Vendimi i Suedisë për të mos ndjekur një bllokim të rreptë njësoj si vendet e tjera europiane normalisht që tërhoqi vëmendje ndërkombëtare dhe sigurisht u shoqërua me polemika.
“Unë nuk mendoj se dikush është i sigurt për ndonjë strategji, sepse të gjithë po përballemi me diçka të panjohur,” tha për CNBC Anders Tegnell, epidemiologu shtetëror i Suedisë. “Nga ana tjetër, duket se gjërat po funksionojnë. Ne e kemi kaluar kulmin, jemi në gjendje ta trajtojmë situatën, kemi shtretër shtesë nëpër spitale dhe ata që duhet të trajtohen janë trajtuar.”
Tegnell shtoi se përvoja e Suedisë tregoi se “shkollat mund të mbahen hapur”. “Kjo gjë nuk ka shkaktuar fare probleme. Nëse mund ta mbajmë shoqërinë e paizoluar në mënyrë të arsyeshme, nuk ka efekte të mëdha.”
Teksa shumë vende fqinje mbyllën kufijtë, shkollat, baret dhe bizneset, në të kundërt, qeveria e Suedisë vendosi të ndërmerrte masa këshilluese.
Tegnell u shpreh se numri i të infektuarve dhe të vdekurve është dukshëm në rënie. Suedia ka mbi 23,000 të infektuar dhe pak më shumë se 2,900 të vdekur. Gjysma e viktimave janë të moshuar që jetojnë në azile. Suedia kryen rreth 30,000 teste të koronavirusit në javë, raporton abcnews.al.
“Sigurisht që na vjen keq për viktimat por jemi të paqartë se si mund t’i kishim shmangur. Ne e dimë që këto ambiente janë më të prekshme, por nuk besoj se ndonjë masë e caktuar do të kishte bërë ndonjë ndryshim të madh,” shtoi epidemiologu.
I pyetur nëse Suedia do të ndiqte të njëjtën politikë në një shpërthim të ardhshëm, ai u përgjigj me “më së shumti po”.
“Mendoj që sigurisht mund të bënim më mirë, por me siguri do të përfundonim në të njëjtin vendim,” tha Tegnell, i cili pranoi se mund të ishte bërë më shumë punë në shtëpitë e të moshuarve.
Qeveria suedeze i mëshoi punës nga shtëpia nëse ishte e mundur, shmangies së udhëtimeve jo-thelbësore, ndërkohë që restorantet, baret dhe kafenetë qëndruan të hapura dhe u ndaluan mbledhjet me më shumë se 50 njerëz. Shkollat për nxënësit nën 16 vjeç qëndruan të hapura. E përmbledhur, jeta në Suedi ka vazhduar si më parë, thjesht me më pak ritëm.
Duke i krhasuar me vendet e tjera: Suedia, që ka popullsi prej 10 milionë banorë, ka më shumë vdekje se vendet fqinje: Danimarka 10,281 të infektuar dhe 506 vdekje, Norvegjia 7,996 të infektuar dhe 216 vdekje, Finlanda 5,573 të infektuar dhe 252 vdekje. Mirëpo këto vende kanë popullsi më të vogël, rreth 5 milionë banorë secila.
“Ne i kemi krahasuar masat tona me shumë vende të tjera, por duhet të keni parasysh që vendet e tjera patën bllokime më të rrepta sesa ne,” tha Tegnell që krahasoi Suedinë me Belgjikën, e cila ka një popullsi të ngjashme dhe ka rreth 50,781 të infektuar dhe 8,339 të vdekur.
Tegnell u shpreh se i mirëkupton vendimet e vendeve të tjera, megjithatë imuniteti i tufës dhe masat për të bashkëjetuar me virusin, të paktën për Suedinë, rezultuan të suksesshme.
https://youtu.be/Ha-LPSNT4EE