Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se vendi i tij do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e nënshkruar në vitin 2015 midis Republikës Islamike dhe gjashtë fuqive botërore.
“Bëj të ditur se SHBA-ja do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin”, tha Trump në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë
“Do të nënshkruaj një memorandum presidencial për të filluar rivendosjen e sanksioneve të SHBA-së mbi regjimin iranian”, tha ai.
Duke e cilësuar si “shkatërruese dhe të kalbur”, Trump tha se marrëveshja ka qenë “e turpshme” për të si qytetar.
Ai e akuzoi regjimin iranian për sponorizim të terrorizmit dhe tha se eksporton raketa të rrezikshme.
“Me vite, Irani ka bombarduar ambasada amerikane dhe objekte ushtarake, ka vrarë qindra shërbyes amerikanë, ka rrëmbyer, burgosur dhe torturuar qytetarë amerikanë”, tha Trump.
Presidenti amerikan ka qenë kritik i marrëveshjes bërthamore prejse ka marrë detyrën, në janar të vitit të kaluar.
Me këtë marrëveshje, Irani është dakorduar të frenojë aktivitetet e tij bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Por, Trump tha se marrëveshja, e cila është nënshkruar në kohën e paraardhësit të tij, Barack Obama, nuk e adreson programin me raketa balistike të Iranit dhe as aktivitetet e tij bërthamore pas vitit 2025.
“Amerika nuk do të jetë peng i shantazhit bërthamor. Nuk do të lejojmë që qytetet amerikane të kërcënohen me shkatërrim. Nuk do të lejojmë që një regjim, i cili thërret ‘Vdekje Amerikës’, të ketë qasje në armët më vdekjeprurëse në Tokë”, tha Trump.
Irani e ka përjashtuar mundësinë e rinegociimit të marrëveshjes dhe ka kërcënuar se do të hakmerret, ndonëse nuk ka treguar saktësisht se si do të veprojë nëse Uashingtoni tërhiqet.
Vendimi i Trumpit shkon kundër këshillave të aleatëve evropianë dhe të disa ndihmësve të tij ushtarakë.
Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë – po ashtu nënshkrues të marrëveshjes, së bashku me Rusinë dhe Kinën – kanë takuar javëve të fundit Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, në përpjekje për ta bindur që të mbetet në marrëveshje.
Në reagimin e parë, Parisi, Berlini dhe Londra thanë përmes një deklarate se vendimi i Amerikës “është për keqardhje”.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ai e “mbështet plotësisht tërheqjen e guxhimshme të SHBA-së nga marrëveshja”.
Përpara njoftimit të Trumpit, Rusia paralajmëroi për një “situatë shumë serioze” nëse presidenti amerikan tërhiqet nga marrëveshja.