Popullsia e Rusisë pritet të reduktohet ndjeshëm gjatë dekadave të ardhshme, një zhvillim që do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në ekonominë e vendit dhe atë që analistët e quajnë aftësinë e Moskës për të projektuar forcë jashtë vendit. Ekspertët thonë se emigracioni i profesionistëve të rinj dhe të arsimuar është mes arsyeve kryesore për këtë prirje. Një sondazh i organizatës Gallup këtë vit, arriti në përfundimin se një e pesta e rusëve, një numër rekord do të donte të largohej nga vendi nëse do të mundeshin, një rritje e trefishtë në krahasim me pesë vjet më parë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës,Igor Tsikhanenka shkoi në Perm, që njihet si qyteti i fundit rus në Evropë për shkak të vendndodhjes në malet Urale, ku fillon kontinenti aziatik.
Në Rusi, ashtu si kudo tjetër në botë, të jesh i ri dhe energjik do të thotë të jesh në lëvizje.Por në Perm, shumë të rinj thonë se nuk është vetëm energjia që i bën të duan të ikin.
“Nuk ndjehem i sigurt këtu. Nuk mendoj se kemi stabilitet në vend”.
Dmitry është inxhinier në një fabrikë druri në Perm, një qytet jo shumë I madh, 1,500 kilometra në lindje të Moskës. Përveç ndërtesave të kohës sovjetike, rrogat e ulëta nga 400 në 600 dollarë në muaj, janë një arsye tjetër madhore se pse Dmitry dhe të tjerë duan të largohen.
Dmitry ka jetuar edhe në tre qytete të tjera provinciale dhe është i bindur se nuk ka të ardhme në Rusi.
“Ka shkelje në të gjitha aspektet e jetës këtu. Të drejtat e njeriut dhe ligjet nuk respektohen”.
Një sondazh i fundit i organizatës Gallup, arriti në përfundimin se vetëm 12 për qind e atyre që mbështesin Presidentin Vladimir Putin duan të ikin nga Rusia. Por mes atyre që nuk janë dakord me politikën e tij, 40 për qind thanë se duan të emigrojnë.
Por në industrinë e naftës dhe gazit që po lulëzon, Rusia është ende një vend mundësish të panumërta.
“A do të rri në Rusi? Patjetër! Jam shumë mirë këtu. Jam i lumtur që studio dhe punoj në këtë universitet”, thotë Maxim, një student për master në Universitetin Politeknik të Permit.
Ai është një student i shkëlqyer për master dhe punon në Universitetin prestuigjioz Politeknik të Permit, që nxjerr profesionistë të zotë për industrinë e karboranteve fosile që po lulëzon. Sektori i energjisë siguron 60 për qind të eksporteve ruse dhe rajoni i Permit, me disa sipërmarrje të mëdha, është në qendër të tij.
Maxim e ka të siguruar një punë në gjigandin e naftës në vend, Lukoil.
“Ma kanë ofruar punën. Po presin për mua dhe më kontaktojnë vazhdimisht”.
Megjithatë ai thotë se mund ta marrë në konsideratë një punë jashtë vendit.
“Nuk mund t’i kundërshtoj faktet. Të gjithë kanë nevojë për para dhe një ambjent të mirë pune”.
Por të tjerë që kanë shkuar atje nga vende të tjera, ndjehen me fat.
“Niveli i arsimit dhe kushtet këtu janë shumë të mira. Nëse e krahason me Nju Jorkun, është shumë shtrenjtë atje dhe kushtet janë të vështira për ne”, thotë student irakian, Hani Mohammed Falih.
Pas diplomimit, Hani ka në plan të kthehet në Irak, por thotë se nëse mund të gjejë një punë në industrinë e naftës në Rusi, do ta marrë.
“Nëse krijohet mundësia, me shumë kënaqësi do të punoja këtu”, thotë ai.
Eduard Matveev, autor librash për financat për fëmijë dhe adoleshentë, thotë se globalizimin dhe interneti u kanë dhënë formë pikëpamjeve të të rinjve rusë.
“Mendoj se të rinjtë në Rusi nuk janë ndryshe nga ata në vende të tjera. Nuk e shohin udhëtimin si tradhëti të atdheut, si brezat e mëparshëm. E shohin si proces normal të eksplorimit të botës”, thotë ai.
Ndërsa sektorët fitimprurës të ekonomisë ruse vazhdojnë të tërheqin talente të reja, të rinjtë rusë po kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit, si për arsye financiare ashtu edhe politike./ Burimi: VOA