Ballina Bota Mision historik paqeje/ Tre kryeministra nisen me tren për në Kiev

Mision historik paqeje/ Tre kryeministra nisen me tren për në Kiev

Nga Hans-Joerg Vehlewald, BILD

Krerët e qeverive të Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë po udhëtojnë sot drejt kryeqytetit në luftime të Ukrainës për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky.

Sipas informacioneve të BILD, kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki dhe zëvendësi i tij, Jaroslaw Kaczynski u takuan përpara kufirit me Ukrianën me kryeministrin çek Petr Fiala dhe homologun slloven, Janez Jansa dhe u nisën në një tren së bashku drejt Kievit.

Treni e ka kaluar tashmë kufirin.

Një zëdhënës tha në Varshavë se vendimi për këtë takim të guximshëm ishte marrë që në samitin e krerëve të shteteve dhe të qeverive të BE-së në Versajë të Francës të premten e kaluar.

Qeveria polake e përgatiti udhëtimin nën sekret të rreptë dhe e koordinoi nga afër me presidentin e Këshillit të BE-së,Charles Michel dhe presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

“Qëllimi i vizitës është që të shprehë mbështetjen e qartë të Bashkimit Europian për Ukrainën dhe lirinë dhe pavarësinë e saj,” shkroi në Twitter kryeministri çek, Petr Fiala. Ai theksoi se gjatë udhëtimit do të prezantohet një paketë e gjerë mbështetjeje për Ukrainën dhe qytetarët e saj. Komuniteti ndërkombëtar është informuar për vizitën përmes Kombeve të Bashkuara.

Për zëvendëskryeministrin polak, Jaroslaw Kaczynski, udhëtimi ka një rëndësi historike shumë personale: në vitin 2008, vëllai i tij Lech Kaczynski udhëtoi me makinë për në Gjeorgji, e cila më pas u pushtua nga Rusia, dhe mbajti një fjalim emocionues atje rreth agresionit rus.

Në parlamentin e Gjeorgjisë, Kaczynski paralajmëroi përpara 150 mijë dëgjuesish: “Sot është Gjeorgjia, nesër Ukraina, pastaj shtetet baltike dhe ndoshta më pas është radha e vendit tim, Polonisë”.

Sipas burimeve ukrainase, forcat ruse po vazhdojnë të bombardojnë dhe shkatërrojnë objektivat civile në Kiev. Mbrojtja civile tha se vetëm të martën në mëngjes u sulmuan gjithsej katër godina banimi. Të paktën dy persona u vranë. Moska këmbëngul se po synon vetëm objektivat ushtarake.

@tn.lajmelokale
@tetovanews