Kroacia po blen 12 avionë të rinj luftarakë “F16” nga Izraeli për miliona euro. Serbia është duke marrë avionë të rinj nga Rusia.
Kroacia kërkoi nga Gjermania “howitzers”, pajisje artilerie me municione “të zgjuara” që cilësohen si një makineri e frikshme lufte. Serbisë i erdhën disa helikopterë ushtarakë të tjerë.
Që të dyja vendet, – thotë “BIRN”, – janë përfshirë në një dalldi shpenzimesh të ashtuquajtura “patriotike”, në një kohë kur ekonomitë e tyre nuk janë në situatën më të mirë, e kur për më tepër nuk ka ndonjë konflikt në horizont.
Atëherë, përse këto blerje? Përgjigjja është “sepse na duhen”, që praktikisht do të thotë “jemi në Ballkan, nuk mund t’iu besosh fqinjëve”.
Për rrjetin investigativ, kjo garë e re armatimesh duket paksa e gënjeshtërt. Që prej shpërbërjes së Jugosllavisë, Kroacia dhe Serbia nuk kanë pasur kurrë një marrëdhënie më të mirë ekonomike sesa tani.
Kroatët blejnë pafund produkte serbe të të gjitha formave e përmasave, e serbët mbeten turistët që mbushin më së shumti brigjet kroate në detin Adriatik.
Nga ana tjetër, Kroacia është anëtare e NATO-s, që do të thotë se nuk duhet të shqetësohet shumë për një përballje me Serbinë, sepse edhe nëse ndodh, ajo padyshim do të ketë mbështetjen e aleancës.
Ndaj, qytetarët kroatë janë të pakënaqur me shpenzimet ushtarake pa frè. “Nuk ka parà për fëmijët e sëmurë, spitalet dhe pensionet, por ka sa të duash për të blerë avionë, që gjithsesi nuk do të përdoren, apo jo?”, pyesin ata.