Ballina Bota Gjermanët të zhgënjyer me Olaf Scholz, kancelari bie në sondazhe për krizën...

Gjermanët të zhgënjyer me Olaf Scholz, kancelari bie në sondazhe për krizën në Ukrainë

Kriza ukrainase ka prodhuar një vorbull aktiviteti diplomatik dhe përpjekjet për ta qetësuar atë janë shumëfishuar. Vetëm në javën e sapo mbyllur, kryeministrat e Britanisë së Madhe, Holandës dhe Polonisë vizituan Kievin.

Presidenti francez, Emmanuel Macron foli dy herë brenda pak ditësh në telefon me Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Zelensky dhe do t’i takojë të dy mes të hënës dhe të martës.

Mario Draghi dhe Boris Johnson patën gjithashtu biseda telefonike me kreun e Kremlinit. Ndërkohë, presidenti amerikan Biden ka njoftuar vendosjen e 2700 trupave të tjera në Evropën Qendrore-Lindore, me funksion parandalues ​​kundër Moskës.

Por një shef i qeverisë evropiane u shqua më shumë për mungesën dhe heshtjen e tij. Olaf Scholz deri më tani nuk ka folur as me Putinin, as me Zelenskyn, as nuk e ka konsideruar të përshtatshme të shkonte në një mision jashtë Berlinit.

Vizita e të hënës (7 shkurt) në Uashington, e kërkuar prej kohësh nga Biden dhe e shtyrë deri më tani, është shenja e parë e veprimit politik që vjen nga lideri i vendit më të fortë në Evropë, të cilin “Der Spiegel” e ka akuzuar si “pothuajse të padukshëm”.

“A e ka parë dikush kancelarin”? Është fraza që ka dominuar mediat sociale në Gjermani prej ditësh, me hashtags #woistscholz, ku është Scholz, dhe #woistolaf, të cilat tashmë janë bërë virale. Kanë kaluar dy muaj nga betimi i tij, por pasardhësi i Angela Merkelit, ka zgjedhur një profil shumë të ulët, për të mos thënë të fshehur, si për çështjen e Ukrainës, ashtu edhe për krizën pandemike.

Që kjo gjë nuk u pëlqen gjermanëve, e vërtetojnë dy sondazhe të publikuara ditët e fundit. Sipas një sondazhi të “Forsa”-s, në fakt, SPD-ja ka rënë në 23% të sondazheve dhe për herë të parë që nga zgjedhjet e shtatorit, ajo u tejkalua nga CDU-CSU, e rinisur nga lidershipi i ri, Friedrich Merz dhe tani është me 27% të vlerësimeve në sondazhe.

Por jo vetëm kaq. Sipas një kampioni nga rrjeti Zdf, Scholz ka rënë në vendin e tretë në shkallën e popullaritetit, pas ish-kancelarit dhe ministrit të Dhëndetësisë Karl Lauterbach, ndërsa vetëm 43% e popullsisë është e kënaqur me punën e tij.

Çështja e mungesës së Scholz-it nuk është vetëm një temë e rrjeteve sociale, gjithmonë e fiksuar pas pranisë së vazhdueshme mediatike të liderëve politikë, si dëshmi e efektivitetit të tyre.

Është e vërtetë që kancelari u zgjodh për shkak të qasjes së tij të zhytur në mendime dhe të përpiktë, duke siguruar forcën që e bëri atë shumë të ngjante me Angela Merkelin.

“Por përballë një krize serioze ndërkombëtare dhe një pandemie që nuk është ende nën kontroll, projektimi i këtij imazhi të besueshmërisë dhe kompetencës, nuk mjafton më. Opinioni publik dëshiron të dijë se çfarë mendon kancelari për kërcënimin rus dhe rolin që duhet të luajë Gjermania”, thotë politologu Hajo Funke nga Universiteti i Lirë i Berlinit.

Në vend të kësaj, Scholz deri më tani ka zgjedhur të presë dhe ka shmangur qëndrimet e qarta për aspektet qendrore të krizës: refuzimi gjerman për të furnizuar me armë Kievit, fati i gazsjellësit Nord Stream 2 në rast të një sulmi rus, natyrën e çdo sanksion ekonomik në Moskë.

Megjithatë, ishte ai vetë, në fushatën elektorale, i cili tha: “Kush pret lidership nga unë, dijeni se do ta ketë”. Problemi i Scholz-it është i dyfishtë, karakteristik dhe politik.

“Ai mendon se mund të imitojë Merkelin, por kohët kanë ndryshuar: ajo duhej të qetësonte gjermanët, por detyra e Olaf sot është t’i inkurajojë ata”, thotë një ish-ministër gjerman.

Në nivelin politik, Scholz duhet të merret me përçarjet e brendshme të partisë së tij, SPD, ku një komponent i fortë nuk i fsheh simpatitë e tij pro-ruse dhe ku ndikimi i ish-kancelarit Gerhard Schröder, lobist ‘de facto’ nga Moska, ende peshon, deri në atë pikë sa që prej ditës së djeshme, ai ka qenë në garë për t’iu bashkuar bordit drejtues të ‘Gazprom’, pasi i është bashkuar prej kohësh ‘Rosneft’-it, gjigantit rus të naftës.(gazeta “Si”)

@tn.lajmelokale
@tetovanews