Një tërmet me magnitudë 4.5 ballë i shkallës rihter u regjistrua gjatë orëve të mëngjesit të sotëm në Firence. Epiqendra e tërmetit ka qenë në Scarperia San Piero me një thellësi prej 9 km.
Ishte ora 04:37 kur nisën lëkundjte, ndërkohë që banorët raportohet se kanë dalë nga shtëpitë të alarmuar. Lëkundjet janë ndjerë të forta. Më herët janë regjistruar lëkundje të vogla. Nga ora 03:38 deri në 03:55, ka pasur pesë goditje në Scarperia San Piero, njëra prej të cilave ishte me magnitude 3.4.
Një tjetër tërmet 4.4 ballë u regjistrua në Barberino del Mugello, periferi e Firences. Lëkundje të tjera me intensitet më të vogël pati në Scarperia San Piero deri në orën 5.29. Ekspertët thonë se goditja e madhe u ndje edhe në Firence qytet dhe Pistoia.
Dëmet e para kanë nisur të raportohen, trenat janë pezulluar dhe shkollat në zonë janë mbyllur përkohësisht. Nga të dhënat e para të mbrojtjes civile, sipas mediave italiane raportohen ndërtesat e dëmtuara në Scarperia San Piero dhe Barberino.
Shumë njerëz u larguan nga shtëpite pas tërmetit që u pasua me pasgoditje të shumta, ndërkohë që shumë të tjere kanë kaluar natën në makina.
Lëkundja e nëntokës italiane vjen pas tërmetit shkatërrimtar 6.4 që goditi bregdetin e Durrësit mëngjesin e 26 nëntorit i cili shkaktoi 51 viktima, mbi 900 të plagosur, ndërsa mijëra shtëpi u shkatërruan.