Ballina Lajme PROTESTAT

PROTESTAT

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →
Nga Xhelal Zejneli
Politika e një shteti determinohet nga shumë faktorë. Një prej tyre është ai historik. Por, shqiptarët nuk mund të thonë: “Kemi mbetur prapa ngase kemi qenë pesë shekuj nën sundimin osman”. Shqiptarët e kanë shpallur pavarësinë para 114 vjetëve. Gjermania e mori veten njëzet vjet pas mbarimit të Luftës II Botërore. Pak më vonë u bë fuqia ekonomike e katërt në botë. Shqipëria nuk ia del ta marrë veten as edhe pas 114 vjet shpalljeje të pavarësisë. A thua përse është kështu?! Një shtet me dy dete nuk mund të shqitet nga kriza! 
Faktor tjetër që ndikon në parandalimin e zhvillimit të Shqipërisë janë edhe aspiratat hegjemoniste dhe pushtuese të fqinjëve grabitqarë, siç janë Greqia, Serbia, Mali i Zi – të mbështetur nga Rusia sllave ortodokse. 
Faktor tjetër që ndikon në proceset e përgjithshme në Shqipëri është ndërthurja e interesave të fuqive të mëdha, siç janë ShBA-ja dhe Rusia. Fuqia e madhe e caktuar pretendon  ta ketë Shqipërinë në zonën e vet të interesit si dhe në sferën e vet të ndikimit.
Ndaj Shqipërisë synojnë të ushtrojnë ndikim edhe Fuqitë e Mëdha evropiane – Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia. 
Turqia hiqet si fuqi rajonale. Ajo ka pretendime për të ushtruar ndikim mbi Shqipërinë mbi bazën e fesë islame. Ankaraja synon t’i ketë nën ndikimin e saj Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi me arsyetimin se këto vende kanë qenë pesë shekuj nën pushtetin e Portës së Lartë. 
*   *   *
Shqipëria, njashtu si e gjithë bota shqiptare, synojnë integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, domethënë në organizmat euroatlantikë.
Klasa politike e botës shqiptare është proevropiane, properëndimore, proamerikane. Qeveritarët dhe pushtetarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, përfshi edhe shqiptarët në Greqi, janë properëndimorë. 
Shqiptarët u përkasin tre religjioneve – katolike, ortodokse dhe islame. Si çdo kund, edhe ndër shqiptarë ka ateistë.  
*   *   *
Si çdo vend i botës, edhe Shqipëria ka vende që nuk ia duan të mirën. Kundër integrimit të Shqipërisë apo të botës shqiptare në BE dhe në NATO janë Rusia, Serbia, Greqia. 
Politikën e përtashme të qeverisë shqiptare nuk e pranon Irani.
Shënim: Në Shqipëri janë vendosur muxhahedinë iranianë, të cilët i përkasin Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK). Ndryshe njihen si opozitë iraniane në ekzil. Vendosja e tyre nisi në vitin 2013 nën qeverinë e Sali Berishës, pas një kërkese dhe marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OKB-në. Ky proces vazhdoi në vitin 2014 si dhe vitet në vijim nën qeverinë e Edi Ramës, duke u ofruar atyre strehim për arsye humanitare pasi rrezikonin eliminimin fizik në kampet ku ndodheshin në Irak. Rreth 3.000 deri në 3.500 anëtarë të MEK-ut jetojnë në kampin e fortifikuar, të quajtur Ashraf-3, që ndodhet në Manzë të Durrësit. Prania e MEK-ut e ka vendosur Shqipërinë në shënjestër të vazhdueshme  të Teheranit, gjë që kulmoi me sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës digjitale të Shqipërisë në vitin 2022. Kjo çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
*   *   *
Ka shtete që veprojnë për destabilizimin e Shqipërisë. Ata punojnë nëpërmjet shërbimeve sekrete, të fshehta të tyre. Shtete të interesuara për destabilizimin e Shqipërisë mund të jenë: Rusia, Serbia, Greqia, Irani etj. Kur politika e Shqipërisë është në kundërshti me interesat e Ankarasë, edhe Turqia nuk do të ishte për një Shqipëri të qëndrueshme. 
Nuk përjashtohet mundësia që shtetet e sipërthëna të jenë mbështetës të protestave në Shqipëri. Shtetet e lartpërmendura mund ta kenë në Shqipëri edhe kolonën e pestë të tyre. 
Shënim: Kjo shprehje i përket gjeneralit spanjoll Emilio Mola dhe jo drejtpërdrejt Francisco Frankos, ndonëse lidhet ngushtë me Luftën Civile Spanjolle (1936–1939) dhe me regjimin e Frankos. Nga kjo thënie ka lindur edhe termi i njohur botërisht “Kolona e Pestë” (Quinta columna).
*   *   *
Shqipëria është shtet i vogël ndaj s’e ka të lehtë të mbrohet nga ndikimet e huaja apo të jashtme. Shërbimet e shteteve të jashtme veprojnë në shumë mënyra: I blejnë mediumet, i paguajnë drejtuesit e mediumeve, i paguajnë gazetarët, redaktorët, kryeredaktorët, analistët politikë, ndërtuesit e opinioneve, pronarët e mediumeve. Ata veprojnë edhe nëpërmjet klerikëve të caktuar. Ndikimet nga vendet arabe apo nga vendet islamike mund të ushtrohen nëpërmjet klerikëve myslimanë, kurse ndikimet nga vendet sllave apo ortodokse ushtrohen nëpërmjet klerit ortodoks. 
Askush s’mund t’ia dalë ta largojë Shqipërinë dhe botën shqiptare nga orientimi perëndimor, euroatlantik. BE-ja dhe ShBA-ja janë të pranishme në Shqipëri që në fillim të pluralizmit, d.m.th. që nga viti 1991. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndaj një destabilizim i theksuar i saj nuk mund të ndodhë. 
Skena politike në Shqipëri nuk ka opozitë politike. Partia Demokratike ka kohë që nuk është reformuar, ka kohë që nuk është përtërirë as ripërtërirë. Nuk është mirë që një parti politike të udhëhiqet me dekada nga njerëz të njëjtë, nga udhëheqës të moshuar. Politikanë e moshuar duhet të tërhiqen vullnetarisht dhe t’ua lënë vendin të rinjve. Ndryshe, gjithmonë kanë për të mbetur në opozitë. 
Në partitë shqiptare nuk ka fije fryme demokratike. Partitë shqiptare nuk kanë dallim të madh prej partive të kohës moniste. Në atë kohë askush s’ka mundur ta çelë gojën për të paraqitur ndonjë mendim ndryshe. Edhe sot është kështu. Kush mendon ndryshe, mbetet në margjina. Në partitë shqiptare mbizotëron oportunizmi, konformizmi dhe poltronizmi. Mbizotëron despotizmi, autoritarizmi, autokracia. Ato sjellin tirani dhe totalitarizëm pashmangshëm që përfundon në diktaturë. 
Institucionet publike në Shqipëri janë të politizuara dhe të partizuara. E politizuar dhe e partizuar është administrata publike, të politizuar janë arsimi, shëndetësia, diplomacia etj.
Që prej vitit 1991 deri më sot në Shqipëri mbizotëron nepozizmi. Politikanët dhe pushtetarët i punësojnë dhe i emërojnë nëpër pozita të larta bijtë e vet, djemtë dhe vajzat e veta, nipat dhe mbesat, kushërinjtë etj. Në Shqipëri nuk vlen gjithaq në je ti i aftë, i talentuar, i ndershëm, i moralshëm, parimor, i zgjuar, i punës etj. Në ke të njohur, do të bëhesh diçka, ndryshe do të rish në shtëpi, me diplomë fakulteti do të punosh si kamerier, do të emigrosh për në Gjermani dhe gjetkë. 
Është e dhimbshme të thuhet se në Shqipëri hasen edhe veprime të pamoralshme, të pandershme. Ç’janë ato Reality show (Reality television) në shtetin, ekonomikisht më të pazhvilluar të kontinentit?! Ç’janë ato skena koncertesh muzikore si në San Remo të Italisë?! Ç’janë ato veshje të shtrenjta të këngëtareve të caktuara, që në një moment të caktuar rezultojnë me moral të dyshimtë. Kush i mbulon ato veshje të shtrenjta?! Prej nga paratë?!
Nuk mbahet shteti me politikën panem et circenses (bukë dhe argëtim; bukë dhe lojëra; bukë dhe cirqe).   
*   *   *
– Për organizimin e protestave ka pasur pretekste të caktuara. Një prej tyre ka qenë investimi i huaj në Zvërnec. Sali Berisha vlerëson se projekti i Zvërnecit është projekti më i madh investues i huaj në qeverisjen 13-vjeçare të Edi Ramës dhe e mbështet atë. Me fjalë të tjera, Berisha e mbron projektin e Jared Kushner-it, dhëndrit të presidentit të ShBA-së Donald Tramp. Grua e Kushnerit është e bija e Trampit, Ivanka. Jared Kushner është hebre. Vlera e investimit llogaritet në mbi 4 miliardë euro (ose dollarë, sipas disa referencave) nga kompania South Adriatic Development (ZSAD). Ndër investuesit është edhe Jared Kushner-i. Sipas pohimeve të tij, toka nuk i është dhënë falas nga qeveria, por është blerë privatisht për rreth 230 milionë euro. Protestuesit apo ndonjë grup i tyre, janë kundër investimit të një hebreu në Shqipëri.
– Ka grupe protestuesish që thonë se investimi i sipërthënë e nxjerr Shqipërinë në shitje. 
Vendet si Rusia, Serbia, Greqia etj. janë kundër një investimi të tillë në Shqipëri. Hyrjen e një hebreu në Shqipëri nuk e mirëpret as Turqia. Rrjedhimisht, shërbimet e shteteve të lartpërmendura i mbështesin protestat në Shqipëri. 
Presidenti Tramp e mbështet Izraelin dhe e sulmon Iranin. Në protesta mbase janë të përfshirë grupe që janë pro Iranit dhe kundër Donald Trampit dhe kundër Izraelit. 
– Prej 25 janarit deri më 27 janar të vitit 2026, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën ndërkombëtare për luftë kundër antisemitizmit, kryeministri Edi Rama bëri një vizitë pune në Jeruzalem. Vizita e kryeministrit Rama në Izrael dhe fjalimi i tij në Kuvendin e këtij shteti, nuk është pritur mirë as nga Irani dhe as nga Turqia. 
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, më 12 tetor 2026 zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. U prit nga krerët më të lartë të shtetit. Gjatë kësaj vizite u nënshkrua Marrëveshja për bashkëpunim të përgjithshëm. Kjo marrëveshje paraqet një hap të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Afrimi i Shqipërisë me Izraelin nuk pritet mirë nga shtete të caktuara, si Turqia, Irani etj. Këto janë dy shtete të mëdha dhe shërbimet e tyre nuk e kanë vështirë të implikohen dhe të ushtrojnë shantazh apo ndikim në një vend të vogël si Shqipëria. Nga sa më sipër rezulton se politika shqiptare duhet të marrë mësim nga protestat e tashme. Politika është mjeshtri e së mundshmes. Udhëheqësi politik, para se të ndërmarrë një veprim politik, duhet t’i analizojë pasojat eventuale. “Nuk duhet parë vetëm si rrjedh lumi, por edhe ku derdhte” thotë Jakov Xoxa. 
– Korrupsioni apo vjedhja e pasurive të shtetit janë një prej shkaqeve kryesore të protestave. Sot këtë e shohin të gjithë. E sheh edhe Edi Rama, e shohin edhe pjesëtarët e qeverisë së tij. Vjedhje dhe korrupsion në Shqipëri do të ketë edhe kur të krijohet një qeveri e re, por jo në këto përmasa të frikshme. Në Shqipëri është vjedhur që nga viti 1991 e deri më sot. Cilado parti që ka qenë në pushtet – ka vjedhur. Korrupsion ka pasur, si gjatë qeverisjes së PS-së, ashtu edhe gjatë qeverisjes së PD-së. Kanë vjedhur pushtetarë të pushtetit qendror. Kanë vjedhur pushtetarë të pushtetit vendor. Vjedhës në radhët e ministrave, në radhët e deputetëve. Vjedhje në dogana, korrupsion në radhët e organeve të rendit, ryshfet dhe mitë në spitale, korrupsion nga profesorë universitarë. Vjedhje nga kryetarë bashkish. Korrupsion në sektorin e urbanizmit. Vjedhja e parave të BE-së të destinuara për subvencionimin e bujqësisë. Vjedhje të mëdha në tenderë. Për vjedhje ndodhet nën arrest kryetari i bashkisë së kryeqytetit. Po kështu edhe ish-kryetari i shtetit. 
– Prej viti 1991 e deri më sot, në Shqipëri nuk janë mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike. Pala humbëse thoshte: “Oponentët i kanë blerë votat dhe i kanë përdorur të gjitha format, mjetet dhe mënyrat për t’i fituar zgjedhjet. Vetëm disa ditë para zgjedhjeve, pensionistëve ua kanë rritur pensionet, ua kanë shlyer gjobat të gjobuarve para shumë kohësh, i kanë shantazhuar punëtorët e administratës publike, kanë bërë punësime të paligjshme mu në prag të zgjedhjeve.” 
Vjen një ditë kur vjedhja e votave në zgjedhje kthehet si bumerang. 
Janë vjedhur paratë e qytetarëve. Hajdutët janë të pandërgjegjshëm. Politikanët vjedhacakë, në saje të vjedhjes dhe korrupsionit, mitës dhe ryshfetit, krijojnë klasën e lartë të shoqërisë, borgjezinë. Oligarkët janë borgjezia e shoqërisë. Borgjezia e një vendi duhet të krijohet me punë të ndershme dhe jo me veprime të paligjshme apo të kundërligjshme. Borgjezia e një vendi nuk krijohet brenda natës. Për t’u krijuar, asaj i duhen dekada. 
Si rrjedhojë e pasurimit brenda natës krijohen edhe dallime shoqërore. Dikush jeton si në ëndrra, kurse të tjerët – mezi e sigurojnë bukën e gojës. Përqindja e atyre që jetojnë mirë është e vogël, kurse e atyre që mezi e lidhin fillimin me fundin e muajit përbën rreth 90 për qind të shoqërisë. Vjen një kohë kur kjo gjendje bëhet e padurueshme. Si pasojë, pakënaqësia shpërthen si vullkan. Të rinj dhe të reja të diplomuara rinë pa punë. Janë lënë në margjinat e shoqërisë. Ata janë kryesisht bij dhe bija të shtresave të ulëta të shoqërisë. Ata nuk kanë të njohur për t’u dalë në ndihmë. Të gjendur në situatë të tillë, kjo kategori e shoqërisë detyrohet të lërë vendin dhe t’i marrë në sy rrugët e botës. Të shpërngulet, për të mos u kthyer më kurrë. 
Protestat në Shqipëri nuk mund të shpjegohen me ndikimin e shërbimeve sekrete të huaja, të shërbimit rus, serb, grek, iranian, të shërbimeve sekrete turke etj.
Protestat në Shqipëri janë pasojë e problemeve sociale, të grumbulluara me dekada. Vjen një ditë kur këto probleme shpërthejnë. Ti me vila të shtrenjta, jo një por më tepër se aq, me vetura të shtrenjta, me pallate, me banesa në zonat e veçanta të qytetit, ti fëmijët i dërgon për “studime” nëpër universitetet e vendeve perëndimore, ti i kalon pushimet e verës po edhe të dimrit në vendet ezoterikë të botës, kurse unë nuk mund t’i blejë fëmijës tim fletore, vizatim dhe ngjyra. Djali apo vajza jote punësohet sa çel e mbyll sytë, kurse unë pres punë me vite. Çfarë kapitalizmi është ky?! Ky nuk është, as komunizëm, as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm. Kujt i duhet demokracia në varfëri, në skamje dhe mjerim. Ç’demokraci është ajo?! Unë se jeta argat dhe shërbëtor kurse ti dhe bijtë e tu – padronë.
Abuzime dhe korrupsion në shtetin, ekonomikisht më të pazhvilluar në Evropë dhe në rajon. Shqiptarët duhet të manifestojnë aftësi shtetformuese. Me hajdutëri dhe korrupsion nuk ndërtohet shteti dhe nuk mbahet shteti. 
Përkundër shkallës së ulët të zhvillimit ekonomik, Shqipëria duhet t’i kushtojë rëndësi edhe Kosovës. Ta mbrosh Kosovën të paktën në rrafshin diplomatik, nuk konsiderohet politikë nacionaliste dhe paternalizëm, nuk paraqet destabilizim të rajonit. Serbia, Rusia, Greqia, Irani etj. nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Madje shtetet si Rusia, Greqia, Irani etj. e çojnë mirë me Serbinë. 
– Grupe të caktuara të protestave duhet ta dinë se shqiptarët janë popull evropianë, ndaj s’ka teori që t’i bashkohen ndonjë blloku tjetër politik, ideologjik apo fetar. Shqiptarët s’e kanë dot vendin në BRIKS. Ky forum përbëhet prej anëtarëve që deri dje kanë qenë në konflikt midis tyre. Feja e shqiptarit është shqiptaria. Feja e shqiptarit është gjuha shqipe.
*    *    *
Për problemet në Shqipëri përgjegjësi mban kryeministri Edi Rama. Polita e jashtme që ndjek ai nuk është aq e baraspeshuar apo e balancuar. Grekët e vjetër kanë thënë: “Mos u bëj i skajshëm / Mos e tepro / Mos ia nxirr fundin” (Mēdén ágan). Shumë njerëz që kanë qenë anëtarë të qeverisë të udhëhequr prej tij, ndodhen në burg, ndodhen nën hetime ose edhe janë dënuar për abuzime, keqpërdorime, shpërdorim detyre, korrupsion, vjedhje. Flitet për avullimin e miliona eurove, në mos dhe më shumë. Kjo është e tmerrshme, e dhimbshme, e palejueshme, e dënueshme. Përse ky njeri nuk i ka parandaluar vjedhjet, hajdutërinë, ligësinë, poshtërsitë …?! Dikush do të thotë: “Po është vetë ai që ka vjedhur.” Dhënia e dorëheqjes nga kryeministri Rama dhe formimi i një qeverie teknike nuk është kataklizëm.  
Është për t’u habitur me BE-në se si nuk i ndihmuan Shqipërisë për ta frenuar hajdutërinë dhe për ta ndalur atë?! Është për t’u habitur me Brukselin se si kurrë nuk i ndihmuan Shqipërisë të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike? Çdo ditë dhe vite me radhë vijnë nga Brukseli emisarë, por krejt e kotë. Më mirë është të mos vijnë. Ata, më kot i harxhojnë nëpër udhëtime, paratë e qytetarëve të vet.             
*   *   *
Është mëkat dhe e dhimbshme të shohësh se si protestuesit apo një grup i tyre i sulmojnë dhe i dëmtojnë institucionet dhe pronat publike, si dhe pronat private. T’i thyesh tregtizat apo bizneset e Shqipërisë së varfër dhe të vogël, është mëkat dhe e dhimbshme. Protestat në Serbi filluan në nëntor të vitit 2024. Ato zgjatën pothuajse deri në ditët tona. Protestuesit serbë, studentët dhe qytetarët, nuk shkaktuan dëme si në Shqipëri. Mos digj shtetin tënd, mos ia vërë flakën mëmëdheut. 
Në shtetin me sistem demokratik siç është Shqipëria, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Ato duhet të jenë të qeta. Protestuesit duhet ta dinë se pushteti merret në zgjedhje të lira dhe demokratike dhe jo në rrugë. Për të konkurruar për qeverisje, protestuesit duhet të kenë program politik apo platformë politike. Para kësaj, ata duhet të profilizohen si subjekt politik. Ata duhet ta dinë se as PS-në dhe as PD-në nuk mund ta shlyejë kush me gomë. 
Është indikativë se si këto protesta morën hov në kohën kur udhëheqësit e BE-së punojnë në mënyrë intensive me Tiranën zyrtare për integrimin e Shqipërisë në Union. Integrimi i Shqipërisë dhe i Kosovës është çështje jetike për botën shqiptare. Por, ka vende që nuk e duan Shqipërinë dhe Kosovën në BE. Të gjithë duhet ta dinë se s’ka fuqi në botë që mund t’i nxjerrë shqiptarët nga gjiri evropian. 
*   *   *
Problem i Shqipërisë nuk është vetëm kryeministri Edi Rama. Problemi i Shqipërisë ka dimension shoqëror. Para të këqijave dhe ligësive që kanë ndodhur me dekada, për interesa meskine i kanë mbyllur sytë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Universiteti i Tiranës, i kanë mbyllur sytë akademikët, janë hequr se s’kanë parë, as kanë dëgjuar, profesorët universitarë. Me dekada janë shtirur se s’kanë par gjë të keqe – inteligjencia, intelektualët, njerëzit me shkollë, filozofët, sociologët, ekonomistët, shkrimtarët, poetët, analistët politikë – argatë të politikës dhe të pushtetarëve, mediumet – po ashtu argatë dhe shërbëtorë të qeveritarëve.
Ndër shqiptarë ka poetë sa s’i merr lapsi. Sa të duash. Shumicën prej tyre askush s’i lexon. Ata janë shndërruar në ekzibicionistë që çdo vit botojnë nga ndonjë vëllim poetik. Ata u japin mirënjohje njëri-tjetrit dhe i përfshijnë nëpër antologjitë e njëri-tjetrit. Kësaj kategorie të pseudo-poetëve fare pak u intereson gjendja kaotike në rrugët e qyteteve arbërore.  
Sikundër shihet, nëpër institucionet shkencore dhe arsimore më të larta të kombit rinë  indiferentë dhe indolentë dijetarë oportunistë, konformistë dhe demagogë. 
Është e dhimbshme ta shohësh një të ri protestues, të përgjakur nga shkopi i gomës i policisë së vendit të vet. Ne këndej kufirit jemi përplasur me policinë serbe, malazeze, sllavo-maqedonase dhe jugosllave.       
*   *   *
Të gjithë kanë marrë mësim prej protestave. Edi Rama më së shumti. Është momenti të mbizotërojë arsyeja. Problemet dhe kërkesat duhet të kapërcehen me urti dhe me marrëveshje. Të gjithë duhet t’u kthehen punëve. Nxënësit dhe studentët – shkollave dhe amfiteatrove. Protestat mbase e kanë zgjuar politikën shqiptare nga gjumi dimëror. Kërkesat e protestuesve duhet të shqyrtohen, në të mirë të së tashmes dhe të brezave që vijnë. Rinia shqiptare duhet t’i harxhojë energjitë e veta në shkollë, më amfiteatër, në punë dhe në familje. Është çasti për të gjykuar kthjellët. Veprimet e skajshme nuk shpijnë gjëkundi.   
Shqiptarët nuk janë hakmarrës. Ata që e kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi.