Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një shpërblim prej 2,500 eurosh për çdo efektiv policie që ndodhet në vijën e parë të përballjes me protestuesit. Rama tha se vendimi është marrë në shenjë vlerësimi për rezistencën, sakrificën, kurajën dhe dinjitetin e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Sipas kryeministrit, shuma do t’u vihet menjëherë në dispozicion të gjithë efektivëve që janë të angazhuar në këtë front, pa bërë dallime mes tyre.
“Për të gjithë rezistencën, sakrificën, kurajën dhe mbi të gjitha për dinjitetin me të cilin po i dilni përballë gurëve dhe atyre që nëpër ekrane masakrojnë policinë, fajësojnë policinë, kërkojnë që policia të dorëzohet, ne do t’ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2,500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front.
Keni jo vetëm stresin, por edhe nevojë për të shpenzuar në këtë moment me gjëra ekstra. E vendosëm kështu për të mos bërë asnjë diferencë. Në këtë moment jeni të gjithë një, dhe një për të gjithë.
Nuk diskutohet që shteti do ta fitojë këtë betejë. Kush mendon se e vuri shtetin për poshtë dhe kush mendon se do ta marrë pushtetin me dhunë, do të zhgënjehet”, deklaroi Rama.















