Nga Sonila Meço
Nuk mund t’i kërkosh një revolte të zgjidhë të gjitha patologjitë e shoqërisë që po revoltohet.
Nuk mund t’i kërkosh një brezi që i ke lënë alternativë emigrimin apo bindjen patronazhiste për të bërë hajër në jetë, që të dalë në rrugë i qetë, me edukimin që ia dërrmove, me kulturën qytetare që bëre çmos t’ja kalbje, me besimin tek institucionet që ia shkatërrove, me vetpërmbajtjen që nuk e demonstron as vetë, me poshtërimin e prindërve që po u bëhet e pamundur t’u garantojnë me dinjitet, standard jete.
Po si mundet një shoqëri e deformuar nga mënyra si është qeverisur, të prodhojë papritur një revoltë të përsosur, estetikisht të pranueshme dhe moralisht të certifikuar edhe nga ata që nuk duan ta dallojnë ende regjimin e Ramës?!
Është absurditet e sterilitet intelektual të kërkosh që protesta të korrigjojë fillimisht pasojat e regjimit, përpara se të ketë të drejtë të kundërshtojë regjimin.
Pra ky palo pushtet do të përfitojë edhe nga dëmi që ka shkaktuar, sa më shumë e degradon shoqërinë, aq më të padenjë e konsideron për ta kundërshtuar.
Falimentimi politik i Ramës nuk mund të shpallë kriminelë të gjithë ata shqiptarë që e refuzojnë, për t’i shpëtuar kësisoj përgjegjësisë së vet.
Shoh se konsensusi është mbarë shoqëror për korrupsionin, kriminalizimin e politikës, dështimin e arsimit, brutalitetin policor, zhdukjen e autoritetit publik. Dhe pyesim të habitur se kush janë këta njerëz dhe kush i kontrollon? Po kë prisnim të gjenim në rrugë pas gjithë kësaj? Produktin e një shoqërie të një shteti tjetër?
Po si mund të pretendohet që sistemi që ka dëmtuar për vite me radhë institucionet, edukimin dhe besimin publik, ka kriminalizuar çdo kapilar të të shtetit, ka asgjësuar zgjedhjen e lirë, meritokracinë, ka shpëtfillur me arrogancë kërkesa 130 ditore, ka ushtruar dhune barbare mbi kundërshtarët e pushtetit…pra si mundet të përballet ky regjim me sjellje të përsosur qytetare?
Si mund të pretendohet të ketë dikush autoritet mbi protestuesit në këto kushte? Qytetarët e sidomos të rinjtë nuk janë reparte ushtarake, grupe të urdhërueshme militantësh, batalione patronazhistësh, divizione trollsash që i ekzekuton me një komandë. Ky kërkim i pamundur i komandës bëhet gjer në sfilitje, mjafton që frymëzimi mos të ketë emër shqiptar dhe përgjegjësia të mos ketë adresë qeveritare.
Nuk funksionon kësaj here kjo teknikë e njohur e delegjitimimit të protestave, duke shmangur kërkesat e protestuesve për të ngritur çdo lloj supozimi mbi komandën.
Ama nga ana tjetër, ah nga ana tjetër është e kollajtë, fare e kollajtë të identifikosh autoritetin që mban përgjegjësi për komandën ndaj atyre me uniforma dhe paga nga buxheti i shtetit (lexo taksat e shqiptarëve të zhvatur).
Kush kryen dhunë përgjigjet individualisht për të, kush qeveris përgjigjet për rendin publik dhe veprimet e institucioneve. S’ka diskutim këtu.
Kjo sa i takon sforcos ekstreme për të delegjitimuar thelbin e revoltës, akumulimin dhe arritjen e pikës së vlimit.
Tani ndoca fjalë edhe për mendimin intelektual që nuk arrin të artikulohet me ritmin e emergjencës kombëtare, por filozofon nga katedra.
Dakord, ka shumë të drejtë ky mendim kur mëton se zëvendësimi i një kryeministri nuk është automatikisht zëvendësim i një sistemi. Ka të drejtë për kapjen oligarkike të politikës, për trashëgiminë autoritare të partive shqiptare, për kultin e individit dhe për faktin se demokracia nuk mund të reduktohet në rotacion elektoral. Këto janë argumente serioze, të stërthëba xhanëm sidomos në kohë paqeje.
Por kjo e vërtetë strukturore, e thellë, nuk mund të shërbehet si kriter për të gjykuar një revoltë konkrete, 6 ditore që po dërrmon kockat e shqiptarëve.
Kushti i një ndryshimi të thellë nuk mund të nakatoset tani, këtu, me kushtin emergjent të largimit të një qeverie të kalbur.
Studentët nuk kanë detyrimin të paraqesin një model të ri politik, ekonomik e shoqëror përpara se të kërkojnë dorëheqjen e një kryeministri të ndryshkur në korrupsion e nënshtruar krimit. Dorëheqja është instrument përgjegjësie politike se përndryshe do t’i jepnim pushtetit avantazhin e përhershëm, të drejtën të qëndrojë derisa kundërshtarët e tij të zgjidhin të gjitha problemet e shoqërisë.
Nuk mundet nën përleshje përgjegjësinë aktuale të kryeministrit ta justifikosh përmes përgjegjësisë historike. Po, të dyja partitë e mëdha kanë përgjegjësi për mënyrën si është ndërtuar shteti shqiptar. Por përgjegjësia politike sot, tani, nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë mes pushtetit dhe opozitës. Sado i leverdis komodëve të këtij pushteti.
Ky lloj mendimi e justifikon dhunën e të revoltuarve vetëm kur ekziston një projekt bindës ndryshimi shoqëror. Por kush e përcakton sa bindës është projekti? Dhe pse një projekt ideologjik duhet të ketë peshë më të madhe sesa domosdoshmëria e ndryshimit, proporcionaliteti i kundërveprimit të autoritetit dhe mbrojtja e jetës?
Mungesa e një programi të qepur gjer në detaj nuk ia heq protestuesit të drejtën të kundërshtojë pushtetin.
Si mund të kërkohet durim aty ku nuk ka funksionuar një ditë të vetme llogaridhënia???
Durimi është i domosdoshëm për të ndërtuar një alternativë politike, por nuk mund të shndërrohet në detyrim për të toleruar këtë qeverisje kriminale të vijojë e qetë në regjim deri në lindjen e alternativës ideale.
“Frika” e këtij medimi se krimi mund të blejë çdo pushtetar të sotëm e të ardhshëm, se integrimi mund të ndalet, ndaj nuk mund të kërkohet sot dorëheqja e Ramës është oksigjen për të në orën e zezë, kur ka helmuar e asfiksuar popullin e vet.
Kemi kohë që e ngrenë pyetjen e rëndësishme se çfarë shoqërie duhet të ndërtojmë, por tani ky merak i vjetër i të gjithëve ne që e kemi kundërshtuar herët këtë regjim, edhe kur “mendimi intelektual” përkëdhelej dekoreve me ojna të pushtetit, nuk mund të zëvendësojë pyetjen se kush mban përgjegjësi për atë që po ndodh tani. Këtu.
E në fund nuk mund t’i kërkosh një shoqërie të projektojë me program e parti të ardhmen si kusht për t’u çliruar nga demonët e së tashmes. Përndryshe, utopia e së nesërmes bëhet garancia më e mirë e përjetësisë së pushtetit kriminal të sotëm.
Rama nuk ka nevojë për mbrojtës më të mirë se ata që, për të mos kërkuar largimin e tij sot, kërkojnë më parë shpikjen e një Shqipërie tjetër.















