E hënë, 20 Shtator, 2021

Një lajm i mirë nga Bashkësia Lokale e fshatit Poroj

Must Read

Të nderuar banorë të Porojit,

Ju njoftojmë se gjashtë pajisje për Oksigjen për personat e sëmurë prej COVID-19 janë dhuruar donacion nga kompania HolzTeam Ibraimi GmbH nga Zvicra për nevojat e banorëve të Porojit.
Duke falenderuar donatorin për këtë përkrahje shumë të madhe, ju informojmë se në rast nevoje për oksigjen për ju ose ndonjë familjar tuajin të drejtoheni tek zyra e bashkësisë lokale ose ambulanta e fshatit Poroj për të marrë në shërbim aparatin e oksigjenit PA PAGESË.

Paisjet gjenden 3 tek bashkësia lokale, 2 tek ambulanta e fshatit dhe 1 në shkollën fillore Gj.K. Skënderbeu.
Urojmë shëndet dhe mbarësi.

Me respekt,
Bashkësia Lokale Poroj

Fshati Poroj gjendet në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut. Ai nga veriu kufizohet me Xhepcishtin, në perëndim me Xhermën, në jug me qytetin e Tetoves. Poroj me sipërfaqe prej 25 km² shtrihet në pjesën e poshtme të fushës së Pollogut dhe është i rrethuar nga Malin Sharr, me një lartësi mbidetare prej 460–500 m. Klima mesatare kontinentale me temperaturë mesatare vjetore reth 11,6 °C. Në Poroj jetojnë afër 3000 banorë, nga të cilët 100 % shqiptarë, – ky është një përshkrim në hyrjen e prezantimit të këtij fshati në Wikipedia, enciklopedia më e madhe online.

Si shumë fshatra të tjerë shqiptarë, edhe Poroji është shumë i pranishëm në rrjetin social, me faqe e grupe në facebook, me shumë video të publikuara në Youtube, por edhe në rrjetet e tjera sociale. Edhe numri i madh i bizneseve në këtë fshat i kushtojnë shumë rëndësi publicitetit dhe kanë faqet e tyre në facebook, kanalet e tyre në YouTube, por janë të pranishëm edhe në Instagram dhe rrjete të tjera sociale. Materialet për Porojin publikohen nga banorët e këtij fshati, të atyre që jetojnë aty, por edhe të atyre që janë shpërngulur, ose punojnë në vende të ndryshme të botës. Publikime bëhen edhe nga mediat dhe vizitorët e këtij fshati.

POROJ – Faqja Zyrtare është një faqe në facebook që është shumë aktive dhe pasqyron në kohë reale zhvillimet në këtë fshat.Aty mund të gjeni video, foto, informacione, njoftime, lajme për të tashmen dhe të kaluarën e këtij lokaliteti.Kjo faqe, gjatë javës së fundit po sensibilizon mërgimtarët që të përfshihen në regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, duke publikuar lajme, por edhe video me instruksione se si ta bëjnë regjistrimin. Një hapësirë të madhe zënë aktivitetet në fshat për përmirësimin e jetës si pastrimi i borës, krasitja, pastrimi i kanaleve, ndriçimi publik dhe një sërë aksionesh të tjera. Në faqe pasqyrohen edhe aktivitetet e Bashkësisë Lokale të këtij fshati nga ngritja e ndonjë nisme e deri në realizimin e saj.

Faqe të tjera për Porojin:

Shoqata Humanitare Poroj

Poroj, një faqe ku gjithashtu publikohen materiale që pasqyrojnë jetën në këtë lokalitet:

Mujdin Aliu, një faqe që i kushtohet dëshmorit nga ky fshat, Mujdin Aliut:

Wikipedia janë këto të dhëna për lagjet (mëhallat e fshatit):

Ky fshat përbëhet prej tri lagjeve ajo Muhalla e Epërme, Muhalla e Poshtme dhe Muhalla e Teqes si dhe të 11 vëllezërive apo llagapet si; Ngumperet, Xhivget e Llatejnët, Ajvazet, Kurtet, Sinanet, Çerliet, Kukalet, ZoÇt, Mikelet (mikeli emër i krishterë që nuk haset te ortodoksët), ManÇet dhe Nurket etj. Vendemërtimet popullore janë evidente në shprehjet e tyre të përditshmërisë si; vendemërtimet në kodra-male-fusha; SHULLANI, Ledina e Shullanit, Udha e Kishës(që qendet pranë Zabelit të madh kishë e të parëve sipas dëshmive Kisha e Shën Nikollës), Udha e mullejve, Mullejni i Dukës( mulliri i Dukës që ende ka gjurmë), Udha e Xhermës, Udha e rudinave, Udha e shkrepit, Udha e kumllës, Udha e drunit të madh, Udha e Demer Agës, Udha e Ratajës,

Udha e ngusht, Gjurët e bardhë, Gjurët e aroushës, Gjurët e avllit, Gjurët e ngusht, Gjurët e hutve, Gjurishtja, Te livadhet, Gjuri i zi, Rrafsha e poshtme, Rrafsha e epërme, Ara e Endit, Ara e Jonuzit, Ara e kuÇe, Te shkrepi, Prroji i dhelpnës, Te varet uji, Zabeli i madh, Te ftofsena, Shpella e kaÇakve. Kshtejat, e sharrës, Te krepatishta, Lugji i shllejshët, Te blijt, Te mexhet, Te letheja, Hurdha e madhe, Te ledinat, Zabeli i Teqes, Te buÇket, LagaÇet, Te ÇamÇakat, Stërmolli, Çeshmja e Ametit, Te vakafi, Te hamamxhiki, Çeshmja e Seferit, Çeshmja e mënit, Çeshmja temsejës, Te biliktashi, Te drunaveci, Te hajmalia, Te tabashnejca, Përmendorja e Mujdin Aliut, Udha e shkollës, Te xhameja, Shpeja Muze e Universitetit, Sheshi i Univarsitetit, Te shkolla, Te ambullanta, Te teqja, Mullejni i vjetër e shumë e shumë të tjera.

Në vazhdim sjellim të dhëna për Porojin të publikuara nga Ismet Jonuzi-Krosi në gazetën Fakti në vitin 2003:

Rrugës rajonale rrëzë bjeshkëve të thepisura të Malit Sharr afër 5 km. larg Tetovës shtrihet fshati Poroj në lartësi mbidetare prej 500 m. me 5,2 km2, me 250 ha. tokë punuese, 22 ha. kullota dhe 155 ha. pyje që gjithsej ka 437 ha, sipërfaqe agrare. Poroji është i vendosur në formë harku në dalje të një gryke të bukur malore në të dyja anët e një përroi të madh të quajtur edhe si lum i Porojit.

Poroj është vendbanim i lashtë, në historiografi daton që nga mesjeta e saktësisht në vitin 1348 (shih më hollësisht nga autori A. Urosheviç “Sharplaninska zhupa sininiç”-Skopje, saktësisht në faqen 173 përmendet fshati Poroj me po të njëjtin emër), ndërsa në historiografinë e Perandorisë Osmane haset në vitin 1455 me 70 familje, 5 të martuar, 3 vejusha dhe me një pasuri prej 9925 akçë/, si dhe nëpër defterët si në vitin 1452/53 ka pasur 70 familje, 5 të pamartuar dhe 5 vejusha, 1467/68 me 110 familje, 5 të pamartuar dhe 7 vejusha, më 1544/45 ka pasur 18 familje, 4 të pamartuar dhe 7 vejusha si dhe për herë të parë 1 familje të fesë islame, më 1568/69 ka pasur 25 familje, 11 të pamartuar si dhe 7 familje të fesë islame.

Ky lokalitet përmendet në historiografi dhe daton që nga mesjeta e saktësisht në vitin 1348 ( shih më detajisht nga autori A. Urosheviç “Sharplaninska zhupa sininiç”-Skopje, saktësisht në faqen 173 përmendet fshati Poroj me po të njëjtin emër), /pra HIDROLEKSEMA SHQIPE- PËRR/UA, -OI m.sh.-ENJ,-ENJTË, Rrjedhë uji më e vogël se lumi, që zbret nga malet dhe derdhet në një lum a në një liqen; shtrati i kësaj rrjedhe. Përrua i rrëmbyer, Përrua i thatë, PËRRUA që ka ujë zakonisht vetëm kur bie shi, Shtrati i përroit etj, Poroj-poroj-përroj-përro,i-përrue, ku kemi të bëjmë me një asimilim regresiv vokalik o-o~ë-o, jotizim të nyjës së parme –i në j dhe me diftongim të togut zanor ue në o.

Sipas këtij mund të konstatoj se edhe fshatrat si Reçicë e Madhe dhe e Vogël rrënjën e kanë në këtë hidroleksëmë që është shqipe ngase përkon me një kalkim klasik nga PËRRUA në REçICË/, ndërsa në historiografinë e Perandorisë Osmane haset në vitin 1455 me 70 shtëpi, 5 të martuar, 3 vejusha dhe me një pasuri prej 9925 akçë. Ndërsa, në defterin nr.4 të osmanlinjve të shekullit XV përmendet në vitin 1468 me 110 familjeje.

Po ashtu edhe në rrafshin e dëshmive antropologjike hasim të shënuar në dokumentet e shekullit XV- si KOLA, b. ARBANASIT- fsh. Poroj TD 354- viti 1467/68, pra ARBANAS/ARBASH dhe ARNAUT si emër etnik për shqiptarët në mesjetë, të cilin në këtë periudhë në lakadredhat shqiptare të Maqedonisë e hasim me një përdorim shumë të shpeshtë në funksione të ndryshme ANTROPONOMIKE, PATRINOMIKE, ETNONIMIKE dhe TOPONOMIKE, pra hasen një mori emrash personalë në bashkëvajtje me emra kryefamiljarësh, te të cilët përmbahet termi etnik ARBANAS si element i parë (emri i të birit) apo i dytë (i të atit) dhe si element atributiv i përkatësisë etnike si dhe shumë e shumë patronime që përkojnë me këtë fshat. Sipas të dhënave historiografike për historinë e teqeve të anës së Tetovës, përmendet teqeja që daton nga viti 1548 që themelues i saj është Javer Baba që njihet edhe si Teqeja e Porojit gjurmët e së cilës gjenden edhe sot e kësaj diten në anën perëndimore të këtij fshati në kufi me Lagjen Drenoc apo DRUNAVEC.

Banorët e këtij fshati kanë një histori të trazuar e të bujshme si dhe përroi i tyre që u shkakton shqetësime natyrore thuajse çdo vit edhe atë disa herë, siç dihet se vërshimet e vitit 1929 kur janë shembu 10 shtëpi, por përpos përroit, kanë përjetuar edhe shumë e shumë kriza të ndryshme shoqërore, sociale, ekonomike, politike e të ngjashme. Poroji prej vitit 1996 graviton në Komunën e Xhepçishtit, ka 5 këshilltarë komunal të cilët në bashkëpunim me Bashkësinë Vendore i koordinojnë punët në interes të përbashkët, ka mbi 500 shtëpi e afër 3 mijë banorë. Kufizohet nga veriu me masivin e Malit Sharr me territoret e fshatrave Gjermë, Sutolë dhe Jeduarcë, nga perëndimi me qytetin e Tetovës dhe fshatrat Llazë (Llacë) dhe Sellcë (SELCI,SALCI… emër i lashtë ilir), nga jugu me Fushën e Pellgut (Pollogut) me fshatin Trebosh dhe nga jug-lindja me Xhepçishtin që edhe është vështirë ta dallosh kufirin mes këtij fshati me Porojin.

INFRASTRUKTURA

Fshati ka disa rrugë kryesore që lidhen me rrugën rajonale Tetovë-Ferizaj edhe pse shtrirja është më e theksuar mbi rrugën në fjalë që nga dita-ditës është duke marrë trajtën e një vendbanime me elemente bashkëkohore. Në vitin 1985 me vetëkontribut banorët e këtij fshati i kanë shtruar rrugët me bekatone ndërsa dy rrugët kryesore me asfalt, por është evidente se nuk ka të zhvilluar aspak kanalizimin edhe pse siç kuptova se janë duke hartuar projektin ideor për këtë çështje tepër të nevojshme. Uji për pije deri para një dekade i ka përmbushur disi kërkesat e porojasve, ndërsa në dekadën e fundit janë ndërtuar mbi 150 shtëpi të reja dhe kërkesat janë shtuar, por për këtë çështje jetike thonë se është siguruar ujë nga atari i fshatit. Gjermë, Mirëpo, ky ujë nuk është i lejuar për përdorim nga ministritë përkatëse edhe pse banorët e përdorin.

Banorët e këtij lokaliteti njihen si bujq të vyeshëm me produktet, kulturat dhe rendimentet e ndryshme bujqësore në Luginën e Pollogut me çfarë edhe sigurojnë ekzistencën thuajse mbi 50% e banorëve, por, si në të gjitha fshatrat rrëzë Malit Sharr edhe në Poroj blegtoria gjallëron ku aktualisht merren me blegtori tetë familje dhe kanë mbi një mijë kokë dhen. Llogaritet se secila shtëpi ka nga një në mërgim dhe atë në shtetet e ndryshme të Evropës Perëndimore, që japin kontribut të jashtëzakonshëm në shumë projekte konkrete në të mirë të vet fshatit.

Edhe pse ka mbi 4 mijë banorë kuptova se gati 40 familje marrin ndihma sociale, që dukshëm nga dita në ditë zvogëlohet numri konform ligjit të ri. Siç kuptova nga Mahi Murtezani-aktivist që më shoqëroi gjatë qëndrimit në Poroj, ky fshat ka nevoja të shumta. Ndriçimi publik nuk është në gjendje relativisht të mirë dhe se kërkojnë të sanohet. Në rrafshin e elektrifikimit ballafaqohen me mungesën e rrymës elektrike, kanë nevojë dhe kërkesat e zhvillimit teknologjik kërkojnë investime të reja dhe se kanë shpresë se edhe këtë çështja do ta kalojnë në bashkëpunim me elektrodistribucionin.

Poroji ka gjashtë shitoresh, tetë ëmbëltore, një motel-restorant “IRA” dhe disa firma me rentabilitet siç janë fabrika “Nepa pllast”, bukëpjekësi “Tushi”, fabrika e plastikës “Irfa-ronalder, Lisi, Mikeli, Suvafix, Zgjimi, Zgjimi-company, mulliri elektrik”Kokrra e artë”, pompa e benzinës “Studjesa”, qumështorja”Eko-sharr” etj. që ndihmojnë në punësimin dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të fshatit. Poroji ka edhe shkollën fillore tetëvjeçare të përbashkët me fshatin Xhepçisht, xhaminë e cila daton që në mesjetë, por nuk ka të dhëna të sakta, aktualisht imam është Maksut Abazi, ambulancën e shëndetësisë etj.i

FEJA, SHKOLLA DHE SHKOLLIMI

Sipas dokumenteve disponuese zyrte osmane të vitit 1875 ku përafërsisht tregohet gjendja shkollore në Tetovë për vitin 1872/73 në qytet e rrethinë kishta 7 shkolla fillore ose IPTIDAE përkatësisht SABIANE ose private për popullsinë islame ku mësimi mbahej në gjuhën e popullit shtetformues turke ose osmane si dhe 1 shkollë fillore për popullsinë e krishterë slave në gjuhën bullgare…

Tetova në fillim të shekullit XIX kishte 20.000 banorë, ndërsa në rrethinë happen më shumë shkolla fillore private ose sabiane, shtetërore ose iptidae, medrese ose shkolla fetare dhe më vonë edhe një shkollë ruzhdie ose progjimnaz (gjimnaz I ulët)…Në vitin 1875 numri I shkollave në këtë vend është po I njëjtë si në vitin shkollor 1872/73 që duhet theksuar se numri më I madh I këtyre shkollave ishte në qytetin e Tetovës, kurse nëpër fshatra haseshin rrallë ndonjë shkollë…

Në atë kohë diçka më vonë në Tetovë u hapën dhe shkolla fillore shtetëre, të cilat financoheshin nga buxheti shtetëror, shkollat e para shtetërore. Shkollat e para shtetërore u hapën në vitin 1894; shkollat shtetërore të hapura në këtë vit në Tetovë ishin;
Në lagjen “HAXHI ATIK MAHALESI”, me shpenzime vjetore 3.660 groshë;

Në lagjen “KUMLLUK MAHALESI”, me shpenzime vjetore 2.040 groshë dhe
Në lagjen “XHEDIT MAHALESI” , me shpenzime vjetore 2.640 groshë .

Po ashtu një shkollë fillore shtetërore, sipas të dhënave nga Salnameja perandorake e Arsimit për vitin 1899/1900 kishte edhe në lagjen e Teqes e quajtur “TEQE MAHALESI”, me shpenzime vjetore 7.650 groshë.

Në vitin shkollor 1895/96, shkolla të tilla në Tetovë ishin;
Në lagjen “XHEDIT MAHALESI” një shkollë fillore me 60 nxënës, ku arsimtar ishte Hafëz Hasan efendiu;

Në lagjen “XHAMI ATIK MAHALESI” një shkollë fillore me 120 nxënës, ku arsimtar ishte Hafëz Qamil efendiu;

Në lagjen “KYPRI MAHALESI”, një shkollë fillore me 40 nxënës, ku arsimtar ishte Hafëz Hasan efendiu dhe

Në lagjen “SALI ÇELEBI MAHALESI” një shkollë fillore me 150 nxënës, ku arsimtar ishte Hafëz Hysein efendiu. …

Nga mbarimi I dekadës së parafundit e nga fillimi I dekadës së fundit të shekullit XIX në Tetovë e rrethinë punonin 5 shkolla fillore shtetërore të qytetit të Tetovës, ku mësimin e në shkollat fillore shtetërore të Qytetit të Tetovës në atë periudhë mësonin afër 400 nxënës…

Në qytetin e Tetovës si dhe në fshatrat, përveç shkollave fillore shtetërore, kishte dhe një numër të madh shkollash fillore private ose sabiane për djemë e vajza, të cilat, sipas të dhënave zyrtare osmane janë;

Në lagjen “Sahat mahalesi”, pronuar nga shteti në vitin 1884/85, me shpenzime vjetore 600 groshë, që ishte shkollë fillore private;
Në lagjen “Çarshia e Poshtme”, pranuar nga shteti në vitin 1897/98, me shpenzime vjetore 500 groshë, shkollë fillore private;

Në lagjen “Gam-Gam mahalesi”, pranuar nga shteti në vitin 1882/83, me shpenzime vjetore 550 groshë, shkollë fillore private;

Në lagjen “Çarshi mahalesi”, pranuar nga shteti në vitin 1882/83, me shpenzime vjetore 200 groshë, shkollë fillore private;

Në lagjen “Sahat mahalesi”, pranuar nga shteti në vitin 1881/82, me shpenzime vjetore 1.000 groshë, shkollë fillore private;

Në lagjen “Çarshi mahalesi”, pranuar nga shteti në vitin 1889/90, me shpenzime vjetore 900 groshë, shkollë fillore private;

Në lagjen “Gam-Gam mahalesi” një shkollë fillore private për vajzat e pranuar nga shteti në vitin 1890/91, me shpenzime vjetore 850 groshë;

Në fshatin Gjermë, shkollë fillore private, pranuar nga shteti në vitin 1888/89, me shpenzime vjetore 500 groshë;

Në fshatin Poroj, shkollë fillore private, pranuar nga shteti në vitin 1887/88, me shpenzime vjetore 600 groshë;

Në fshatin Tearcë një shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1891/92, me shpenzime vjetore 800 groshë;

Në fshatin Sllatinë një shkollë fillore private e pranuar prej shtetit në vitin 1891/92, me shpenzime vjetore 800 groshë;

Në fshatin Përshevcë një shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1875, me shpenzime vjetore 700 groshë;

Në fshatin Nerasht, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1881/82, me shpenzime vjetore 800 groshë’

Në fshatin Odër, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1889/90, me shpenzime vjetore 600 groshë;

Në fshatin Zhelinë, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1877/78, me shpenzime vjetore 500 groshë;

Në fshatin Caralevë të Dërvenit, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1881/82, me shpenzime vjetore 500 groshë;

Në fshatin Rogle, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1879/80, me shpenzime vjetore 500 groshë;

Në fshatin Sallarevë, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1876/77, me shpenzime vjetore 1.000 groshë;

Në fshatin Çellopek, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1877/78, me shpenzime vjetore 600 groshë;

Në fshatin Vicë, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1888/89, me shpenzime vjetore 800 groshë;

Në fshatin Brodec, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1882/83, me shpenzime vjetore 450 groshë;

Në fshatin Veshallë, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1890/91, me shpenzime vjetore 500 groshë;

Në fshatin Lisec, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1886/87, me shpenzime vjetore 700 groshë;

Në vendin Arabati, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1889/90, me shpenzime vjetore 600 groshë;

Në fshatin Xhepçisht, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1889/90, me shpenzime vjetore 800 groshë;

Në fshatin Pirok, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1887/88, me shpenzime vjetore 1.000 groshë dhe

Në fshatin Urviç, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1884/85, me shpenzime vjetore 850 groshë.

Poroji ka xhaminë që ka luajtur rolin e vet fetar e kombëtar gjatë shekujve, ndërsa në historinë e re të popullit shqiptar njihet se në këtë fshat që është bërë sinonim i simbolit të Universitetit të Tetovës, ngase më 16 shkurt 1995 filluan ligjëratat e para akademike të UT-së dhe atë në lokalet e shkollës për mësime fetare që është në oborrin e xhamisë që sot ka një pllakë përkujtimore si dhe është e botuar një monografi “Poroji-legjendë e Universitetit”. Në këtë fshat ka ekzistuar shkollë që në vitin 1922, por sipas dëshmive faktike shkollat e para laike janë hapur në vitin 1922 në trevën tonë, ndërsa më 1925.

Në vitin 1941/43 hapen masovikisht shkollat e para në gjuhën shqipe dhe atë deri në katër klasë të fillores, në Poroj mësuesit e parë të viteve 1941/1942 kanë qenë Vangjel Daka nga Kavaja, Mufit Sinoimeri nga Elbasani, mësuesit Ibrahimi dhe Sinani nga Shkodra, mësuesja Sadete dhe mësuesi Nexhmedin nga Shkupi. Mësues të parë nga ky fshat janë Ajet Mehmeti, Nazif Kurtishi, Sulejman Sadiku dhe Jahja Sadiku. Më 1961 shkolla fillore e Porojit dhe Xhpçishtit u rrit në tetëvjeçare me mësim të obligueshëm.

Femra e parë që e kreu shkollimin e mesëm në Poroj ka qenë Nadie Nuri Hasani, kurse fakultetin e para e ka kryer Ferizate Daut Halili. Shkolla fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ku sot mësimin e vijojnë 1081 nxënës nga Poroji dhe Xhepçishti në 38 paralele si dhe kanë dy paralele parashkollore me 96 vogëlushë. Prej vitit 1943 deri më 1968 shkolla e ka pasur emrin “LIRIA, ndërsa me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në vitin 1968 ia vënë emrin SKËNDERBEU serish në vitin 1981, kur pushteti atëhershëm ia ndërroi emrin në LIRIA që në vitin 1992 e deri më sot e ka emrin që i takon Gjergj Kastrioti-Skënderbeu edhe pse gjendjen e kanë të mjerueshme si objekt dhe duhet investuar. Gjithashtu në Poroj KF”Skenderbeu” i cili aktualisht nuk garon është simbol i të rinjve .Pra, sot ka mjaft të rinj e të reja me shkollë të mesme dhe me fakultete si dhe shumë studentë si në UT e gjetiu.

KRENARIA E POROJASVE

Në rrafshin e çështjes kombëtare të cilët kanë dhënë personalitete me nam gjatë historisë që porojasit nuk lejuan të asimilohen e assesi të lejojnë spastrimin etnik duke filluar nga romakët, bizantinët, sllavo-serbët, osmanlinjtë, bullgarët, Serbisë së shekullit të kaluar e deri më 2001, por sunduesit lanë eshtrat në këto treve e veçmas ne Porojin legjendar, prandaj, lavdia, krenaria, trimëria është porosi e shenjtë e të parëve që porojasit e dëshmuan se si mbrohet atdheu, gjuha e flamuri ynë kombëtar. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane banorët e Porojit gjithmonë kanë qenë të organizuar në forma të ndryshme duke bërë rezistencë vetëmbrojtëse që dëshmojnë njerëz me nam si bylikbash, çaush, imamë etj, ku përmendin Haxhi Osman Ali Efendiu, Nuredin Bylikbashi-MIXHA NURË, Halit Aga Kamberi Bylikbashi, Aliman Iljaz Çaushi, Sadik Kurtish Çaushi, Neim Selman Çaushi, Hasip Ahmet Çaushi, Qamil Nuhi Çaushi, Halit Bajram Çaushi, Maksut Abaz Çaushi e shumë të tjerë.

Si dhe në të gjitha luftërat tek ne në Maqedoni, Kosovë (që simbol është luftëtari i Koshares 1999 që sot ka përmendoren në qendër të fshatit Mujdin Aliu), e Shqipëri që kanë pasur me dhjetëra trima e në veçanti në luftën e vitit 2001 ku me qindra ishin luftëtarë me komandant Rexhep Dauti -LEKA, edhe pse ka 12 viktima civile të vrarë nga granatimet e ushtrisë e polocisë sllavo-maqedonase dhe tre dëshmorë të UÇK-së Nexhbedin Sulejmani, Selman Nuhiu dhe Dashmir Mustafai.

Në kujtesën kolektive jetojnë të gjalla rrëfimet prej luftës së kryengritjes së Dërvish Carës 1843, kryengritja e Manastirit, më 1912 me komandant Halim Pashë Tetovën që me mbi 4000 ushtarë çliruan Shkupin. Më 1913 në Frontin e Dervenit kanë luftuar kundër ushtrisë serbe ku prej 6000 ushtarëve ka pasur shumë nga Poroji, më 1915 në kryengritjen e Pellgut (Pollogut) e cila zgjati dy muaj, në luftën kundër ushtrisë bullgare ku me mburrje e përkujtojnë Rexhë Bajramin i njohur si axha Rexhë si dhe femrën shqiptare nga Poroji Fatime Haziri-Zendeli.

Në Luftën e Dytë Botërore, kur bullgarët deshën ta pushtojnë qytetin e Tetovës, tetovarët e udhëhequr nga tribuni popullor Abaz Efendiu, i mposhtën armiqtë ku përmenden trimat e Porojit si; Havuz Neshati, Havzi Sulejmani, Mexhit Sulejmani, Berzat Jonuzi, Sheip Mehmeti, Taip Ibrahimi, Osman Dauti, Ramiz Aliu e shumë të tjerë, po ashtu edhe me serbët apo siç u thonë në Poroj KËSULËÇAMIT i kanë thyer si e kanë zakon, por u janë mirënjohës malësorëve të Gjermës tek të cilët gjatë shekujve gjithmonë kanë gjetur strehimin për fëmijët, gratë e pleqtë që është një karakteristikë e pashoqe në trevën e Pollogut e më gjerë.

Porojasit kundërshtuan dhe e luftuan me armë në dorë komunizmin serbo-maqedono-sllav gjatë Luftës së Dytë Botërore siç përmenden edhe sot si; Havuz Neshati që më pas u dënua me 18 vjet burg, Xhabir Bexheti i dënuar, Osman Fetahu i dënuar, Veli Veliu, Faik Sulejmani, Shukri Hiseni, Mustafë Asllani etj. Banorët e Porojit dhe Xhepçishtit janë njerëz të aksioneve që dinë të organizohen gjithnjë dhe në çdo çast kur e lyp interesi i kombit e i atdheut, pra nuk ka lëvizje shoqërore, luftë, formim partish, asociacionesh të ndryshme shoqërore, kulturore, politike, humanitare e fetare mos të kenë marrë pjesë porojasit dhe xhepçishtasit madje, ndër të parët në vitin 1990 kur u bë themelimi i partisë së parë pluraliste të shqiptarëve në Maqedoni ajo e PPD-së që në udhëheqjen e saj u emëruan njerëzit nga Poroji, kryetar ishte Nevzat Halili dhe sekretar Rufat Beadini, gjithashtu dekadën e kaluar u formua edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në këto dy fshatra edhe pse për Xhepçishtin do të shkruaj reportazh të veçantë në të ardhmen e afërt në FAFKTI.

TË DHËNAT E FAMILJEVE DHE VENDEMËRTIMET

Ky fshat përbëhet prej tri lagjeve ajo Mëhalla e Epërme, Mëhalla e Poshtme dhe Mëhalla e Teqesë si dhe të 11 vëllezërive apo llagapet si; Ngumperet, Xhivget e Llatejnët, Ajvazet, Kurtet, Sinanet, Çerliet, Kukalet, Zoçt, Mikelet (mikeli emër i krishterë që nuk haset te ortodoksët), Mançet dhe Nurket etj. Vendemërtimet popullore janë evidente në shprehjet e tyre të përditshmërisë si; vendemërtimet në kodra-male-fusha; SHULLANI, Ledina e Shullanit, Udha e Kishës(që gjendet pranë Zabelit të madh kishë e të parëve sipas dëshmive Kisha e Shën Nikollës), Udha e Mullejve, Mullejni i Dukës(mulliri i Dukës që ende ka gjurmë),

Udha e Xhermës, Udha e Rudinave, Udha e Shkrepit, Udha e Kumllës, Udha e Drunit të Madh, Udha e Demer Agës, Udha e Ratajës, Udha e Ngushtë, Gjurët e Bardhë, Gjurët e Aroushës, Gjurët e Avllit, Gjurët e Ngushtë, Gjurët e Hutve, Gjurishtja, Te Livadhet, Gjuri i Zi, Rrafsha e Poshtme, Rrafsha e Epërme, Ara e Endit, Ara e Jonuzit, Ara e Kuçe, Te Shkrepi, Prroji i Dhelpnës, Te varet Uji, Zabeli i Madh, Te Ftofsena, Shpella e Kaçakve. Kshtejat, e Sharrës, Te Krepatishta, Lugji i Shllejshët, Te Blijt, Te Mexhet, Te Letheja, Hurdha e Madhe, Te Ledinat, Zabeli i Teqes, Te Buçket, Lagaçet, Te Çamçakat, Stërmolli, Çeshmja e Ametit, Te Vakafi, Te Hamamxhiki, Çeshmja e Seferit, Çeshmja e Mënit, Çeshmja Temsejës, Te Biliktashi, Te Drunaveci, Te Hajmalia, Te Tabashnejca, Përmendorja e Mujdin Aliut, Udha e Shkollës, Te Xhameja, Shpeja Muze e Universitetit, Sheshi i Univarsitetit, Te Shkolla, Te Ambullanta, Te Teqja, Mullejni i Vjetër e shumë e shumë të tjera.

- Advertisement -spot_img
- Advertisement -spot_img
Latest News

Kosova në situatë të vështirë Covid, rreth 600 pacientë gjenden të shtruar në spital

Shërbimi Spitalor, Klinik e Universitar i Kosovës ka njoftuar se në klinikat Covid-19 të QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme,...
- Advertisement -spot_img

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img