Ka reaguar sërish kryediplomati i vendit fqinj, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, në lidhje me marrëveshjen e pritshme mes dy vendeve.
Në një intervistë për mediat vendase, ai është shprehur optimist se negociatat me Shqipërinë do të jenë finalizuar deri në fund të muajit të ardhshëm, duke deklarua se do të ketë edhe befasi në favor të Greqisë.
“Do të kemi mbledhje javët e ardhshme, ashtu siç parashikon Kushtetuta e vendit mik dhe komunikimi që bëri presidenti Meta me qeverinë e atjeshme.
Besoj se deri në fund të majit do të jenë mbyllur esencialisht dhe formalisht edhe çështjet e fundit të hapura.
E dini, janë probleme që ekzistojnë që prej 70-80 vjetësh. Kur të vijë për diskutim në parlament do të befasoheni me ato që do të dëgjoni dhe me budallallëqet që bëhen nga të dy palët”, ka thënë Kotzias.
Nëse për ndarjen e kufijve detarë kryediplomati grek ka qenë teje optimist, për “çështjen çame” ai ka folur ashpër duke deklaruar se as që ka denjuar që të shtrohet për bisedime. Madje duke folur për këtë pikë ai ka shkuar deri aty sat ë thotë, se “në një sens ne jemi akoma në luftë me Shqipërinë”.
“Nuk kemi pranuar që të shtrohet një çështje e tillë në negociatat. Për pasuritë, të vetmet pasuri që ekzistojnë, janë ato që kanë të bëjnë me ligjin e luftës. Formalisht, në një sens, jemi akoma në luftë me Shqipërinë. Përderisa nuk bëhet me mjaftueshmëri juridike abrogimi i ligjit të luftës, këto pasuri mbeten të konservuara në duart e shtetit grek.
Që nga shpallja e luftës kundër Greqisë, nga Italia dhe Shqipëria që atëherë ishin bashkuar në një mbretëri. Këto janë që nga lufta, nuk kanë të bëjnë me çamët. Për çamët janë vendimet gjyqësore dhe janë vendime të parevokueshme”, vulosi ai këtë çështje për palën greke./sn/