Silvana Begaj jeton në Suedi prej vitesh dhe jep mësim në një Universitet. Begaj është shprehur se fillimisht bëri praktikë në Universitet dhe më pas u punësua aty.
“Jam në Jables. Erdha në fillim të 2014 edhe u vendosa në këtë qytet sepse fillova pranë Universitetit të këtij qyteti. Bëra disa aplikime, bëra një praktikë rreth 6-mujore në këtë Universitet dhe pastaj fillova punë ku ndenja dhe 5 vite”.
Silvana ka treguar edhe cila janë shkaqet që ajo dhe shqiptarët e tjerë largohen nga vendi.
“Në Shqipëri ka pasiguri ekonomike, pasiguri psikologjike dhe sigurisht mungesa e sistemit të meritokracisë që ka qenë dhe vazhdon që të jetë.
Mungesa e meritokracisë fillon që në shkollë që duhet të kesh njohje. U fol për rekomandime.
Rekomandimi është në të gjithë botën dhe kjo është e vërtetë, por rekomandimi vjen si pasojë e një eksperience që ti i ke treguar një institucioni apo një kompanie apo një personi të caktuar.
Kjo është rekomandimi nëpër botë. Rekomandimi në Shqipëri është për militantët zakonisht”.
Shqipëria i mungon shumë dhe vazhdon të mbajë kontakte me njerëzit në vendin tonë. Por nëse do të rikthehej në Shqipëri, cilat do të ishin arsyet?
“Në qoftë se Shqipëria do të ndryshonte rrënjësisht. Të ketë një standard normal të jetesës, mos të ketë një papunësi kaq të madhe. Sepse do thuash çfarë ndikimi ka kjo tek ty? Rrit krimin! Të heq dëshirën, nuk të motivon, të heq krijimtarinë”.