Kurdisje tenderësh në një kanton, furnizim i Sirisë me lëndë kimike – edhe në një shtet funksional si Zvicra ndodhin skandale.
Nga Enver Robelli
Janë disa klishe për Zvicrën që nuk zhbëhen. Vend i orëve, i lopëve, i çokollatës, i qumështit, i ca instrumenteve komike muzikore për çobanë, vend i djathit, i bankave, i kambanave të lopëve.
Edhe vetë mediat zviceranë lozin me klishe kur kritikojnë vendin e tyre. Kur në vitet ’90 organizatat hebraike në SHBA dhe qeveria në Washington kritikonin Zvicrën për fshehjen e parave të hebrenjve, të cilët gjatë Luftës së Dytë i kishin deponuar kursimet e tyre në banka në Zürich e Gjenevë e gjetiu, televizioni zviceran emitoi një skeç humoristik: kameramani hyri në bodrumin e një banke dhe duke hapur dollapët befas në njërin prej tyre u shfaq Adolf Hitleri.
Ka edhe klishe të ndritshme për Zvicrën. Ky vend është themelues i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i cili kujdeset që të burgosurit gjatë konflikteve të trajtohen në mënyrë humane. Zvicra ofron prej shumë dekadash shërbimet e mira në politikën ndërkombëtare: diplomatët zviceranë përfaqësojnë interesat e shteteve të ndryshme kur këto shtete i kanë raportet e acaruara.
Në Kubë dhe në Iran Zvicra ka përfaqësuar (ose përfaqëson) interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk është klishe, por e vërtetë: Zvicra është vend i pasur, ndër më të pasurit në botë, madje ka intelektualë zviceranë që thonë se problemi më i madh i Zvicrës është se ka shumë para.
Se (vetëm) paraja nuk të bën të lumtur, tregon fakti se Zvicra hyn në mesin e shteteve me nivelin më të lartë të vetëvrasjeve në botë.
Edhe në një vend funksional si Zvicra, ku sundon ligji, ku kontrolli nga mediat është i rreptë, ku qytetarët janë të emancipuar politikisht dhe ndëshkojnë politikanët në zgjedhje nëse e teprojnë me keqqeverisje, pra edhe në Zvicër ka skandale. Madje të tipit ballkanik. Javën që shkoi portali «Republik» i Zürichut në një seri shkrimesh solli detaje tronditëse mbi manipulimin e tenderëve të ndërtimtarisë në kantonin Graubünden.
Gazetarët portretuan një ndërtimtar, i cili tregoi se si firmat ndërtimore ishin marrë vesh për ndarjen e tenderëve në Graubünden. Në takime të mbajtura para se të konkurronin për një tender, firmat ishin marrë vesh për kurdisjen e çmimeve, për ofertat që do të bënin dhe për firmat do të fitonin.
Një kartel mafioz, i cili s’mund të funksiononte pa dijen e politikanëve lokalë, disa prej të cilëve mbanin pozita edhe në shoqatën e ndërtimtarëve të Graubündenit.
Kritikat kundër kësaj mafie ndërtimore janë të mëdha, nga autoritetet priten hetime të reja, por duarkryq autoritetet nuk kanë qëndruar as në të kaluarën: Komisioni i Konkurrencës i Zvicrës ka gjobitur disa firma për manipulim tenderësh.
Pas raporteve të fundit mediale presioni mbi politikën do të shtohet, së shpejti në Graubünden do të zgjidhen anëtarët e qeverisë dhe pritet se disa prej tyre që synojnë të rizgjidhen do të ndëshkohen nga populli.
Izopropanol! Kështu quhet një lëndë kimike, të cilën një firmë zvicerane e ka eksportuar në Siri. Me këtë lëndë mund të prodhohet edhe gazi nervor sarin. Lënda është eksportuar edhe pas vitit 2013, pra pasi regjimi i diktatorit Bashar al-Asad kishte përdorur gaz nervor ndaj kundërshtarëve të regjimit.
Ndoshta kurrë nuk do të mësohet nëse izopropanoli zviceran vërtet është përdorur për prodhim të sarinit, por eksportimi në Siri është një njollë e madhe për Zvicrën, një turp.
Sipas ligjeve zvicerane eksportimi i izopropanolit nuk ka qenë i ndaluar dhe burokratët në Bernë i janë përmbajtur ligjit dhe jo humanizmit. Por në rastin e Sirisë duhet pasur kujdes edhe kur eksporton rrëmojëse të dhëmbëve – e lëre më lëndë kimike.