Ballina Sport Rrëfimi i gjatë i Marash Kumbullës: Ëndrra ime e madhe, ta çoj...

Rrëfimi i gjatë i Marash Kumbullës: Ëndrra ime e madhe, ta çoj Shqipërinë në Kupën e Botës

I lindur më 8 shkurt 2000 në Peschiera del Garda nga prindër shqiptarë, Marash Kumbulla, në moshën 21-vjeçare është mbrojtësi qendror i Romës dhe Shqipërisë. Në fakt, ai vendosi që në moshë të re të përfaqësonte ekipin kombëtar të origjinës, me krenari dhe duke u përpjekur të bëhej shembull për shumë të rinj që jetojnë në Itali, me një histori emigranti të ngjashme me të. Ish-lojtari i Hellas Verona foli për veten e tij në mikrofonat e “Sportweek”. Më poshtë janë disa pjesë të intervistës së shkodranit kuqezi:

Si ndihesh teksa përfaqëson shqiptarët në Itali?

Unë kam lindur dhe jam rritur në Itali. Kam asimiluar kulturën italiane dhe jam i lumtur për këtë. Por, në shtëpi, natyrisht kam marrë edhe kulturën shqiptare, që i përket familjes sime. Duke i kombinuar të dyja, një e ardhme e re mund të lindë për Shqipërinë.

Na rrëfe pak përvojën me Covid-19…

Një përvojë e keqe, edhe pse nuk e kalova keq. Thjesht isha pak i lodhur ditët e para. Por, me mbi 100 mijë vdekje nga ky virus, është e qartë se përbën një nga momentet më të këqija në historinë e Italisë. Herët ose vonë do të dalim nga kjo situatë, por se kur nuk e di. Personalisht kam ndjesinë se zgjidhja e problemit nuk është aq afër sa shpresojmë.

Bota e futbollit gjithashtu do të ndryshojë: më pak investime, më pak pasuri për të gjithë…

Covid-19 ka tronditur botën, jo vetëm futbollin. Ndikimi është parë tashmë në merkaton e fundit të transferimeve, me pak lëvizje dhe më pak investime se në të kaluarën. Besoj se do të jetë kështu për një kohë.

Kualifikueset për në “Katar 2022” do të fillojë së shpejti. Shqipëria nuk ka shkuar kurrë në një Kupë Bote…

Kjo është ëndrra ime më e madhe. Ne jemi një vend i vogël, objektivi duket i vështirë. Por, ne shqiptarët jemi të fortë, një popull patriot, arrijmë t’i plotësojmë boshllëqet sportive me karakter dhe dëshirën për t’u kualifikuar. Grupi nuk është i lehtë, përballë rivalësh të fortë si Anglia dhe Polonia. Por, kur futesh në fushë, mendon vetëm për të fituar. Për vendin tone, ne synojmë të fitojmë çdo ndeshje.

Si po shkon eksperienca juaj te Roma?

Në fillim kam luftuar, qyteti është i madh. Pastaj në Verona nuk kam jetuar as në qendër, por në periferi. Këtu është një botë krejt tjetër, një gjë tjetër: përvoja e parë larg shtëpisë, hera e parë që ndryshoj ekip. Në fillim ishte e komplikuar, por tani ndihem si në shtëpinë time.

A e dini se shqiptari i parë që luajti në Itali ishte Naim Kryeziu, i cili fitoi titullin e vitit 1942 me Romën? Ashtu sikurse jeni ju, blerja më e shtrenjtë e epokës së Friedkin…

Kryeziu e di kush është, shumë kanë folur me mua për të. Sa për mua, të jem lojtari më i shtrenjtë i presidencës së re të Romës është krenari. Por, nuk ka pse të më rëndojë kjo gjë, përndryshe rrezikoj të vihem nën presion. Nuk e mendoj këtë gjë, dua vetëm të përmirësohem. Dhe të ngjitem sa më lart.

A e ndjeni presionin se duhet të fitoni diçka së shpejti? Nuk ka ndodhur te Roma prej 13 vitesh tani…

Kur hyni në fushë mendoni vetëm për të fituar. Por, pa shqetësime, do të thoja se ekziston dëshira më e mirë për t’i sjellë diçka pozitive klubit dhe tifozëve. Nuk është e lehtë, por ne bëjmë gjithçka për t’ia arritur. Tifozët e Romës janë të mrekullueshëm. Deri më tani më ka ndodhur t’i takoj vetëm në rrugë ose në “Trigoria”. Por, e imagjinoj “Olimpico” me 60 mijë njerëz brenda…

Ku ju ndihmon Fonseca që të rriteni? Dhe si ka ndryshuar mënyra e tij e punës me ju si mbrojtës nga Juric?

Fonseca më ka bërë të rritem në zgjedhjet që bëj gjatë lojës dhe në pozicionimin. Të cilat janë gjithashtu gjërat që do të duhet të vazhdoj t’i përmirësoj në të ardhmen. Në fazën mbrojtëse nuk kam ndryshuar shumë Me Juric kemi luajtur një kundër një në të gjithë fushën, me Fonseca vetëm në disa zona të fushës. Në fazën e posedimit, gjithçka është ndryshe. Roma gjithmonë udhëheq lojën, duhet të marrësh pjesë më shumë në veprime.

A do të dëshironit që një ditë të bëheni një lider i Romës?

Unë jam i ri, po rritem dhe po mësoj. Mundohem të jap më të mirën në të tashmen, duke ditur që mund të përmirësohem. Natyrisht, kjo është ëndrra ime tjetër e madhe: të bëhem një shtyllë e Romës, duke e ndihmuar të fitojë diçka.

@tn.lajmelokale
@tetovanews