Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar edhe për dy të vdekur nga koronavirusi. Viktimat janë njëri nga Shkupi i moshës 25 vjeç, i sëmurë me sindromën Down dhe një tjetër i moshës 36-vjeçare nga Gostivari, që vuante nga mbipesha.
Numri i të vdekurave nga koronavirusi ka arritur në 59, shumica nga Shkupi, Kumanova dhe Struga.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 41 persona të infektuar me koronavirus nga 728 teste të kryera në 24-orët e fundit. Numri më i madh i të infektuar gjithsej 17 është regjistruar në Shkup, që mbetet edhe qyteti më numrin më të madh të të sëmurëve me COVID-19.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1,367 persona ndërsa prej tyre 374 persona janë shëruar.
Që nga paraqitja e virusit, në Maqedoninë e Veriut janë kryer 14,758 teste.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat për kufizimin e lëvizjeve, ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e maskave në vendet publike, si mundësi e vetme për mbrojtje nga përhapja e virusit.
Ora policore të dielën ka nisur në orën 15:00 dhe do të zgjasë deri në të hënën në orën 05:00.