Ballina Bota Betohet udhëheqësi i ri katalanas: Vazhdoj betejën për pavarësi!

Betohet udhëheqësi i ri katalanas: Vazhdoj betejën për pavarësi!

Parlamenti katalanas ka zgjedhur udhëheqësin e ri separatist, i cili është betuar nën zotimin se do të vazhdojë betejën e rajonit të pasur verilindor për pavarësi nga Spanja.

Deputetët katalanas zgjodhën 55-vjeçarin Quim Torra si presidentin e ri të rajonit, pavarësisht një votimi tejet të ngushtë, me vetëm një votë pro më shumë: 66 në favor e 65 kundër.

Votimi ishte bllokuar për afro 5 muaj, e megjithatë, mbetet ende e paqartë se kur do ta heqë Spanja “sundimin e drejtpërdrejtë” të vendosur mbi Katalonjën që pas rrëzimit të Carles Puigdemontit, pasi ky i fundit shpalli njëanshmërisht pavarësinë e rajonit.

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, pa theksuar nëse e mirëpret apo do ta “luftojë” udhëheqësin e ri, gjithsesi është vetofruar për bisedime me Torrën.

Rajoni tejet i pasur verilindor ka qenë nën qeverisjen e drejtpërdrejtë të Madridit, që kur separatistët katalanas zhvilluan një referendum kontrovers në tetor të vitit të kaluar, e më pas shpallën pavarësinë në mënyrë të njëanshme, një lëvizje e konsideruar si e jashtëligjshme nga Spanja.

Udhëheqësi separatist i asaj kohe, Puigdemont, si dhe 5 aleatët më të ngushtë të tij u larguan nga Spanja gjatë goditjes masive që policia spanjolle u dha separatistëve, e tashmë mbeten në ekzil të vetimponuar. Ndërsa 4 prej politikanëve më të lartë të rajonit vijojnë të mbahen në paraburgim.

Në total, 25 persona përballen me akuzat e rebelimit, nxitjes së trazirave dhe korrupsionit.

Duke folur përpara Parlamentit, këtë të hënë, Torra tha se “Carles Puigdemont mbetet presidenti ynë”. Ai shtoi se mund të vijojë me “implementimin e mandatit të fituar nga referendumi i tetorit”, ndërsa u shpreh se qeveria e re katalanase “duhet krijuar në një shtet të pavarur, në formën e Republikës”.

Kreu Unionistëve, Ines Arrimadas, pjesë e partisë që kundërshton pavarësinë “Ciudadanos” e quajti presidentin e ri Torra si “një vegël e Puigdemontit”.

Puigdemont e nominoi Quim Torrën të enjten e kaluar si kandidat për president të Katalonjës, përmes një videoje të transmetuar nga Berlini, ku jeton në ekzil.

Torra është kritikuar nga kundërshtarët e tij për shkrimin e një artikulli të vitit 2012, që shumëkush e quan nxitës, në të cilin ai shprehej se disa katalanas me prejardhje spanjishtfolëse ishin “kafshë me fytyrë njeriu që vjellin vetëm urrejtje”.

Përpara se të hynte në politikë, në radhët e grupit të shoqërisë civile pro pavarësisë “Omnium Cultural”, Torra ka punuar si shef ekzekutiv i një kompanie shumëkombëshe sigurimesh, ndërsa drejtonte edhe një shtëpi botuese dedikuar punëve që kanë të bëjnë me letërsinë dhe gazetarinë katalanase./sn/

@tn.lajmelokale
@tetovanews