Është mbyllur në barazim 1-1 super ndeshja e javës së tetë të Premier League mes Manchester City-t dhe Liverpool-it.
Ndeshja e luajtur në Etihad Stadium është zhbllokuar në minutën e 13-të me një penallti të Mohamed Salah.
Egjiptiani ka shënuar tetë gola për Liverpool-in në këtë kampionat; asnjë lojtar tjetër nuk ka shënuar më shumë për Të Kuqtë në tetë ndeshjet e para të kampionatit, po aq sa Fernando Torres në sezonin 2009-10 dhe Robbie Fowler në 1995-96.
Kundërpërgjigja e City-t ka ardhur në minutën e 31-të me një gol magjik të Gabriel Jesus. Skuadra e Pep Guardiola ka patur një mundësi për të përmbysur rezultatin në minutën e 42-të, por penalltia e goditur nga De Bruyne ka përfunduar jashtë.
Një mundësi e humbur për City-n që t’i afrohej kreut. Citizens mban vendin e 11-të me 12 pikë, ndërsa Liverpool ka zbritur në të tretin me 17 pikë.
Një barazim ky që lumturon Leicester-in, që ruan kreun e Premier League të arritur sot pas fitores 1-0 të marrë në shtëpi kundër Wolves.