Shumë amerikanë kanë shprehur habi që rezultatet e zgjedhjeve presidenciale kanë dalë kaq të ngushta, duke pasqyruar një elektorat shumë të përçarë në vend. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee ka folur me votues nga të dyja kahet politike.
Shtetet e Bashkuara, megjithëse një vend i vetëm, kanë një popullatë të ndarë në realitete të ndryshme që dikton edhe preferencat politike.
Një votues që ka mbështetur zotin Biden shprehet i zhgënjyer nga klima politike:
“Ndjehem i neveritur. Nuk e njoh më vendin tim. Mendoj se Donald Trumpi e shkatërroi,” thotë votuesi Jeff.
Beth Jordan mbështet zotin Trump.
“Presidenti përmirësoi ekonominë, mendoj unë. Vlera e investimeve të mia në bursë është rritur. Më janë rritur të ardhurat dhe vlera e aksioneve,” thotë votuesja Beth Jordan.
Këto pikëpamje të ndryshme reflektojnë përçarjen e thellë në vend. Michael Alvarez është pedagog në Institutin e Kalifornisë për Teknologji.
“Jemi të përçarë në vija partiake dhe ideologjike. Jemi të përçarë në shumë tema sociale e ekonomike. Jemi të përçarë në opinionet dhe reagimet ndaj pandemisë,” thotë politologu Alvarez.
Zgjedhjet nuk sollën një “dallgë blu” siç kishin shpresuar demokratët. Anketat para zgjedhjeve kishin treguar epërsi të zotit Biden në Florida, por pas votimeve Presidenti Trump doli fitues.
Përse nuk bënë parashikime të sakta anketat?
“Ka shumë mundësi që në kushtet e pandemisë, hamendësitë për mënyrat më të mira për të kontaktuar votuesit dhe analiza statistikore e të dhënave mund të jenë bazuar në sistem të gabuar,” thotë zoti Alvarez.
Fushata e zotit Biden u përqëndrua tek kritikat ndaj reagimit të administratës kundër pandemisë. Gara e ngushtë tregon se demokratët mund të kenë nënvlerësuar rëndësinë e temave të tjera që nxitën përkrahje për zotin Trump.
“Përkrahësit e Presidentit Trump ndjehen të injoruar. Ndjehen se ata dhe familjet e tyre janë përjashtuar nga mundësi ekonomike. Mendoj se kjo pakënaqësi u shfrytëzua me sukses nga zoti Trump dhe nuk mendoj se ka ndryshuar që nga viti 2016, por mund të jetë thelluar,” thotë zoti Alvarez.
Gara e ngushtë reflekton edhe ndryshimet demografike në Shtetet e Bashkuara:
“Sipas mendimit tim, mbështetja e parashikuar nga afrikano-amerikanët dhe segmente të tjera për demokratët nuk është më e garantuar. Mendoj se demokratët duhet të punojnë shumë që të fitojnë çdo votë të afrikano-amerikanëve dhe latino-amerikanëve,” thotë zoti Alvarez.
Tracy Hinson nga shteti i zotit Biden, Delauer, votoi për Presidentin Trump.
“Nuk kam parë shumë entuziazëm për Joe Bidenin,” thotë ajo.
Përkrahësja e zotit Biden, Beth Jobson thotë se kërkon ndryshim dhe largim nga klima e acaruar dhe e përçarë politike.
“Lutem që të shërohet vendi, që të bashkohemi dhe të ulemi e të bisedojmë me të gjitha palët,” thotë zonja Jobson.
Presidenti i ardhshëm do të përballet me një pandemi që vazhdon prej muajsh, me problemet ekonomike që shkaktoi ajo, ndërkohë që përpiqet të udhëheqë vendin.