Mbrëmë në Nju Jork mbajti mbledhje kryesia më e ngushtë e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane të udhëhequr nga kryetari i saj Joe DioGuardi dhe Shirley DioGuardi. Tema kryesore e këtij takimi ishte çështja shqiptare në Maqedoni, sidomos të drejtat e shqiptarëve dhe zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me emrin dhe që duhet të reflektojnë karakterin multietnik të këtij shteti apo elementin e barazisë midis dy komuniteteve më të mëdha sllavomaqedonasve dhe shqiptarëve, informon INA.
Takimi kishte si jubilee 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe 30 vjetorin e LQSHA, ku u ndanë mirënjohje për përfaqësuesit e bordit për kontributin e tyre për pavarësinë e Kosovës dhe gjithë angazhimin e LQSHA në trojet shqiptare në Ballkan. Të pranishëm ishin Faton Bislimi, zv/ministri i jashtëm i Kosovës, Besnik Hoti, Mamut Skenderi, Nazim Alimi, Destan Aliu, por edhe u theksua kontributi i Ramazan Ajdini nga dega në Wisconsin, por që mungoi në këtë takim. Çështja e pazgjidhur shqiptare në Maqedoni ishte fokusi kryesor gjatë takimit dhe darkës së punës të përfaqësuesve të lartë të LQSHA.