Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se Ukraina dhe mbështetësit e saj do të përballen me një dimër të ashpër në muajt e ardhshëm, por ai i kërkoi qytetarëve në vendet perëndimore të mbajnë besim në përpjekjet e tyre, duke thënë se lufta është në një pikë kritike pasi Rusia humbet një pjesë të territorit.
“Ne duhet të paktën të përgatitemi për këtë dimër, sepse nuk ka asnjë shenjë që Rusia të heqë dorë nga qëllimi i saj për të marrë kontrollin e Ukrainës”, tha Stoltenberg për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Ndërsa Ukraina ka kërkuar armë dhe municion, ajo tani ka nevojë për pajisje dimërore.
“Dimri po vjen dhe dimri do të jetë i vështirë në fushën e betejës në Ukrainë. Ne e dimë se madhësia e ushtrisë ukrainase tani është afërsisht tre herë më e madhe se ajo që ishte dimrin e kaluar”, tha Stoltenberg.
“Ata kanë nevojë urgjente për më shumë uniforma dimërore, për gjeneratorë që krijojnë energji elektrike, ngrohtësi dhe sigurisht tenda dhe gjëra të tjera që mund t’i ndihmojnë gjatë dimrit”, tha ai. /abcnews.al