Presidenti amerikan Joe Biden po i përgjigjet “dhëmbë për dhëmbë” Rusisë. Gjatë një konference për shtyp Biden njoftoi se ai ka autorizuar lëvizje shtesë të forcave dhe pajisjeve ushtarake amerikane në Evropë për të “forcuar” aleatët balltikë në Estoni, Letoni dhe Lituani, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat në dy rajone separatiste të Ukrainës.
“Sot, në përgjigje të pranimit të Rusisë se nuk do të tërheqë forcat e saj nga Bjellorusia, unë kam autorizuar lëvizje shtesë të forcave dhe pajisjeve amerikane, tashmë të stacionuara në Evropë për të forcuar aleatët tanë baltikë: Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë,” -tha Biden.
Biden tha se donte të ishte i qartë se këto janë lëvizje krejtësisht mbrojtëse nga ana e SHBA.
“Ne nuk kemi ndërmend të luftojmë Rusinë. Megjithatë, ne duam të dërgojmë një mesazh të pagabueshëm: se Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët tanë do të mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Dhe respektoni angazhimet që kemi marrë ndaj NATO-s”, shtoi Biden.
Presidenti i SHBA gjithashtu vuri në dukje se nëse Rusia “vazhdon agresionin e saj”, mund të pasojnë sanksione shtesë./abcnews.al