Nuk ka nevojë të përdorësh filozofinë për të kuptuar se po përhapet një gjuhë e pushtetit, tipari kryesor i të cilës është përzierja dhe ngatërrimi i realitetit dhe të vërtetës. Një përzierje e paprecedentë, ku sigurisht fjala “gënjeshtër” është e shtëpisë, por nuk mjafton për të na bërë të kuptojmë se cilët janë vendi dhe kuptimi i “të vërtetës”. Mbi të gjitha duhet vëzhguar se si kjo gjuhë funksionon në “egot” e mëdha të atyre që sot personifikojnë pushtetin politik. Marrim dy shembuj: Donald Trump si shembull global dhe Matteo Salvini, në Itali.
Nga Donald Trumpi kemi mësuar se i pushtetshmi mund të ndërtojë një “sistem të vërtetash paralele” dhe arrin t’ua imponojë atyre që e dëgjojnë. Disa kanë marrë mundimin të numërojnë se sa herë Trumpi ka përmbyllur me një “Më besoni”, pohime publike ku shpallte gjëra që dukshëm binin ndesh me ide që për të janë krejt të zakonshme, si për shembull “nuk jam seksist” apo “nuk kam qenë kurrë racist”. Ajo “më besoni”, ka fuqinë të vendosë një të vërtetë paralele, në krahasim me të vërtetën e pranuar nga të gjithë, mbi bazën e fakteve. Një “e vërtetë tjetër” e në të njëjtën kohë një “realitet tjetër”, që ajo do të pasqyronte.
Çështja është më e ndërlikuar se sa duket, qoftë edhe për faktin se kjo e vërtetë paralele merret seriozisht. “Uashington Post” i ka caktuar Trump-it “katër Pinokë”, domethënë notën maksimale të mundshme si gënjeshtar, por sanksionimi i faktit që ndodhemi përballë një lloj mbreti të gënjeshtarëve nuk të qetëson, dhe të lë me shumë dyshime. Hipoteza e natyrës psikologjike, domethënë që Trump-i nuk e kupton që po gënjen ndërkohë që një gënjeshtër, që të jetë e tillë kërkon një minimum vetëdijësimi mund të vlejë vetëm si një çelës i parë. Për të shkuar më tej, ne duhet të mendojmë se jemi kulturalisht brenda një “regjimi të së vërtetës” (po përdor shprehjen e Michel Foucault), në të cilin pushteti po e transformon lojën normale midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, që ne të gjithë njohim dhe përmes të cilës ne e organizojmë jetën tonë të përditshme, nën vështrimin dashamirës të dijeve shkencore.
Sikur të lejohej të krahasoje gjërat e mëdha me të vogla, siç thoshin latinët, Trump dhe Salvini i përkasin të njëjtës gjatësi vale, mjafton të mendosh për mënyrën se si Salvini u përgjigjet zakonisht pyetjeve më të drejtpërdrejta dhe kritike, me një zhvendosje të bisedës: “Po ju, mendoni se nëse do t’i kisha futur në xhep ato para, do të isha këtu?”, “Pyesni një të tretën e italianëve që votojnë për mua”, ose duke u hedhur në një temë tjetër sikur të mos dëgjojë. Bashkëbiseduesi zhduket, është vetëm një person që dëgjon veten e vet dhe legjitimon kështu miratimin e atyre që jetojnë tashmë, bashkë me të, në fushën e “të vërtetave paralele”.
Ka edhe të tjera të përbashkëta kjo gjuhë e prodhimit të të vërtetave paralele. Eshtë dhuna dhe vulgariteti i zakonshëm. Dhunë në kuptimin e një toni të tepruar autoritar: fjalë shumë të ashpra kundër atyre që vihen në shënjestër, mbi të gjitha fjalë të karakterizuara nga një imponim i llojit “kështu është si them unë!”, që vlen si për miqtë edhe për armiqtë.
Deri këtu jemi në regjistrin e njohur të gjuhës së udhëheqësve absolutë, që e kanë diktuar gjithmonë të vërtetën e tyre pa pranuar kritika e dyshime. Rrëshkitja në vulgaritet është një tipar më pak i njohur: nuk ia ul kreditet, përkundrazi ia forcon përmes një skenari tejet populist në të cilin udhëheqësi (mendojmë për Salvinin) zbret nga piedestali dhe përzihet me popullin e vet, për të ndarë me të vogëlsira verbale.
Edhe më domethënëse është një karakteristikë e tretë që përfshin dhunën dhe vulgaritetin, duke identifikuar gjuhën e të pushtetshmëve në “thejshtësimin”. Në fakt komunikimi, me qëllim arritjen e objektivit të të vërtetës paralele, duhet të jetë sa më i shpejtë dhe i shtrënguar që të jetë e mundur, ndryshe nga bindja që arrihet përmes vërdallosjeve retorike dhe fjalimeve të gjata që i vënë njerëzit në gjumë. Pak gjëra, të përsëritura me pak vëmendje ndaj sintaksës dhe madje edhe ndonjë gabim gramatikor.
Një shembull i kohëve të fundit: kudo në rrjet mund të lexohet mesazhi që Trumpi i kishte dërguar Erdoganit, për t’i kërkuar të mos e ekzagjeronte me ndërhyrjen ushtarake në Turqi. Pa hyrë në vlerësimet politike të atyre dhjetë radhëve, nuk mund të mos mbetesh i shastisur nga gjuha elementare: duken si disa fjali të bëra bashkë nga një analfabet. Ja pra se si këta të pushtetshëm shprehin dhe bëjnë të vlejë “e vërteta” e tyre.
Po ne? Ajo pjesë e jona, në fakt shumica, që nuk e sheh veten në gjuhën e re të të pushtetshmëve dhe dëshiron të mbetet jashtë, si sillet? Nuk mund të supozojmë që jemi tërësisht imunë, edhe po të hidhnim një vështrim kritik në brendësi të jetëve tona të përditshme. Duhet të pyesim veten mbi të gjitha se çfarë garancish kemi që mund të mbetemi jashtë “regjimit të së vërtetës”, që shenjon gjuhën dhe sjelljet e atyre që kanë pushtetin e komunikimit. A jemi të sigurt që nuk jemi të ngatërruar në të dhe që kemi vullnetin kulturor dhe mjetet e afta të mbrohemi prej saj?
Nuk është e lehtë të përgjigjemi po nëse kemi parasysh pajisjet sociale dhe mikrosociale në të cilat merr formë përvoja jonë e përditshme. Pajisja “shkollë”, ashtu si funksionon aktualisht, nuk jep asnjë siguri: nga klasat fillore në ato universitare nyja që mban lidhur pushtetin dhe dijen shihet vetëm rrëshqitazi dhe zakonisht shmanget, duke u dhënë epërsi dijeve të përftuara në mënyrë jokritike.
Rezultati është një ide standarde e aftësisë, që nuk kujdeset për gjuhën (të shkruar dhe të folur), sikur kjo të ishte një çështje dytësore. Fëmijët dhe të rinjtë tërheqin nga universi kompjuterik në dispozicion të tyre, impulse drejt një shkrimi të kontraktuar dhe një gjuhe të folur hibride dhe shumë pak të personalizuar, e cila nuk u siguron një mbrojtje kundër fjalëve të të pushtetshmëve, as edhe ndonjë instrument kritik efikas, për të arritur dhe folur një tjetër gjuhë.
Edhe më shumë, antidotët nuk prodhohen në mjediset familjare; përkundrazi, në të gjitha nivelet e formimit praktika e “së vërtetës paralele” shpërblehet, për t’ia kundërvënë të vërtetës zhgënjyese të fakteve. Çfarë duhet të mësojnë prindërit, në një kuptim kritik dhe vetë-kritik, dhe çfarë “loje e së vërtetës” mësohet nga prindërit tanë, kur familja zgjerohet me miqësi dhe kontakte të mëtejshme? Eshtë një pyetje që të paktën na fton të jemi perpleksë, sepse ne e dimë mirë që rruga e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve shoqërore është bërë shumë e ngushtë, ndërsa ajo që çon në një ide egoiste të vetvetes, dhe në një gjuhë që vjen si pasojë e kësaj, është një autostradë me shumë korsi. Dhe, për fat të keq, egosaurët e vegjël rriten e rriten. ( L’Espresso – bota.al)