Ballina Bota ANALIZA: Çfarë do të ndodhë me Trumpizmin?

ANALIZA: Çfarë do të ndodhë me Trumpizmin?

Nga Yasmeen Serhan, The Atlanic

Që pas largimit nga detyra, Donald Trump është shpallur i pafajshëm në një gjyq të dytë për fajësimin (impeachment), dhe thuhet se po merr në konsideratë themelimin e një partie të re politike, investimin në një aplikacion të mediave sociale dhe ndoshta një tjetër kandidim për në Shtëpinë e Bardhë në presidencialet e vitit 2024.

Në një deklaratë pas shfajësimit të tij nga Senati, Trump e cilësoi gjyqin ndaj tij “një fazë tjetër të gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e vendit tonë”, duke shtuar se “lëvizja jonë historike, patriotike dhe e bukur për ta bërë Amerikën sërish të madhe, sapo ka filluar”.

Ka shumë arsye për t’u besuar fjalëve të Trump. Nëse lëvizjet populiste kanë provuar ndonjë gjë, kjo është fuqia e tyre e mrekullueshme e rezistencës, edhe pasi udhëheqësit e tyre janë larguar nga pushteti, në mënyrë demokratike ose jo.

Nga Berluskonizmi në Itali, tek Peronizmi në Argjentinë, dhe Fuxhimorizmi në Peru, lëvizjet e drejtuara nga personaliteti i liderit zbehen rrallë pasi liderët e tyre kanë lënë detyrën. Madje përballë viktimizimit  real apo të imagjinuar, ata shpesh lulëzojnë.

Atëherë çfarë do të ndodhë me Trumpizmin? Ndërsa këto lëvizje ndryshojnë në ideologji dhe kontekst, ato mund të jenë udhërrëfyese në parashikimin e asaj që do të ndodhë më pas.

Nga udhëheqësit më të shquar populistë të botës, ndoshta askush nuk ka pasur më shumë krahasime me Trumpin sesa ish-kryeministri italian. Silvio Berlusconi ishte Trump para Trump-it:një biznesmen miliarder dhe një personalitet i botës së televizionit, që u ngjit në pushtet duke nisur një lëvizje kundër establishmentit politik, dhe duke u zotuar të përfaqësonte interesat e njerëzve të zakonshëm.

Ndonëse karriera e tij për më shumë se 2 dekada është shoqëruar nga skandale, hetime dhe gjyqe – madje deklaroi në vitin 2009, se është njeriu “më i persekutuar” në histori – ai megjithatë ka mbetur në skenë pavarësisht dorëheqjes së tij si kryeministër në vitin 2011.

Një ndryshim i dukshëm midis Trump dhe Berlusconit, është se ky i fundit i ka humbur zgjedhjet pa incidente.

Sërish, ka elementë të karrierës së gjatë të Berlusconit që Trump mund të tentojë të imitojë, jo vetëm aftësinë e tij për të realizuar rikthime të shumta politike (i fundit i tij, si ligjvënës në Parlamentin Evropian).Por suksesi ndoshta më i madh i Berluskonit, ka qenë aftësia e tij për të ruajtur bazën e tij të mbështetësve besnikë.

Tek ata ai ka krijuar një kult personaliteti, që vazhdon të shihet si një Perëndi. Dhe këtu mund të mbështetet edhe Trump. Pavarësisht kryengritjes e pasoja vdekjeprurëse gjatë muajit të kaluar në Capitol Hill, votuesit republikanë e vlerësojnë ende në shifra të mëdha ish-presidentin.

Për të kuptuar rëndësinë që mund të luajë një bazë elektorale besnikësh, mos shkoni më

larg se Peronizmi. Lëvizja populiste, e cila daton që nga ngjitja në pushtet e ish-presidentit argjentinas Juan Perón në vitet 1940, vazhdon që të jetë forca kryesore politike në vend, edhe më shumë se 4 dekada pas vdekjes së themeluesit të saj.

Suksesi ka të bëjë kryesisht me mënyrën se si Perón erdhi në pushtet, dhe ç’është më e rëndësishmja, se si ai e humbi atë. Ashtu si shumica e figurave populiste, Perón u paraqit si avokat i qytetarëve të zakonshëm dhe në shumë aspekt ishte i tillë.

Përveç zgjerimit të të drejtave të punëtorëve, ai u garantoi grave të drejtën e votës. Por ashtu si populistët e tjerë, Perón u bë gjithnjë e më autoritar gjatë sundimit të tij, duke i burgosur kundërshtarët e tij politik, duke kërcënuar mediat dhe duke kufizuar të drejtat kushtetuese. Në vitin 1955, pas gati një dekadë në pushtet, Perón u rrëzua në një grusht shteti, dhe u dërgua në internim në Spanjë; partia e tij u nxor jashtë ligjit.

Përkrahësit e tij vazhduan të ishin jashtëzakonisht besnikë ndaj tij, aq sa kur demokracia kushtetuese në Argjentinë u rivendos gati dy dekada më vonë, Perón fitoi rizgjedhjet me

një diferencë të madhe. Një pjesë e joshjes së qëndrueshme ndaj tij kishte të bënte me rrethanat në të cilat ai e humbi pushtetin:Mërgimi i tij i detyruar krijoi narrativën e viktimizimit, që “mund të ndihmojë vërtet në forcimin e identiteteve politike”, thotë James Loxton, ekspert i regjimeve autoritare, demokratizimit dhe partive politike në Amerikën Latine.

Një ndjenjë e ngjashme duket se po dominon tek mbështetësit e Trump. Shumica e republikanëve,bien dakord me pretendimet e pabazuara të ish-presidentit se zgjedhjet e vitit 2020 iu vodhën nga demokratët. Sondazhet e fundit, tregojnë se ai është sërish i preferuari republikanë për të garuar në vitin 2024.

Pavarësisht nëse Trump rikandidon apo jo, është e sigurt që Trumpizmi si lëvizje, do të ndikojë në ato zgjedhje. Në fakt, një numër bashkëpunëtorësh të Trump – mes tyre senatori republikan Josh Hawley, ish-ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, dhe ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, po mendojnë seriozisht që të pasojnë ish-presidentin.

Nëse ata do të njihen si kandidatë “Trumpistë”, lëvizja mund të marrë një cilësi Peroniste: një lëvizje shumë mobilizuese, shumë polarizuese dhe shumë e qëndrueshme. Një lëvizje tjetër populiste që ka rezistuar shumë kohë pas emrit të saj është Fuxhimorizmit. Ajo është emërtuar sipas presidentit peruan Alberto Fujimori, sundimi autoritar i të cilit përfundoi në një skandal korrupsioni në vitin 2001.

Por ndryshe nga Peronizmi, Fuxhimorizmit ka mbetur kryesisht brenda familjes:fëmijët e Fujimori, Keiko dhe Kenji, kryesojnë fraksione rivale të lëvizjes, edhe pse asnjëri nuk ka arritur të pasojë babanë e tij në presidencë. Teksa disa nga fëmijët e Trump dhe familja e tij e shohin veten nëpolitike, ka të ngjarë që Trumpizmi të ngjajë më shumë me Fuxhimorizmin sesa Peronizmin.

Gjithsesi,tek e fundit çfarëdo modeli që të ndjekë Trumpizmi – qoftë Berluskonizmin, Peronizmin, Fuxhimorizmin, një kombinim të të triave, apo aspak – është pranuar gjerësisht se lëvizja do të vazhdojë të ekzistojë në një formë. /Përktheu: Alket Goce-abc

@tn.lajmelokale
@tetovanews