Ballina Bota Donald Trump konfirmon pagesën 130 mijë dollarëshe, për pornostaren

Donald Trump konfirmon pagesën 130 mijë dollarëshe, për pornostaren

Presidenti i SHBA, Donald Trump konfirmoi të enjten pagesën e një shume prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, pak para zgjedhjeve të vitit 2016 lidhur me akuzat rreth një çështje dhjetëvjeçare me të. Presidenti tha ndërkohë se pagesa nuk përfshinte fonde të fushatës.

Presidenti Trump pohoi se ka rimbursuar avokatin e tij personal, Michael Cohen, në formë pagesash mujore, pasi zoti Cohen kishte paguar aktoren e filmave për të rritur që ajo të mos fliste rreth pretendimeve se kishte kaluar një natë me zotin Trump në vitin 2006.

Sipas aktores Stormy Daniels, bëhej fjalë për një natë në një hotel të Nevadës, disa muaj pasi bashkëshortja e zotit Trump kishte lindur djalin e tyre.

Në një varg komentesh në Twitter, Presidenti shkruante sot se paratë e paguara për zotin Cohen ishin “jo nga fushata” dhe nuk kishin “fare lidhje me fushatën”.

Sipas presidentit Trump, marrëveshja e arritur me 39-vjeçaren Daniels për të mos folur rreth çështjes është “diçka shumë e zakonshme midis njerëzve të famshëm dhe të pasur”. Ai shtoi se kjo do të përdorej në arbitrazh për të kërkuar dëmshpërblim nga zonja Daniels, pasi javët e fundit ajo ka dhënë intervista në media.

Nga ana e saj, zonja Daniels ka thënë se marrëveshja nuk është e vlefshme sepse nuk është nënshkruar nga zoti Trump.

Një nga avokatët e zotit Trump, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, ishte i pari që zbuloi për mediat se zoti Trump e kishte rimbursuar avokatin e tij privat Cohen.

Zoti Giuliani tha gjithashtu sot se pagesa për zonjën Daniels që ajo të mos fliste erdhi në një moment delikat në fushatën e kandidatit Trump, pak para zgjedhjeve të 8 Nëntorit 2016 kundër rivales demokrate Hillary Clinton. “Cohen bëri punën e tij,” tha zoti Giuliani.

Konfirmimi i Presidentit Trump për rimbursimin e zotit Cohen bie në kundërshtim me komentet e bëra më parë prej tij në lidhje me pagesën.

Një muaj më parë, në një intervistë në avionin presidencial, ai mohoi të kishte dijeni për pagesën që Cohen kishte bërë për zonjën Daniels.

“Për këtë duhet të pyesni zotin Michael Cohen, ai është avokati im,” tha në akohë Presidenti Trump.’

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders iu shmang sot një pyetjeje lidhur me mospërputhjen mes pohimit të bërë nga presidenti në avion dhe deklarimeve të zotit Giuliani rreth pagesave të zotit Trump për avokatin e tij Cohen.

@tn.lajmelokale
@tetovanews