Ballina Bota Nga synimet e Putin te përgjigjja e Perëndimit. Çfarë ka ndodhur dhe...

Nga synimet e Putin te përgjigjja e Perëndimit. Çfarë ka ndodhur dhe çfarë mund të ndodhë në konfliktin ukrainas?

Rusia ka ndërmarrë një sulm të paprecedent ushtarak ndaj Ukrainës, vend me 44 milionë banorë me të cilin ka bashkëjetuar pjesën më të madhe të historisë së saj. Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, që ka sjellë si pasojë bombardime, sulme raketore dhe dyluftime në pjesën më të madhe të territorit, po vë në rrezik paqen në kontinentin europian, me pasoja afatgjata në gjeopolitikën ndërkombëtare.

Cilat janë arsyet e sulmit rus?

Natën e 24 shkurtit, presidenti Putin u paraqit në mediat shtetërore me një mesazh të unifikuar, ku paralajmëroi sulmin ndaj Kievit.

Putin deklaroi se Rusia nuk ndihej më e sigurt nga rreziku i përbërë nga një Ukrainë që ai cilëson si agresive ndaj popullsisë rusfolëse në Donbas, dhe me plane për të aderuar në BE dhe NATO, diçka kjo e papranueshme për Kremlinin.

Në atë rast, si dhe në vijim, Putin nuk ka përdorur asnjëherë termin “luftë’, por atë të ”misionit për të demilitarizuar dhe denazifikuar” Ukrainën. Një term paradoksal, nga momenti që Ukraina drejtohet nga një president me origjinë hebreje.

Pak minuta pas fjalimit, trupat ruse sulmuan Ukrainën nga drejtime të ndryshme, kryesisht nga Donbasi, nga trupat që hynin nga Bjellorusia dhe nga Forcat Detare nga Krimeja e pushtuar qysh nga viti 2014.

Konflikti i Kremlinit me autoritetet ukrainase nuk ka filluar me zgjedhjen e presidentit Volodymyr Zelensky, në 2019, por që kur presidenti pro-rus Viktor Yanukovych ra nga pushteti në vitin 2014 pas të ashtuquajturit “revolucion portokalli”, që drejtoi Kievin me perëndimin.

Moska akuzon Kievin se pas asaj date, minoriteti rusofon në lindjen e vendit, kryesisht në Luhansk dhe Donjetsk, ka qenë objekt i presionit dhe sulmeve ushtarake, që kulmuan më pas në një konflikt të hapur që sipas rusëve i kushtoi asaj pjese të popullatës rreth 14 mijë viktima.

Deri ku mund të shkojë Rusia?

Ushtarakisht, gjeneralët rusë po tentojnë të marrin kontrollin e qyteteve kryesore ukrainase, si kryeqytetin Kiev dhe Karkivin, por edhe portet strategjike të Odesës dhe Mariupolit, një nga portet e vetme të thella në vend që mundësojnë anije të tonazhit të rëndë.

Për momentin, asnjë nga këto qytete nuk ka rënë në dorën e forcave ruse, të cilat në të gjithë vendin po hasin një kundërshtim më të madh se në pritshmëritë fillestare, duke humbur një numër të madh ushtarësh dhe mjetesh.

Sipas burimeve perëndimore dhe analistëve të strategjive ushtarake, trajektorja e objektivave dhe luftimeve të bën të mendosh se objektivi kryesor është nga një anë ndarja e vendit në dy pjesë, me atë lindore përtej lumit Dniepër nën kontrollin e Moskës, si dhe kontrollin e brigjeve ukrainase në Detin e Zi, duke lënë Kievin pa akses detar dhe duke krijuar një korridor deri në Moldavi, ku Rusia kontrollon territorin e Transnistries. Një tjetër objektiv, i pohuar edhe nga vetë presidenti ukrainas Zelensky, është vënia e një qeverie pro-ruse në Kiev, me presidentin e tanishëm dhe bashkëpunëtorë te tij që janë objektiva ushtarakë për t’u eliminuar, edhe fizikisht.

Si po përgjigjet Perëndimi?

NATO ka deklaruar se nuk do të dërgojë trupa ushtarake në Ukrainë, duke shmangur një përballje direkte me Moskën që mund të kishte pasoja të paparashikueshme.

Ndërkohë, anëtarët e Aleancës po dërgojnë sasi të mëdha armësh mbrojtëse dhe kundërtank për të ndihmuar rezistencën e ushtrisë ukrainase, dhe Bashkimi Europian si institucion ka miratuar për herë të parë një fond për blerjen e tyre.

Parlamenti Europian i propozoi vendeve anëtare të miratojnë statusin e Ukrainës si vend kandidat për anëtarësim në BE, ndërkohë që anëtarësimi në NATO duket shumë i largët, ndoshta i pamundur.

Ndërkohë, Moska po goditet nga një valë e paprecedentë sanksionesh, individuale dhe kolektive, në fusha të ndryshme.

Janë bllokuar asetet e oligarkëve në vendet perëndimore, anuluar projekte madhore si tubacioni i gazit North Stream 2, dhe disa banka janë përjashtuar nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT. Vendet e perëndimit, përtej disa rasteve si Greqia dhe Serbia, kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore nga dhe në drejtim të Rusisë, ndërkohë që Moska është përjashtuar edhe nga të gjitha kompeticionet sportive. Pjesë e propagandës ruse, si portali Sputnik dhe televizioni Russia Today, janë të ndaluara në BE dhe vendet aleate.

Çfarë synon realisht Vladimir Putin dhe a ka rrugëdalje?

Sulmi rus ka sjellë kontinentin në një pikë që mendonte se kishte harruar pas rrënojave të Luftës së Dytë Botërore. Presidenti francez, Emanuel Macron, foli për një ngjarje përcaktuese për historinë europiane kërkesat zyrtare të Kremlinit janë të qarta, Ukraina duhet të shndërrohet në një vend neutral, të refuzojë anëtarësimin në NATO dhe në BE, si dhe të njohë aneksimin e Krimesë në Federatën Ruse, kërkesa të paraqitura edhe në bisedimet me palën ukrainase që u zhvilluan në Bjellorusi.

Por sipas kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në të vërtetë “Putin kërkon të rindërtojë Perandorinë Ruse”, diçka që u nënkuptua edhe nga fjalimi i Putin, që përshkoi ambiciet historike të Moskës edhe para krijimit të Bashkimit Sovjetik.

Vende si Lituania, Estonia dhe Latvia mendojnë se mund të jetë objektivi i radhës në rast triumfi të Putin në Ukrainë, por nuk mungon frika as në vende kufitare si Finlanda dhe Moldavia.

Moska i ka kërkuar madje NATO-s të tërheqë armatimet nga vendet e anëtarësuara pas vitit 1997, pra të gjitha vendet e Lindjes. Ditët e fundit, ministri i Jashtëm rus Lavrov ka sfiduar edhe Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Uashingtoni duhet të heqë armët e saj bërthamore në Europë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews