Ballina Bota Hezbollahu nis sulmet hakmarrëse ndaj Izraelit

Hezbollahu nis sulmet hakmarrëse ndaj Izraelit

Një sulm ajror izraelit vrau një grua dhe një vajzë në jug të Libanit më 21 shkurt, duke nxitur grupin libanez, Hezbollah që të kundërpërgjigjet me sulme me raketa.

Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, pothuajse në baza ditore ka këmbyer zjarr me Izraelin përgjatë kufirit që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor.

Media shtetërore libaneze tha se një grua u vra dhe vajza e saj u plagos rëndë gjatë një sulmi “të armikut” në fshatin Majdal Zun. Më pas, zyrtarët shëndetësorë konfirmuan se edhe vajza është vrarë.

Ekipet e shpëtimit thanë se edhe disa persona të plagosur u dërguan në spital.

Në mbrëmje, Hezbollahu tha se ka gjuajtur disa raketa në fshatin Matzuva përtej kufirit në Izrael “në përgjigje të sulmeve izraelite ndaj fshatrave dhe shtëpive të civilëve”, përfshirë Majdal Zun.

Hezbollahu po ashtu mori përgjegjësinë për 11 operacione të tjera kundër pozicioneve të ushtrisë izraelite në kufi.

Shkëmbimi i zjarrit në kufirit që nga tetori ka lënë të vrarë të paktën 271 njerëz në anën libaneze, shumica luftëtarë të Hezbollahut, por po ashtu 42 civilë, sipas të dhënave të mbledhura nga agjencia AFP.

Në anën izraelite, 10 ushtarë dhe gjashtë civilë janë vrarë, sipas ushtrisë izraelite.

Javën e kaluar, shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u zotua se Izraeli “do të paguajë me gjak”, pasi 10 civilë, përfshirë shtatë anëtarë të një familjeje, u vranë në Liban. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës brenda një dite deri më tani. Në atë sulm u vranë edhe pesë luftëtarë të Hezbollahut.

@tn.lajmelokale
@tetovanews