Ballina Aktualitet Opinione A rrezikon të ndalohet aplikacioni “Tik Tok”?

A rrezikon të ndalohet aplikacioni “Tik Tok”?

NGA AGRON LOCI

Është platforma e mediave sociale që ka rritjen më të shpejtë të numrit të përdoruesve krahasuar me të gjitha platformat e tjera. Statistikat e muajit shkurt flasin për rreth 1.5 miliardë përdorues të “Tik Tok” numër gati i njëjtë me atë të “Instagram”. Quhet shpesh edhe platforma e gjeneratës Z, pasi përdoruesit më të shumtë të saj janë brezi i ri. Sot, për këtë brez, por edhe shumë njerëz të grup-moshave të ndryshme, përditshmëria nuk mund të kuptohet pa lundruar nëpër videot e preferuara të aplikacionit apo në ‘live’-t e shumta me individë të ndryshëm.

Dhe ta mendosh se është krijuar vetëm në 2016 nga një kompani kineze fillimisht nën emrin “Douyin”, duke u fokusuar në postimin e videove me përmbajtje muzikore dhe ekskluzivisht për tregun kinez. Një vit më vonë sipërmarrja bleu app tjetër “Musical.ly” dhe nga bashkimi i të dy appve në fund të 2017 u krijua “Tik Tok”. Më 2018 ai kapërceu kufijtë kombëtarë dhe filloi të përdorej nëpër vende të tjera, por duke vazhduar të jetë i fokusuar në video të shkurtra muzikore dhe vallëzimi.

Pandemia, e shoqëruar me mungesën e komunikimit natyral dhe në kushtet e izolimit e bëri këtë media sociale shumë të preferuar për individë, që përmes saj, arrinin të shpreheshin virtualisht në kushtet e mungesës së dimensionit fizik. Njerëz që më parë ishin të panjohur, përmes postimit të videove të tyre u bënë viral, fituan klikime e ndjekës të shumtë. Mënyra e jetesës së tyre, preferencat, hobby-t, orientimet, idetë e vizioni për jetën, marketingu për produkte dhe shërbime të caktuara filluan të kenë ndikim në sjelljen dhe mënyrën e jetesës së shumë ndjekësve që shtoheshin pareshtur. Individë të spikatur, që fituan statusin e “të pëlqyerit” dhe “të ndjekurit” filluan ta përdorin imazhin dhe postimet e tyre për të bërë biznes. Shumë syresh brenda një kohe të shkurtër arritën të akumulojnë sasi të konsiderueshme kapitali financiar.

Ky fitim i shpejtë ka bërë që synimi për të fituar vëmendje, ndjekës, ‘like’ apo klikime të jetë kthyer në një betejë të përditshme, shpesh të ashpër mes individëve që përdorin aplikacionin dhe përfitojnë nga mundësitë që ai të ofron. Gjithsesi, ajo që mund të thuhet është fakti tashmë i pranuar se “Tik Tok” brenda një kohe të shkurtër për miliarda njerëz në botë është kthyer në një ndër app më të preferuar.

AMERIKANËT E EUROPIANËT VENDOSIN KUSHTE

Por përhapja, shtimi i numrit të përdoruesve, u shoqërua edhe me rritjen e rrezikut të keqpërdorimit të të dhënave personale apo marrjes së informacioneve me natyrë sensitive, fakte këto të provuara që kanë ngritur shqetësimin në shumë vende. Po ashtu, shpesh është vënë re mosrespektim i detyrimeve të platformës lidhur me mbrojtjen e grup-moshave të ndryshme, kryesisht të mitur, që jo në pak raste kanë pasur përfundime tragjike.

Ka informacione se koncerni kinez “Bytedance” me seli në Pekin, që zotëron platformën, i ka ofruar qeverisë kineze të dhëna sensitive të përdoruesve të saj duke kërcënuar sigurinë kombëtare të shumë vendeve.

Kjo ka bërë që ai të ndalohet për përdorim privat në Shtetin amerikan të Montanës, Tajvan, Indi, Afganistan, Jordani, Nepal. Ndërsa është ndaluar me ligj të instalohet dhe të përdoret në celularët zyrtarë të nëpunësve shtetërorë në shumë vende të BE si dhe në SHBA e Kanada për arsye sigurie.

Por, përplasja më e madhe që zhvillohet aktualisht për “Tik Tok” lidhur me çështjen e cenimit apo jo të sigurisë është ajo mes Kinës dhe SHBA. Madje, kaq me rëndësi është kjo temë saqë ka hyrë edhe në debatin dhe garën presidenciale, që po zhvillohet aktualisht në SHBA. Ish-presidenti Trump, dikur “armik” i egër i “Tik Tok”, ishte i pari që qysh në vitin 2020 që kërkoi ndalimin e tij, por që nuk ia arriti pasi u rrëzua nga gjykata. Nga armik i aplikacionit, Trump është kthyer papritur në “mbrojtës”, pozicionim që e ka vendosur edhe kundër partisë së tij, që në masë e mbështet ndalimin e “Tik Tok”.

Arsyeja e mbrojtjes që ai i bën aplikacionit është se përmes “Tik Tok,” amerikanët, sidomos mosha e re, kanë mundësi të informohen për “situatën katastrofale” në të cilën ndodhen SHBA dhe një ndalim i aplikacionit mund të kish ndikim me rënien e numrit të mbështetësve. Për më tepër, në rast ndalimi të “Tik Tok”, ai që do të përfitonte nga vakumi i krijuar në mediat sociale do të ishte “Facebook”, që është pjesë e platformës “Meta” të Mark Zuckenberg, të cilin Trump e akuzon se ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 2020 me mbështetjen e tij financiare për Joe Biden. Madje, “Facebook”-un ai e ka konsideruar edhe si “armik të popullit”.

Nga ana tjetër, demokratët jo në pak raste kanë shprehur mospëlqimin se “Tik Tok” përmes videove me përmbajtje negative, po shtrembëron realitetin dhe dezinformon publikun. Në këtë situatë të polarizuar mes dy sfidantëve, ligjvënësit amerikanë bënë hapin e parë. Dy ditë më parë, Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit miratoi një projektligj me shumicë votash nga të dyja partitë e mëdha, si rrallëherë më parë dhe ia kaloi për shqyrtim e miratim senatit. Sipas këtij, projektligji “Tik Tok” do të ndalohej të përdorej në SHBA nëse deri më datën 30 shtator 2024, pra vetëm diçka më shumë se një muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, ai nuk i shitej një sipërmarrjeje jo kineze. Preferenca sigurisht është që ajo të kalonte në pronësi të një kompanie amerikane.

Në fakt, ky projektligj ka ngjallur reagime të shumta në vend, teksa amerikanët mund të konsiderohen si “të varur” nga “Tik Tok”. Rreth 170 milionë amerikanë janë përdorues të deklaruar të aplikacionit, pra më shumë se një në dy veta. Po ashtu, 43% e grup-moshave të reja të anketuar deklarojnë se e përdorin “Tik Tok”-un për t’u informuar mbi atë që ndodh në realitet. Ndërkohë shumë prej atyre që bëjnë biznes përmes “Tik Tok”-ut, por jo vetëm, u mblodhën për të protestuar kundër nismës ligjore përpara Shtëpisë së Bardhë, me shpresën që Senati nuk do ta miratojë, në të kundërtën do t’i drejtohen gjykatës me pretendimin se ky projektligj bie ndesh me amendamentin 1 të Kushtetutës.

Me interes pritet gjithashtu të shihet sesi do të reagojë në ditët dhe muajt në vijim grupi i deputetëve republikanë tani që kandidati i tyre për president ka dalë hapur në mbrojtje të aplikacionit, ndërsa ata votuan për ndalimin e tij.

Ashtu siç pritej, menjëherë pas miratimit të projektligjit reagoi qeveria kineze, e cila e konsideroi atë si “cenim të lirisë së shprehjes” dhe “si dështim të kompanive amerikane për të mposhtur konkurrencën kineze në këtë fushë”. Ndërkohë, dihet që vetë kinezët prej vitesh e kanë të ndaluar me ligj të përdorin “Google” dhe “Facebook”. Mësohet gjithashtu se kinezët kanë nisur lobimin në Senat për ta rrëzuar projektligjin.

Por, edhe vende të BE-së kanë ankesat e tyre ndaj “Tik Tok”. Pak ditë më parë, komisioneri përkatës pranë KE, që merret me çështjet e platformave dixhitale, ka nisur procedurat për hapjen e një procesi gjyqësor kundër aplikacionit, pasi dyshohet se ai nuk po përmbush detyrimet e tij për mbrojtjen e të miturve.

“Tik Tok”, ky aplikacion me një numër kaq të madh përdoruesish do t’i duhet në muajt në vazhdim të përballet me presionin amerikan dhe europian për të përmbushur kushtet dhe detyrimet ligjore.

Në rast mospërmbushjeje, e ardhmja e tij vihet në rrezik në dy nga tregjet më të mëdha globale. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për sipërmarrjen kineze, por njëkohësisht edhe një keqardhje dhe dëm për shumë amerikanë e europianë, që e përdorin atë në përditshmërinë e tyre qoftë për të bërë biznes, apo për t’u informuar. Koha do të tregojë sesi do të përfundojë kjo histori përplasjesh, që në thelb bart mesazhin se lufta për të “zotëruar pushtetin dixhital” është ndër më të rëndësishmet dhe më të ashprat në këtë kohë kur virtualja është bërë kaq e pranishme dhe me kaq ndikim në përditshmërinë e njerëzve kudo në botë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews