Ballina Bota Miliarderi Potanin: Jo sanksione Perëndimit që dëmtojnë Rusinë. Konfiskimi i aseteve do...

Miliarderi Potanin: Jo sanksione Perëndimit që dëmtojnë Rusinë. Konfiskimi i aseteve do na kthente në 1917-ën

Rusia duhet t’i përgjigjet me pragmatizëm sanksioneve dhe bllokadës tërësore që po i bën Perëndimi. Këtë mendim ndan një ndër njerëzit më të pasur të vendit, Vladimir Potanin, kreu i grupit Norilsk Nickel, më i madhi në botë për prodhimin e paladiumit dhe nikelit të përpunuar, i përfshirë edhe në prodhimin e platinit, bakrit, kobaltit, rodiumit, argjendit, arit, iridiumit, ruteniumit, seleniumit, teluriumit dhe sulfurit.

Sipas tij, konfiskimi i aseteve që kanë lënë Rusinë qëkurse u vendosën sanksionet do të godiste besimin e investitorëve dhe do ta kthente vendin pas në vitet katastrofike të revolucionit Bolshevik.

“Ne duhet të përpiqemi të ruajmë pozicionin ekonomik të Rusisë në këto tregje për të cilat kemi investuar kaq gjatë. Konfiskimi do të na kthente pas 100 vjet dhe pasojat – një mungesë globale besimi e investitorëve ndaj Rusisë – do të ndjeheshin për shumë dekada”, është shprehur Potanin në një mesazh në “Telegram”.

Reagimi i miliarderit, që vetë është nën sanksione nga Perëndimi, vjen pasi kryeministri rus, Mikhail Mishustin ka deklaruar se qeveria ruse ka ndërmend të vendosë kompanitë që u larguan nën administrim të jashtëm.

Pa sqaruar se çfarë do të thotë kjo vetë, ndërkohë që presidenti Vladimir Putin ka njoftuar se Rusia do të mbetet e hapur për të gjithë ata që duan të bëjnë biznes. Miliarderi ka vënë në dukje se pas sanksioneve ka interesa të disa vendeve për të goditur pozitën konkuruese të Rusisë në disa tregje, ndaj reagimi kërkon kokë të ftohtë dhe kujdes.

“Ne po shohim se vetë ekonomitë e Perëndimit po vuajnë nga vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë. Kështu që duhet të jemi të mençur dhe të shmangim një skenar në të cilin sanksionet që ne vendosim të na godasin ne”, shprehet ai.

Aktualisht vala e sanksioneve po mendohet të zgjerohet pasi sot presidenti i Francës Emmanuel Macron njoftoi se “çdo gjë është mbi tavolinë”. Samiti I BE-së që u zhvillua në Versajë miratoi një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën prej 500 milionë eurosh.

@tn.lajmelokale
@tetovanews