Ballina Top Lajm Ujqit enden në Alpet zvicerane, sulmojnë bagëtinë, u afrohen edhe njerëzve, por...

Ujqit enden në Alpet zvicerane, sulmojnë bagëtinë, u afrohen edhe njerëzve, por ndalohet vrasja e tyre

Një çift ose dy ujq që bredhin maleve nga u dëbuan një shekull më parë nuk është keq. Kjo është një shenjë e rivendosjes së ekuilibrit natyror dhe diversitetit.
Një tufë ujqish që rrethojnë fshatrat alpine, duke u fshehur përgjatë shtigjeve ku fëmijët shkojnë për në shkollë, është një çështje krejtësisht tjetër.

Kur ujqit u kthyen në Zvicër gati 30 vjet më parë, pasi kishin kaluar kufirin me Italinë, ekologët u ngazëllyen.
Në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, disa lloje kafshësh u zhdukën në Alpet zvicerane: ariu i murrmë, rrëqebulli dhe ujku.

Tani të tre speciet janë kthyer. Arinjtë dhe ujqërit u kthyen natyrshëm, rrëqebulli – falë përpjekjeve të ekologëve. Por ëndrra e njerëzve dhe kafshëve që jetojnë krah për krah në harmoni është kthyer në një makth për disa fermerë alpinë.

Nuk ka barinj

Në dhjetor të këtij viti, një fermer që jetonte pranë Bernës zbuloi se një ujk kishte vrarë shtatë nga 35 delet e tij. Me sa duket, ai u hodh mbi një gardh elektrik të krijuar për të mbrojtur tufën.

Ndryshe nga paraardhësit e tyre në Mesjetë, të cilët ishin vazhdimisht të vetëdijshëm për rrezikun që mund të përbënin ujqit, fermerët modernë rrallë punësojnë barinj për t’u kujdesur për tufat e tyre. Edhe qeni si bari tradicional për të ndihmuar në mbajtjen e ujqive larg është jashtë modës.

Ndërkohë, numri i ujqive në Zvicër ka arritur në njëqind, tani në vend janë të paktën tetë kope (tufa).
Ata gjuajnë rregullisht bagëti, gjë që, natyrisht, nuk i bën të lumtur fermerët. Në verë, Unioni Zviceran i Fermerëve tha se sulmet ndaj bagëtive “morën një dimension të ri” duke i detyruar fermerët të kthenin kafshët nga kullotat verore para kohe, për t’i mbrojtur ato.

Fermerët thonë se e gjithë ekonomia alpine është nën kërcënim.
Akoma më shqetësuese, disa tufa ujqish po tregojnë interes jo vetëm për delet, por edhe për njerëzit.

Dimrin e kaluar, një ujk u pa në male, duke parë me interes ndërsa fëmijët mësonin të bëjnë ski. Në gusht në kantonin Graubünden, një ujk e ndoqi fermeren dhe qenin e saj për një kohë të gjatë dhe disa ditë më vonë ajo u ndoq nga tre ujq përnjëherësh, të cilët sulmuan qenin.

Në të njëjtin rajon, turistët raportuan se po ndiqeshin nga një tufë ujqish. Dhe këtë muaj, një grup fëmijësh nga Heinzenberg u përballën me ujq në një shteg rrugës për në shkollë.

Mos qëlloni

Njëqind vjet më parë, në rast të një përplasjeje me ujqit, ata thjesht vriteshin. Sot, ujqit mbrohen në Zvicër dhe mund të vriten vetëm nëse vërtetohet se përbëjnë një rrezik real për bagëtinë ose njerëzit.

Ky është një proces i gjatë në të cilin zyrtarët për mbrojtjen e kafshëve të egra nga një kanton i caktuar dërgojnë prova tek Agjencia Federale e Mjedisit në Bernë, e cila, nëse provat janë bindëse, do të autorizojë eliminimin e ujqive të vetmuar rast pas rasti.

Fermerët po bëhen gjithnjë e më të padurueshëm. Vitin e kaluar, ata iniciuan një referendum për të ndryshuar ligjin për ta bërë më të lehtë gjuetinë dhe vrasjen e ujqive. Votuesit zviceranë, shumica e të cilëve jetojnë në qytete, votuan kundër.

Pra, fermerët duhet të përdorin “taktikat e kontrollit”.

Ujqit qëllohen me plumba gome për t’i bërë të kuptojnë se prania e tyre nëpër vendbanime nuk është e mirëpritur.

Fëmijëve u kërkohet të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo përballje me ujqit. Si mjet i fundit, për të trembur një ujk që u afrua shumë, ata duhet të bërtasin me zë shumë të lartë – kjo mënyrë ndihmoi vetë fermerin me qenin, i cili u sulmua nga ujqit.

Dhe gjëja kryesore është të qëndroni të qetë. Vetëm për shkak se një ujk është afër nuk do të thotë se do t’ju sulmojë, thotë David Gercke, president i Wolf Switzerland Group.

“Takimet me ujqit në kantonin e Graubünden mund të duken të rrezikshme”, tha ai në një intervistë për mediat zvicerane, “por vështirë se përbën një rrezik real”.

Sipas tij, ujqit e rinj janë natyrshëm kureshtarë dhe për këtë arsye ndonjëherë u afrohen njerëzve dhe shtëpive të tyre më shumë sesa duhet.

Megjithatë, njerëzit historikisht e perceptojnë ujkun si një kërcënim. Argumentet racionale jo gjithmonë i ndihmojnë njerëzit të pajtohen me faktin se ka një “ujk të madh të keq” jo shumë larg shtëpisë së tyre.

Hera e fundit që një ujk zviceran është parë nuk ka qenë në male, por në afërsi të Bazelit. Dhelprat jetojnë prej kohësh në qytetet evropiane, por ujqit e qytetit? Ndoshta jo./BBC Përshtati në shqip Tetova News

@tn.lajmelokale
@tetovanews