se Brexit pa marrëveshje është i gjasshëm, por mundet të shmanget akoma.

“Bllokimi politik vazhdon”, tha Joachim Lang, menaxher i përgjithshëm i Federatës së Industrisë Gjermane (BDI).

“Pasiguria torturuese vazhdon për kompanitë”, shton ai.

Biznesi gjerman tashmë i ka llogaritur shpenzimet e referendumit të Britanisë së Madhe në qershor të vitit 2016 për t’u larguar nga BE.

BDI pret që humbjet në industrinë gjermane si rezultat i Brexit të arrijnë 17 miliardë euro këtë vit.

Por, ajo që i kanoset kaosit të Brexit është kërcënimi që qeveria britanike të bëjë të paparashikueshme zgjedhje të menjëhershme kundër një lufte civile ”virtuale” në politikë mbi largimin nga BE.

Frankfurti – si edhe qendra të tjera financiare në Europë – ka dalë ndër të paktët përfitues nga vendimi i Britanisë së Madhe për të dalë nga BE.

Autoriteti Federal i Mbikëqyrjes Financiare në Gjermani ka parashikuar se më shumë se 45 banka në Londër do të hapen në Frankfurt nëse Brexit do të vazhdojë.

Si rezultat, kjo ndihmon Frankfurtin të bëjë një hap drejt përmbushjes së ëndrrës së tij për t’u bërë kryeqyteti më i rëndësishëm financiar i Europës.

Por, largimi i Britanisë së Madhe nga BE mund të lërë një hapësirë të madhe në tregtinë e jashtme gjermane dhe britanike.

“Një dalje pa marrëveshje nuk do të sillte jo vetëm detyrime doganore për tregtarët, por do të ngrinte përkohësisht tregtinë mes BE dhe Londrës”, tha ish-presidenti i Institutit Kiel për Ekonominë Botërore (IfW) Dennis Snower.

Pavarësisht rënies në tre vitet e fundit, eksportet britanike në Gjermani arritën shifrën 82,01 miliardë euro në vitin 2018.

BDI beson se një Brexit i vështirë do të çonte në ulje të ekonomisë gjermane në vitin 2019 nga 1,2% në 0,7%.

Britania e Madhe është gjithashtu destinacioni i dytë më i madh për eksportin gjerman pas SHBA-së pasi pothuajse një nga pesë makina të prodhuara në Gjermani shitet në ishull, gjë që shpjegon ndjenjën e tmerrit tek prodhuesit gjermanë të makinave që shkaktohet nga ideja e një Brexit pa marrëveshje.

Katër fabrika të prodhuesit gjerman të makinave BMV në Britaninë e Madhe janë tashmë pa punë, në mënyrë që të shmanget çfarëdolloj bllokimi me furnizimet nga kaosi i Brexit.

”Pa gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme dhe të zbatueshme në rrjedhën e tregtisë, rrezikohen vende pune në industrinë e automobilave, veçanërisht në Britaninë e Madhe”, tha Bernard Mattes, shefi i Shoqatës Gjermane të Industrisë Automobilistike (VDA).

@tn.lajmelokale
@tetovanews