Nuk dua të flas më se si rrodhën ngjarjet, nuk dua të tregoj se ndodhi që Ali Ahmeti u gjend prapë në krah të Zaevit, dua vetëm të përqendrohem tek 27 prilli i një viti më parë! Të gjithë e dimë se cilat ishin rrethanat që e sollën! Duket se për fat të keq asgjë nuk ndryshoi… krimi i vjetër mbyti reformistët e rinj – fatkeqësisht!
Nga Dr.Arben TARAVARI
Dje ishte data 27 prill. Si dje para 1 viti Maqedonia kaloi një ditë të rëndë, një ditë e cila ishte edhe më e vështirë për një familje dhe për një njeri, padyshim që po flas për Ziadin Selën dhe të afërmit e tij. Por duke lënë kontekstin personal të kësaj dite do të fokusohem tek rëndësia historike që 27 prilli pati për Maqedoninë dhe do guxoja të thosha gjithë Ballkanin.
Në 27 prilli para një viti rà gjysma e regjimit. Parlamenti vlonte nga britmat e protestuesve që në fakt kishin një detyrë të qartë, të sulmonin deri në eliminim fizik disa syresh nga të politikanët e ndodhur në sallën e parlamentit. Dukej se qeveria grueviste kishte vizatuar skenarin e një gjendjeje të jashtëzakonshme e cila do të paralizonte çdo lëvizje politike eventuale. Në atë kohë ishte z.Zoran Zaev që kishte dalë në krye të grupit “poshtë qeveria” dhe ai ishte një nga të sulmuarit e 27 prillit, por dora më e rëndë e dhunës rà mbi z.Ziadin Sela, i cili në një moment të asaj maratone ankthi u shpall si i vdekur…dhe po, ai ishte shumë afër vdekjes.
Pothuajse vizioni i gruevistëve po merrte jetë, Sela do të vdiste, populli do të shkonte në përleshje etnike, do kishte rast ideal për të vendosur Gjendje të Jashtëzakonshme!
Por Zoti vendosi ta shpëtonte Selën dhe prej tij të vinte Zaevi sot në qeveri, të zgjidhej z.Talat Xhaferri kryeparlamentar, të futej në përdorim ligji i gjuhës shqipe, të jepej leksioni se si punohet me përkushtim në qeveri dhe se si hiqet dorë po nga kjo qeveri kur cenohet dinjiteti i popullit! Pasi nëse ditën e 27 prillit, Ziadin Sela, në një gjendje të vështirë mbijetese, do të kishte dhënë edhe më të voglin kushtrim, populli shqiptar pa dallim partie, atë natë do të hidhej në luftë!
Megjithëse në një gjendje agravante shëndetësore tek dilte nga Tempulli i Ligjeve që e kishte rrëmbyer Ziadin Selën për ta vdekur, ai porositi: edhe sikur të vdes dua që populli të rri i qetë!
Ishin këto fjalë që me shpejtësi dhe me forcën e amanetit u përhapën atë natë nga partia e Aleancës për Shqiptarët! Ziadini po ndalonte luftën! Ziadini bashkë me të gjithë mjekët, duke më përfshirë edhe mua, nuk e dinte nëse do të mbijetonte, por ai po zgjidhte Paqen për popullin e tij të lodhur nga skamja, nga urrejtja, nga konfliktet!
Ai po shembte skenarin e Gruevskit që do çonte popullin në plumb, ai po kursente gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, maqedonasve, turqve, bullgarëve e çdokujt që jeton sot në paqe!
Nëse atë natë do të kishte pasur përleshje të cilin Sela e ndaloi, jam i sigurt që z.Zaev nuk do të ishte sot kryeministër. Meqë jemi tek z.Zaev, edhe ai në 27 prillin e një viti më parë u sulmua në parlament, atij dhe çdokujt që u godit, në mënyrë të veçantë znj.Sheqerinska që ishte prè e një gjesti të shëmtuar e të dhimbshëm të çmendurisë politike, ju uroj mos qofshin më kurrë në rrethana dhune!
Kurse Ziadinit që mbeti gjallë…është edhe Heroi i Gjallë jo vetëm i shqiptarëve, por padyshim dhe i maqedonasve!
Fakti që Ziadini atë natë qëndroi krah Zaevit për të shpallur rënien e regjimit dhe u sulmua brutalisht, nuk përbën ndonjë heroizëm të veçantë, por fakti që Ziadini u dhunua më shumë dhe gjeti forcën të ndalonte popullin të nxehur për përleshje, e bën Selën absolutisht politikanin më demokratik dhe evropian të momentit!
Nuk dua të flas më se si rrodhën ngjarjet, nuk dua të tregoj se ndodhi që Ali Ahmeti u gjend prapë në krah të Zaevit, dua vetëm të përqendrohem tek 27 prilli i një viti më parë!
Të gjithë e dimë se cilat ishin rrethanat që e sollën! Duket se për fat të keq asgjë nuk ndryshoi… krimi i vjetër mbyti reformistët e rinj – fatkeqësisht!