Kalaja e Kaninës u shndërrua në një vend feste plot me dasmorë por të një dasme të veçantë. Atmosfera festive erdhi falë idesë së veçantë të deputetit Fate Velaj për të improvizuar sërish dasmën e Gjergj Kastriotit.
Në të njëjtin vend ku 567 vjet më parë, Heroi ynë Kombëtar mori nuse Donikën, u festua me këngët e grupit polifonik të Kaninës dhe ansamblit të këngëve dhe valleve të Vlorës.
Ky aktivitet u zhvillua ditën e djeshme ku plot vizitorë, shijuan dhe u kthyen pas në kohë e në histori në kështjellën e Kaninës.
Artisti Fate Velaj realizoi ëndrrën e tij të vjetër,me organizimin për herë të parë në histori të “Dasmës së Skënderbeut”, ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë.
Me pjesëmarrjen e një delegacioni prej 60 vetash, ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve ishte edhe Loris Castriota Scanderbeg – stërnipi i Gjergj Kastriotit, u festua 567 vjetori i dasmës më historike të kombit shqiptar si dhe 590 vjetori i lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë.
Një ceremoni e cila vlen të kthehet në festë të përvitshme duke i shtuar vlerat turistike Kaninës.
Ky aktivitet erdhi falë bashkëpunimit të Shoqatës Patriotike “Kanina” ,me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës, duke sjellë për herë të parë një aktivitet me këto lloj përmasash ku festimeve iu bashkuan miq e dashamirës nga trevat shqiptare./ata/