Emin AZEMI
Nuk besojmë që Ministria e Kulturës të ketë punësuar ndonjë druvarë kokëshkretë në radhët e saja, ose ndonjë dashakeq të vlerave shpirtërore e krijuese të shqiptarëve, mirëpo nga mënyra se si është vendosur për ndarjen e mjeteve buxhetore, rezulton që pikërisht logjika e drurit, e jo kriteri profesional, të ketë qenë fryma që ka përshkuar metodologjinë e kësaj ndarjeje. Kjo hajgare kaq transparente me paratë publike, të cilat nuk e gjejnë adresën adekuate të alokimit, flet për një inercion të kamotshëm të institucioneve shtetërore, nëpër të cilat dominon logjika partizane e vendimmarrjes, ku aparatçikët dërgohen për t’u rehatuar e jo për të qenë kreativ në punët e tyre zyrtare.
Ajo çka bie në sy në këtë ndarje buxhetore është mungesa totale e kritereve mbi të cilat bazohet çdo institucion para se të vendos për dedikimet e posaçme. Pra, Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, sipas gjendjes që ka pasqyruar në faqen e saj elektronike, ka dashur të na thotë se në Tetovë jetojnë nja 95 për qind shqiptarë të Maqedonisë (!) dhe nja 5 për qind shqiptarë nëpër qytet e katundet tjera. Pastaj, sipas kësaj gjendje, del që më llogari ke të jesh debutant adoleshent, se sa festival me traditë, më llogari ke të jesh shtypshkronjë se sa shtëpi botuese dhe, në instancë të fundit, më llogari ke të jesh muzikant, aktor, shkrimtar maqedonas se sa shqiptar.
Sipas cilës logjikë idiotike financohen koncerte, promovime, emra dhe shoqata që konkurrojnë për herë të parë në dëm të manifestimeve tradicionale dhe emrave të njohur të krijimtarisë dhe skenës shqiptare? Një festival tradicional që promovon krijimtarinë muzikore të fëmijëve siç është “Ylberi” financohet me 80 mijë denarë qesharakë, dhe një duo artistësh – me 20 mijë denarë qesharakë (!), ndërkohë që CD-ja e një debutanti adoleshent financohet me plot 300 mijë denarë.
Nuk besojmë që në shoqërinë shqiptare mungojnë emra krijuesish e veprimtarësh, të cilët po të angazhoheshin në ndarjen e mjeteve buxhetore, do të tregonin sens më të lartë përgjegjësie. Por, ajo çka është për t’u vajtuar është fakti se drejtuesit e Ministrisë së Kulturës, duke filluar nga ministri që ka qëlluar të jetë maqedonas, mendojnë se ky është niveli intelektual i shoqërisë shqiptare dhe ata me të drejtë gishtin e akuzës e drejtojnë kah vet shqiptarët. Ne kot bëhemi nervoz me ministra maqedonas kur nëpër ministri kemi funksionarë të lartë shqiptar, të cilët mungesën e kritereve në punë e zëvendësojnë me njëfarë lojaliteti partiak, duke dashur të na bindin se nuk kanë qenë ata, por dikush tjetër mbi ta ka vendosur këto kritere katastrofalee në ndarjet buxhetore.
Kultura shqiptare në Maqedoni, edhe si gjeografi, edhe si traditë, edhe si vlera, edhe si emra të përveçëm, nuk është as për së afërmi kjo që shihet në grafikonët buxhetorë të Ministrisë së Kulturës. Edhe sikur të donim ta amnistonim këtë neglizhencë totale që vie si pasojë e mungesës së përvojës dhe dijes profesionale, sërish mendja na shkon të një sherr i qëllimshëm që këtu instalohet, jo për të vendosur rend, por për të prishur edhe atë pak rend që ka ekzistuar në këtë Ministri. Se prishja e rendit ka filluar së brendshmi flet edhe reagimi i një anëtari shqiptar të Komisionit për financim në këtë ministri, i cili kishte refuzuar të jap pëlqim për shumë projekte, fakt ky që ilustron inkoherencën në mes të kritereve dhe vlerave.