Megjithatë presidenti Trump nuk po jep shenja se do ta pranojë humbjen. Edhe pse mbështetësit e Presidentit Donald Trump marshuan në kryeqytetin e Xhorxhias, Atlanta në fillim të kësaj jave, për të kërkuar hetim rreth pretendimeve për mashtrim zgjedhor, zyrtarët riafirmuan dje se Joe Biden ka fituar në këtë shtet pas rinumërimit të votave. Ky ishte rinumërimi me përmasat më të mëdha në historinë amerikane.
“Shifrat pasqyrojnë verdiktin e popullit, jo një vendim nga zyra e sekretarit të shtetit, ose gjykatat, apo nga njëra prej fushatave,” tha Brad Raffensperger, Sekretar i Shtetit i Xhorxhias.
Ndërkohë fushata e zotit Trump vazhdon të pretendojë se zgjedhjet u manipuluan. “Ky mund të ketë qenë një Mickey Mouse, një person i vdekur,” tha avokati i presidentit, Rudi Juliani, duke përsëritur një pretendim të presidentit, i cili të premten shtoi një akuzë tjetër: se kompanitë farmaceutike e vonuan njoftimin për vaksinën kundër COVID-it, duke e lënë ta bënin pas zgjedhjeve, një pretendim që kompanitë e kanë mohuar.
“Ne patëm kundër korporatat farmaceutike, patëm median. Ne patëm kundër kompanitë e mëdha teknologjike. Pati shumë pandershmëri kundër nesh,” tha Presidenti Trump. “Strategjia e tij është njëlloj si ajo e katër viteve të qeverisjes – nëse nuk e thotë ai, nuk është e vërtetë. Pra, ashtu siç kishim lajme të rreme, tani kemi zgjedhje të rreme. Ai po përpiqet të hedhë dyshime mbi këtë institucion, ashtu siç bëri me mediat,” thotë Vanessa Beasley e Universitetit Vanderbilt.
Ekipi ligjor i zotit Trump nuk ka arritur të japë prova për mashtrim me votave, një fakt që ekipi i zotit Biden e thekson vazhdimisht. “Fushata e zotit Trump dhe aleatët e tyre kanë humbur 28 padi gjyqësore që nga dita e zgjedhjeve,” thotë avokati Bob Bauer, i ekipit të zotit Biden. Pas dështimit në gjykata, ekipi i zotit Trump ka hedhur idenë se legjislaturat e shteteve të kontrolluara nga republikanët duhet të mos pranojnë fitoren e zotit Biden dhe të caktojnë elektorë që të votojnë për Presidentin Trump. Kjo manovër nuk ka gjasa të ketë sukses, por mund të ketë dëmtuar tashmë legjitimitetin e sistemit zgjedhor.
“Rezultati i këtyre përpjekjeve nuk është se do të kemi një inaugurim të dytë të Presidentit Trump më 20 Janar, por do të kemi dhjetëra miliona amerikanë që janë të bindur se zoti Biden mashtroi në zgjedhje apo që politika jonë është e kalbur,” thotë William Howell i Universitetit të Çikagos.
Në një sondazh të kryer nga kompania Morning Consult në fund të tetorit, 70% e republikanëve thoshin se rezultatet e zgjedhjeve do të ishin të besueshme. Në mes të nëntorit, kjo shifër ra në 27%. Dyzet e pesë përqind e republikanëve thonë se zoti Trump duhet të pranojë humbjen nëse nuk mund t’i mbështesë me fakte pretendimet për mashtrim, ndërsa 27% thonë se ai nuk duhet ta pranojë humbjen në asnjë rrethanë./VOA