Ballina Bota Tensionet Ukrainë-Rusi, Stoltenberg: Si të tërhiqemi nga pragu i një konflikti në...

Tensionet Ukrainë-Rusi, Stoltenberg: Si të tërhiqemi nga pragu i një konflikti në Europë

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Sikur Bashkimi Sovjetik të kishte përmbushur qëllimin e tij në vitin 1949, Norvegjia nuk do të ishte bërë kurrë anëtare e NATO-s. Në atë kohë vendi im ishte i vetmi aleat potencial që kufizohej me Rusinë dhe Bashkimi Sovjetik e ka kundërshtuar me forcë anëtarësimin e saj në aleancë. Kremlini donte të tregonte se çfarë mund të bënte ose jo Norvegjia.

Politikanët norvegjezë e morën situatën në kontoll. Ata mbrojtën të drejtën e vendit të tyre për vetëvendosje dhe zgjodhën NATO-n.

Jam mirënjohës që kombe si Franca, Britania dhe Amerika na mbështetën në mbrojtjen e kësaj të drejte themelore. Ata nuk iu përkulën presionit sovjetik, por mirëpritën Norvegjinë si një anëtare themeluese të aleancës sonë.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, demokracitë e reja të Europës Qendrore dhe Lindore, nga rajoni i Balltikut deri në Ballkanin Perëndimor, u orientuan drejt NATO-s. Këto vende zgjodhën të bashkohen me familjen tonë me vullnetin e tyre të lirë. Këto vende punuan gjatë shumë viteve për të zbatuar reforma të rëndësishme dhe për të demonstruar kontributin e tyre për sigurinë europiane dhe transatlantike, raporton abcnews.al

Aleatët ekzistues të NATO-s vendosën t’i mirëpresin. Të gjitha kombet sovrane kanë të drejtë të zgjedhin rrugën e tyre. Ky  është një parim thelbësor i së drejtës ndërkombëtare, i përcaktuar në Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1945 dhe në shumë marrëveshje të tjera kyçe ndërkombëtare që Rusia ka nënshkruar.

Politika e dyerve të hapura të NATO-s ka qënë një sukses historik. Ish kundërshtarët u bënë aleatë, duke përhapur lirinë, sigurinë dhe prosperitetin në të gjithë Europën. Nga diçka e tillë kanë përfituar të gjithë, përfshirë Rusinë, sepse të gjithë gëzojnë avantazhet e një vendi të qëndrueshëm.

Tani Rusia kërkon që ne t’i mohojmë Ukrainës të drejtën për të zgjedhur rrugën e saj. Dhe, për herë të parë, Kina i është bashkuar Rusisë duke i bërë thirrje NATO-s që të mos pranojë më anëtarë të rinj.

Kjo është një përpjekje e qartë për t’u mohuar kombeve sovrane të drejtën për të bërë zgjedhjet e tyre. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Kjo gjithashtu do të parandalonte vendet e tjera, si Finlanda dhe Suedia, nga ushtrimi i të drejtës për të zgjedhur masat e sigurisë.

Kur fola me presidentin e Finlandës dhe kryeministrin e Suedisë, të dy ishin shumë të qartë kur thanë se nuk duan që NATO të nënshkruajë ndonjë traktat detyrues që u mohon atyre të drejtën për t’u bashkuar me aleancën. Asnjë vend nuk po aplikon për të qënë pjesë e NATO-s tani. Por nëse një ditë do të vendosin ta bëjnë, duhet të jetë vendimi i tyre, jo i Rusisë, Kinës apo i ndonjë vendi tjetër.

Për më tepër, Rusia dëshiron që NATO të tërheqë trupat dhe mbështetjen nga vendet që iu bashkuan aleancës pas rënies së komunizmit, duke kufizuar në fakt të drejtën tonë për të mbrojtur të gjithë aleatët. Ashtu si politika jonë për të mbajtur derën e hapur për anëtarët e rinj, Traktati i Uashingtonit është i përfshirë në aktin e themelimit të NATO-s.

NATO nuk ka aleatë të klasit të parë apo të dytë. Ne jemi një dhe do të bëjmë gjithmonë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët, pavarësisht nga vendi. Ne nuk mund ta kthejmë pas kohën në një epokë të dominuar nga sferat e ndikimit të fuqive të mëdha, kur vendet e mëdha i tregojnë fqinjëve më të vegjël se çfarë duhet të bëjnë.

Një botë në të cilën fuqitë nuk janë të drejta, nuk është një botë në të cilën duam të jetojmë. Asnjë vend nuk duhet të përdorë forcën për të rivizatuar kufijtë, për të përmbysur arkitekturën e sigurisë së Europës dhe për të rishkruar librin e rregullave ndërkombëtare, raporton abcnews.al

Kjo është një periudhë kritike për sigurinë tonë. Dialogu është thelbësor për gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën e krijuar nga vendoja e trupave ushtarakë ruse rreth Ukrainës.

Edhe gjatë periudhës më të vështirë të Luftës së Ftohtë, anëtarësimi në NATO nuk e pengoi Norvegjinë të bashkëpunonte me Moskën. Kjo lloj diplomacie mund të jetë e vështirë. Por në vitin 2010, kur unë isha kryeministër i Norvegjisë, ne nënshkruam një marrëveshje me Rusinë, e cila i dha zgjidhjen një mosmarrëveshje territoriale prej dekadash në Detin Barents.

Me forcë dhe vendosmëri, ne gjetëm një zgjidhje që ishte e dobishme për të dyja palët, duke rritur bashkëpunimin tonë në peshkim dhe në menaxhimin e burimeve të naftës dhe gazit. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë me Rusinë sot.

Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë  se çfarë e shqetëson Rusisë, të diskutojmë se si mund të përmirësojmë marrëdhëniet NATO-Rusi, të zvogëlojmë rreziqet dhe të rrisim transparencën e aktiviteteve ushtarake, të tilla si stërvitjet, kontrollin e armëve dhe çështje të tjera që ndikojnë në sigurinë tonë.

Kjo është agjenda për një dialog thelbësor, sigurisht duke respektuar të drejtat e secilit.

/abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews