Një i ri pakistanez u dënua me vdekje për krijimin e fotografive dhe videove që përmbanin fjalë poshtëruese kundër profetit Muhamed dhe grave të tij.
Një student 22-vjeçar u dënua me vdekje këtë javë në Pakistan me akuzën për blasfemi përmes mesazheve në WhatsApp.
Sipas raportimeve , një gjykatë në provincën Punjab deklaroi se i dënuari krijoi fotografi dhe video blasfemuese që përmbanin fjalë poshtëruese kundër profetit Muhamed dhe grave të tij, me qëllimin për të fyer ndjenjat fetare të besimtarëve myslimanë.
Në të njëjtin rast, një tjetër 17-vjeçar u dënua me burgim të përjetshëm për ndarjen e materialit . Gjykata nuk ia dha dënimin me vdekje sepse konsideronte se ishte i mitur.
Veprimi ndaj të akuzuarit është ndërmarrë pasi njësia e krimeve kibernetike e Agjencisë Federale të Hetimit të Pakistanit në qytetin e Lahore ka paraqitur një ankesë në vitin 2022. Ankuesi ka pohuar se i kishte marrë videot dhe fotografitë nga tre numra celularë të ndryshëm.
Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës pretenduan se klientët e tyre ishin ” të bllokuar në një rast të rremë “. Ndërsa babai i të dënuarit me vdekje, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur, ai bëri të ditur se do të bëjë ankim në Gjykatën e Lartë të Lahores.
Blasfemia si krim u përfshi në ligjin pakistanez në vitet 1980 dhe parashikon dënimin me vdekje si dënimin maksimal për fyerjen e fesë ose të profetit Muhamed. Që atëherë, disa njerëz kanë vdekur në duart e grupeve të ndryshme përpara se rastet e tyre të kenë një zgjidhje gjyqësore./TetovaNews