Ballina Bota Rritet sërish numri i infektuarve me koronavirus në Evropë

Rritet sërish numri i infektuarve me koronavirus në Evropë

Numri i rasteve të infektimit me koronavirus është duke u rritur sërish në gjithë Evropën, duke i dhënë fund trendit gjashtëjavor të rënies, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Evropa ka regjistruar 1 milion të infektuar javën e kaluar, 9 për qind më shumë sesa java paraprake.

Rritja e numrit të rasteve është nxitur nga përhapja e varianteve të reja dhe “hapja e shoqërive në mënyrë jo të duhur dhe të pakontrolluar”, ka thënë Hans Kluge, drejtor për Evropën në OBSH.

I ashtuquajturi variant britanik i koronavirusit, i identifikuar fillimisht në Britani të Madhe, është përhapur tanimë në 27 vendet evropiane të monitoruara nga OBSH-ja.

Kjo agjenci për shëndetin e Kombeve të Bashkuara ka thënë se varianti britanik është dominant në të paktën dhjetë shtete: Britani, Danimarkë, Itali, Irlandë, Gjermani, Francë, Holandë, Izrael, Spanjë dhe Portugali.

Sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, prej fillimit të pandemisë e deri më tani janë regjistruar mbi 22.5 milionë raste të konfirmuara me koronavirus dhe rreth 547,000 vdekje në 30 shtetet evropiane që monitoron.

Aktualisht situata është serioze në Republikën Çeke, e cila këtë javë ka regjistruar rekord të gati 8,500 personave të shtrirë të spitale, të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Polonia është duke hapur spitalet e përkohshme dhe është duke rikthyer një izolim të pjesshëm pasi varianti britanik ka rritur 35 për qind të infektimeve.

Ndërkohë, dy pacientë nga Sllovakia – vend i prekur rëndë nga pandemia – janë dërguar më 6 mars në Gjermani, meqë autoritetet gjermane kanë thënë se kanë ofruar shërbime për 10 pacientë.

Rritja e fundit raportohet teksa disa shtete evropiane janë duke garuar për të vaksinuar popullatat e tyre, ndonëse me ritëm më të ngadalshëm për dallim nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Kili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e Evropës, nga Greqia në Irlandë dhe nga Portugalia në Sllovaki, janë duke zbatuar shkallë të ndryshme të izolimit.

Mijëra persona kanë protestuar më 6 mars në Austri, Zvicër, Suedi dhe Irlandë, meqë muaj të tërë të izolimit kanë rritur dëmet ekonomike dhe tensionet shoqërore.

Në Gjermani, qeveria dhe guvernatorët shtetërorë janë pajtuar për të vazhduar masat e izolimit deri më 28 mars, derisa kanë prezantuar edhe një hartë të komplikuar për lirim të disa masave në zonat me shkallë të ulët të infektimit.

Ndërkohë, gjermanët është raportuar se kanë blerë brenda orësh të gjitha testet rapide për koronavirus, që tani shiten nëpër dyqane të mëdha ushqimi.

Duke dhënë shenja se lehtësimi i masave mund të jetë javë apo muaj larg, shefi i stafit të kancelares gjermane Angela Merkel, u ka thënë mediave lokale më 6 mars se “është shumë skeptik” për planet e njerëzve që të udhëtojnë për Festën e Pashkëve në prill, mirëpo ka thënë se pret që situata të ndryshojë në maj.

Zhvillime tjera lidhur me pandeminë, përfshijnë vaksinimin e presidentit të Nigerisë Muhammadu Buhari, atë të Venezuelës Nicolas Maduro, dhe Dalai Laman, liderin shpirtëror tibetian.

Në Shtetet e Bashkuara, Senati ka miratuar paketën e ndihmës në vlerë të 1.9 trilionë dollarëve amerikanë, pavarësisht kundërshtimeve të republikanëve, të cilët kanë votuar kundër.

Projektligji për ndihmën pritet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve javën e ardhshme, duke përmbushur një nga zotimet e presidentit amerikan Joe Biden.

Paketa e ndihmës ofron pagesa direkte prej 1,400 dollarëve për shumicën e amerikanëve, shtyn përfitimet urgjente për të papunët dhe shpenzimet për vaksina dhe testimet për COVID-19.

Ky projektligj ofron edhe miliarda dollarë për shtetet, qytetet, shkollat dhe bizneset.