Gati të gjitha mediat zvicerane shkruajnë ditët e fundit në lidhje me numrin në rritje të rasteve dhe për pacientët e hospitalizuar që janë infektuar me virusin COVID-19, të cilët janë kthyer kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku ishin për pushime. Këto të dhëna janë bërë publike të paktën nga Task Forca për pandeminë në Zvicër.
Ndaj këtyre vlerësimeve nuk kanë munguar reagimet dhe arsyetimet e politikanëve dhe specialistëve mjekësorë të këtushëm shqiptarë. Më e ashpër ka qenë Qendresa Sadriu, deputete në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut.
Ajo thotë për albinfo.ch se nuk mund të jetë përgjegjës vetëm një komunitet i caktuar për situatën e krijuar në Zvicër.
“Zvicra është njëra nga vendet me nivelin më të ulët të njerëzve plotësisht të vaksinuar. Nuk mund të jetë përgjegjës vetëm një komunitet i caktuar. Sipas mendimit tim, politika në përgjithësi është përgjegjëse në pjesën më të madhe dhe ne duhet të sensibilizojmë dhe t’i motivojmë njerëzit që të vaksinohen dhe të respektojnë masat mbrojtëse”, thotë për albinfo.ch politikania shqiptare, duke bërë thirrje që të rishqyrtohen masat mbrojtëse përsëri dhe niveli i respektimit të tyre.
“Duhet të kthehemi në normalitet dhe ne mund ta bëjmë atë vetëm nëse punojmë së bashku dhe secili të kontribuojë në këtë drejtim. Pra, a janë vetëm shqiptarët problemi kryesor i këtushëm? Jo, sigurisht që jo! Por një problem që prek shoqërinë në tërësi”, thotë Sadriu.
Ajo kërkon nga bashkëkombësit e saj që të shohin qartë përgjegjësinë e tyre në Zvicër, që e përfaqësojmë ose kanë ndikim në çfarëdo mënyre (politika, sporti, muzika, shkenca, mjekësia etj.)
“Duhet ta bëjmë të qartë rolin tonë në mobilizimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit. Në të njëjtën kohë, organet e ndryshme shtetërore duhet të punojnë më mirë së bashku”, thotë politikania shqiptare, duke bërë thirrje për vaksinim.
Politikania shqiptare për këtë temë kishte folur gjatë ditës së mërkurë në një intervistë edhe për televizionin zviceran SRF.