Ballina Aktualitet Opinione Dimri i Vetmisë së Madhe i Vladimir Putinit

Dimri i Vetmisë së Madhe i Vladimir Putinit

Nga Ervin Qafmolla

Me pushtimin e Ukrainës që po regjistron humbje të mëdha ndër radhët e ushtrisë ruse, stivën e sanksioneve ndërkombëtare që shtohet aq sa nuk i duket maja, dënimin dhe distancimin nga pjesa dërrmuese e shteteve në planet, mospajtimin e oligarkëve dikur besnikë që kanë gjetur kurajën dhe zërin të reagojnë, pakënaqësinë dhe disidencën në rritje brenda vendit, dhe çdo gjë tjetër të imagjinueshme që shkon keq, Vladimir Putin po zhytet çdo ditë e më shumë në errësirën e një izolimi të paprecedent.

Flakë dhe gjak mbi dëborë

Dimri ende nuk ka mbaruar në Ukrainë. Një valë e re i ftohti u raportua nga shërbimet meteorologjike. Mediat, nga ana e tyre, raportuan që ushtarët rusë po ngrinin brenda tankeve të parkuara në fushat e ngrira të Ukrainës armiqësore. Kur nata bie, temperatura luhatet në rreth -10 gradë dhe kur fryn erë shkon deri në 20 gradë nën zero. Këto janë vetëm disa nga vështirësitë rrethanore.

Me një ushtri katërfish më të madhe dhe në disa aspekte më të përparuar, makineria ruse po has një rezistencë të paparashikuar përballë mbrojtjes ukrainase. Që në javët e para të mësymjes, Pentagoni vlerësoi që 2000-4000 trupa ruse mund të ishin vrarë në luftë, ndërsa zyrtarë të tjerë amerikanë vlerësojnë se numri tashmë mund të ketë shkuar deri në 6000. Shto këtu edhe homologun e tij armik, Volodimir Zelenski, i cili në harkun e dy javëve u shndërrua nga një ish-komedian me famë lokale në hero botëror.

Më 10 mars, drejtori i CIA-s, Ulliam Burns, dëshmoi para Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara, mbi situatën në Ukrainë, Rusinë dhe Putinin specifikisht. Ai tha se kjo është një luftë që Putini nuk mund ta humbasë. “Është një bindje e thellë personale për të, ai ka qenë duke gatuar një kombinim eksploziv të mërisë dhe ambicies prej shumë vitesh”, theksoi Burns.

Në fakt, në një dalje televizive, më 3 mars, Putini tha se përparimi i trupave ruse në Ukrainë po shkonte “sipas planit”. Ai shtoi se familja e çdo ushtari të vrarë do të shpërblehej me 65 mijë dollarë, dhe çdo i plagosur, 40 mijë.

Që tani, me vetëm dy javë në konflikt, fatura për rreth 6000 të vrarë dhe 15 000 të plagosur, vërtitet afër 1 miliardë dollarëve. Kjo shifër nuk është asgjë përballë tablosë më të madhe të goditjes ekonomike që Rusia ka nisur të përjetojë. Dhe ky mund të jetë vetëm preludi i një dimri të gjatë për Presidentin rus, teksa pranvera ka nisur të trokasë.

Sanksione, sanksione… dhe më shumë sanksione

Lufta është një nga aventurat më të kushtueshme të çdo diktatori, dhe në rastin e Vladimir Putin, vlerësimet paraprake flasin për një kosto prej 20 miliardë dollarësh në ditë. Ky është përfundimi nga një analizë e realizuar nga Qendra për Rimëkëmbje Ekonomike dhe agjencitë konsultuese Civitta dhe EasyBusiness, i cili nuk përllogarit vetëm koston e luftës në terren, por të gjithë faktorët që orbitojnë rreth saj.

Situata dramatike e ekonomisë ruse sa vjen e rëndohet nga sanksionet e pandalshme dhe sakatuese ndërkombëtare. Lista e tyre është tejet e gjatë dhe efektet të pallogaritshme. Rusia është shumë e integruar në sistemin financiar ndërkombëtar, dhe ndërkaq, radhët e gjata të qytetarëve rusë që presin nëpër të tërhequr para të thata nga bankomatet janë bërë një skenë e zakonshme në rrugët e qyteteve të mëdha. Por kjo është vetëm një fotografi nga goditja e vërtetë pas kamerave.

Sa për paralelizëm, Grupi Ekonomik i Ekspertëve (EEG), një qendër analitike e pavarur që ndihmon qeverinë ruse, përllogariti se lufta e parë në Ukrainë e Putinit, i kushtoi vendit deri në vitin 2016, rreth 170 miliardë dollarë nga sanksioneve dhe 400 miliardë dollarë nga të ardhurat e humbura nga nafta dhe gazi. Shkalla e efekteve të sanksioneve aktuale parashikohet të jetë shumë herë më e madhe, dhe pasojat pritet të jenë rrënuese.

Eksodi i kompanive ndërkombëtare

Vështirë të gjendet ndonjë markë globale që ende nuk e ka braktisur tregun rus. Kompanitë e shfrytëzimit të naftës dhe gazit – eksporti kryesore të Rusisë, kompanitë perëndimore të veturave, kompanitë e modës, ato të ushqimeve dhe pijeve të ndryshme, si Coca-Cola, të tjera si Netflix, Apple, Microsoft, Google, Adidas, Swatch dhe Airbnb. Lista sa vjen dhe shtohet.

Rusia miratoi një akt normativ brenda natës që i pengonte kompanitë ndërkombëtare të shisnin aksionet e tyre ruse. Por ky vendim vetëm sa përpiqet të arnojë një vrimë të madhe në ekonominë ruse, pa arritur të frenojë hemorragjinë e kapitalit perëndimor nga vendi. Sipas së pavarurës “The Moskow Times”, “30 000 moskovitë u vunë në rresht në Sheshin ‘Pushkin’ për të shijuar një copë Perëndim, kur McDonald-i i parë hapi dyert në Moskë, më 1990”. Sot, tre dekada më vonë, gjiganti amerikan i “fast-food”-it ka mbyllur 847 njësi nëpër Rusi, duke krijuar mijëra të papunë.

Artikulli i gazetës moskovite citon edhe një studim të Yale School of Management, i cili deri në datën 10 mars, llogariste se mbi 300 kompani ndërkombëtare janë tërhequr nga Rusia, duke shkaktuar mijëra dhe mijëra të papunë. Në fund të çdo artikulli në faqen e “The Moskow Times”, gjendet një shirit i verdhë ku shkruhet: “Media ruse është nën sulm. Të patën 10 media të pavarura janë bllokuar apo mbyllur për shkak të raportimit të luftës në Ukrainë. “Moskow Times” ka nevojë për ndihmën tuaj më shumë se kurrë më parë, ndërsa vazhdojmë të mbulojmë këtë pushtim shkatërrimtar dhe efektin e pamat mbi shoqërinë ruse.”

Sakaq, Putini ka nën kontroll pjesën dërrmuese të mediave në vend. Në datën 5 mars, ai nënshkroi një ligj të ri që e bënte vepër penale me dënim deri në 15 vjet burg, përhapjen e “lajmeve të rreme” mbi ushtrinë ruse. Rusia mbylli disa media vendase pasi raportuan për “pushtimin” apo “luftën” në Ukrainë. Termi zyrtar i lejuar nga Kremlini është “operacion special ushtarak”.

Duke folur për ikjen e kompanive perëndimore nga vendi, ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Moskë, Michael McFaul, tha se “Putini po e shndërron Rusinë në Korenë e Veriut”. “Ai po mundohet të mbyllë kufijtë, thotë se do të ndërpresë internetin,” vërejti McFaul.

Mospajtim dhe rebelim

Atë Ioann Burdin, prift ortodoks rus i Kishës së Ringjalljes në fshatin e Krabanovit, u arrestua nga autoritetet më 6 mars, kur sapo kishte mbyllur predikimin e së “Dielës së Faljes”. Sipas Grupit të Krakivit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, krimi i tij i supozuar ishte “diskreditimi i forcave të armatosura ruse”. Prifti, në fakt kishte folur kundër luftës dhe në mbështetje të paqes gjatë meshave të tij. Në këtë mënyrë, ai mund të ketë shkelur jo vetëm ligjin e ri të censurës, por edhe deklaratën e Patriarkut Kiril të Moskës, kreu i Kishës Ortodokse Ruse, sipas të cilit, ndërhyrja në Ukrainë ishte një betejë kundër homoseksualizmit.

Pavarësisht censurës mbi popullatën e gjerë ruse, ku shumë ende mbështesin Presidentin Putin, pakënaqësia po mbruhet në komunitete të ndryshme të vendit, përfshi rrethet akademike.

Në fillim të muajit mars, mbi 7000 shkencëtarë dhe akademikë rusë nënshkruan një letër të hapur, ku kërkonin ndalimin e menjëhershëm të agresionit në vendin fqinj. “Ky hap fatal na çon drejt viktimave në numra të mëdhenj dhe minon bazat e sigurisë ndërkombëtare… Përgjegjësia për luftën e re në Europë bie tërësisht mbi Rusinë”, shkruhet në peticion, i cili u nënshkrua edhe nga anëtarë të Akademisë Ruse të Shkencave dhe profesorë të mirënjohur në vend. Letra dhe peticione të ngjashme nga grupe të ndryshme brenda Rusisë janë bërë publike ndërkohë.

Të paktën 14 mijë protestues kundër luftës në Ukrainë janë arrestuar në Rusi, por shifra mbetet e paqartë sa kohë që autoritetet ruse janë të mbyllura ndaj informimit të drejtë publik. Teksa Kremlini shtrëngon darën ligjore krahas asaj ekstraligjore mbi qytetarët e vendit, edhe pakënaqësia dhe zërat kundër luftës vijnë duke u shtuar.

Lëkunden oligarkët

Që të jesh oligark rus duhet të kesh mbështetjen e Putinit dhe t’i ofrosh atij mbështetjen tënde të pakufizuar. Përndryshe, pasunarët e pabindur apo të lëkundur janë të prirur drejt vdekjeve të mistershme apo një sërë aksidentesh të pazakonta që rezultojnë në vdekje.

Për shembull, oligarku i lindur në Ukrainë, Mikhail Watford, u gjet i vdekur më 3 mars të këtij viti, në vilën e tij 20 milionë euroshe në Surrey, Angli. Policia e përcaktoi vdekjen si të paqartë, teksa shikimet e opinionit publik u kthyen nga Putini, duke qenë se oligarku në fjalë, manjat nafte dhe gazi, ishte përmendur si pjesëtar i rrethit të ngushtë të Presidentit rus.

Boris Abramoviç Berezovski është një nga oligarkët më të famshëm rusë dhe kritik i regjimit të Vladimir Putin, i cili në vitin 2013, gjeti vdekjen në banjën e tij, me gjasa i vetëvarur. Familjarët e oligarkut i cili kishte gjetur azil në Mbretërinë e Bashkuar, deklaruan se nuk kishte gjasa që Berezovski të ishte vetëvrarë. Përsëri, sytë e opinionit publik u kthyen nga Putini.

Oligarkë të tjerë me ide të ndryshme nga ato të Presidentit rus kanë vdekur në “aksidente” apo, në rastin më të mirë, janë burgosur. Por vendosja e sanksioneve ndaj oligarkëve rusë, përfshi ngrirjen e llogarive, bllokimin e pronave në Perëndim dhe masa të tjera të ashpra që kanë përmbysur përfitimet dhe stilin e tyre të jetesës, kanë ndryshuar bindjen e verbër të atyre që janë gjallë.

Miliarderi rus Roman Abramoviç, pranë Putinit, u vu në shënjestër të sanksioneve. Më parë, ai kishte hequr dorë nga kontrolli i klubit britanik “Chelsea”, dhe më pas kishte deklaruar se synonte të shiste aksionet e tij. Abramoviç ka ofruar që të shërbejë si negociator mes Ukrainës dhe Kremlinit për të gjetur një zgjidhje drejt paqes. Ndër oligarkët dikur pranë Putinit, ky miliarder specifik konsiderohet ndër më të përmbajturit.

Të tjerë janë bërë më të zëshëm. Oleg Deripaska, ndër miliarderët më të fuqishëm të Rusisë, është sanksionuar nga SHBA-ja që nga viti 2018, për marrëdhëniet e tij të afërta me Putinit. Tri ditë pas fillimit të pushtimit rus, ai bëri thirrje kundër luftës. “Paqja është shumë e rëndësishme. Negociatat duhet të nisin sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi ai.

Një nga më të pasurit e Rusisë, Mikhail Friedman, i lindur në Ukrainë dhe i afërt me Putinin, bëri thirrje për “ndalje të gjakderdhjes” në një letër të publikuar nga një prej kompanive të tij. Edhe biznesmeni tjetër, Dimitri Firtash, i afërt me rrethet pro-ruse në Ukrainë, është pozicionuar kundër luftës.

Indeksi i miliarderëve të Bloomberg tregoi sesi brenda 24 orësh nga fillimi i luftës, 22 ndër njerëzit më të pasur të Rusisë panë t’u zhduken pothuajse 40 miliardë dollarë në bursë. Teksa sanksionet shtohen dhe humbjet thellohen, besnikëria e tyre ndaj Putinit po shkon drejt bjerrjes.

Miqtë e vjetër dhe armiqtë e rinj

Kur më 3 mars, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi rezolutën që dënonte Rusinë për pushtimin e Ukrainës, 141 nga 193 anëtarë votuan pro. 35 anëtarë të tjerë, përfshi Kinën, abstenuan. Vetëm Rusia, Bjellorusia, Eritrea, Koreja e Veriut dhe Siria votuan kundër rezolutës. Abstenimi i Kinës, e cila publikisht e konsideron Rusinë si aleat strategjik, nuk kaloi pa u vënë re.

Kina, e cila e ka zëvendësuar Rusinë si superfuqia joperëndimore në botë, po përjeton kohë rritjeje dhe zhvillimi në çdo drejtim, duke renditur në krye të listës së vendeve më novatore në planet. Ekonomikisht, Rusia ka problemin e kundërt të Kinës, duke u projektuar drejt stanjacionit dhe një modeli ekonomik që vështirë se i reziston së ardhmes. Ndaj, ndonëse të dyja vendet kanë rival të përbashkët  Amerikën, interesat e tyre të tjera nuk përputhen.

Udhëheqës dhe politikanë të tjerë, dikur miqësorë me Presidentin rus, tani i kanë kthyer shpinën dhe me vendosmëri i janë bashkuar korit të sanksioneve kundër tij. Lideri populist hungarez Viktor Orban, i kritikuar për politikat e tij të ashpra kufitare dhe për afrinë me liderin rus, nuk hezitoi të votonte asnjë sanksion të BE-së kundër Rusisë. Tani ai pret krahëhapur dhe buzagaz refugjatët nga Ukraina.

Me distancimin e Orbanit, Putini ka humbur një nga aleatët e tij kryesorë në BE. Populistë të tjerë europianë e kanë evakuuar me shpejtësi çdo afërsi të mëparshme me Kremlinin. Madje edhe politikanë të ekstremit të djathtë, të cilët më parë kishin shprehur haptazi miqësinë e tyre ndaj autokratit rus, tashmë e kanë braktisur. Politikania franceze e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila dikur fliste me admirim për Putinin, u tërhoq duke dënuar agresionin rus.

Ndërkaq, një sërë shtetesh deri dje neutrale, tani i prijnë valës së masave kundër regjimit rus, duke u përfshirë në një garë të re dhe të paprecedent armatimesh, me Gjermaninë në krye të listës. Kjo tablo paraqet realitetin e një izolimi të paprecedent të Putinit, si dhe të një armiqësie ndërkombëtare po kaq të pashembullt.

I palëkundur në aleancën e tij me Rusinë mbetet vetëm Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, i cili cilësohet nga Perëndimi si “diktatori i fundit në Europë”.

Rrethi i ngushtë i Putinit

Sipas analistëve ndërkombëtarë, Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, nuk hyn te më të besuarit e Putinit, duke qenë se spekulohet që si shumica e diplomatëve të karrierës, ai nuk e mbështet luftën. Por, Ministri i Mbrojtjes Sergeju Shoigu, është një ndër të besuarit e vjetër të Putinit, sipas një prononcimi për BBC-në të Andrei Soldatov, ekspert rus i sigurisë.

Valeri Gerasimov, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Ruse është personi tjetër që komuniteti i ekspertëve e shohin pranë Putinit. Ai ka qenë në krye të fushatave të Presidentit rus që nga koha e Luftës së Dytë Çeçene, kur ai komandoi ushtrinë ruse.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë, Nikolai Patrushev, Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë, Aleksander Brotnikov, dhe Drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Huaj, Sergej Narishkin, konsiderohen si të besuarit e tjerë të Putinit. Ky i fundit mbahet mend nga një video e javëve të fundit, ku Putini e poshtëroi publikisht gjatë një mbledhjeje të profilit të lartë.

Duke parë nga njerëzit e afërt të liderit rus, vërehet qartë që janë ushtarakë apo drejtues të shërbimeve sekrete. Por pikërisht te këta njerëz një sërë politikanësh dhe ekspertësh kanë varur shpresat se mund të bëjnë diçka për të përmbysur situatën.

Izolimi i madh i Putinit ka lënë pak kandidatë në lojë që mund t’ia ndryshojnë mendjen apo të ndryshojnë udhëheqjen e Rusisë. Udhëheqësit perëndimorë kanë kthyer sytë nga Kina, të tjerë shpresojnë se ndoshta rrethi i tij i ngushtë prej ushtarakësh dhe spiunësh mund të komplotojnë me sukses kundër tij.

Në një intervistë televizive, ekspertja ndërkombëtare e sigurisë, Fiona Hill, e cila ka një përvojë të gjatë në qeverinë amerikane, vuri në dukje se Presidenti rus është përfshirë nga paranoja e humbjes së mbështetjes dhe pushtetit brenda vendit, ndaj dhe ka nisur luftën me Ukrainën.

Në dëshminë e tij para ligjvënësve amerikanë, Drejtori i CIA-s, Ulliam Burns, ceku edhe gjendjen mendore të Putinit 70-vjeçar. “Mendoj se pikëpamjet e tij mbi Ukrainën dhe shumë çështje të tjera janë ashpërsuar përgjatë viteve, mendoj se ai është shumë më i izoluar nga këndvështrimet e tjera të njerëzve që do t’i vinin në pikëpyetje qëndrimet e tij. Në opinionin tim, kjo nuk e bën Putinin të çmendur, por e bën atë tepër të vështirë për t’u marrë vesh”, tha Burns.

Ndërkohë, përtej interpretimeve të ekspertëve dhe akuzave të politikanëve perëndimorë, Putini vazhdon të shfaqet në publik, në sigurinë e vetmisë së një tavoline 10-metroshe, në fund të së cilës ulen për t’i raportuar gjeneralët e tij më të besuar./A2 CNN

@tn.lajmelokale
@tetovanews