Ballina Bota Lufta e Putinit do ndikojë me siguri mbi ekonominë botërore: Por situata...

Lufta e Putinit do ndikojë me siguri mbi ekonominë botërore: Por situata nuk do jetë katastrofike

Nga Paul Krugman “New York Times

Kur Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainës, mendoj se është e drejtë të thuhet se shumica e analistëve dhe ekspertëve prisnin që ai të triumfonte shumë shpejt. Ushtria e madhe ruse do të pushtonte brenda pak ditësh Kievin dhe qytetet e tjera të mëdha. Perëndimi do të reagonte me ndrojtjen e zakonshme, duke i dhënë Rusisë jo më shumë sesa një shuplakë të vogël në duar.

Në vend të kësaj, ja ku jemi tani pas 2 javësh me Kievin dhe Kharkivin që janë ende në këmbë, dhe me forcat pushtuese ruse të bllokuara nga rezistenca e ashpër ukrainase (e ndihmuar nga një fluks i shpejtë i armëve perëndimore) dhe me problemet logjistike katastrofike.

Në të njëjtën kohë, është tashmë e qartë se sanksionet perëndimore ndaj ekonomisë ruse po shkaktojnë pasoja të rënda, të cilat mund të bëhen edhe më të forta me kalimin e ditëve.

Natyrisht situata mund të ndryshojë:forcat ruse mund të rigrupohen dhe të rifillojnë ofensivën e tyre, dhe qeveritë perëndimore mund të fillojnë t`i heqin sanksionet, për shkak të efekteve negative që kanë edhe vendet e tyre.

Megjithatë tani për tani, Putini po përballet me pasoja shumë më të këqija sesa mund t’i imagjinonte. Fatkeqësisht, përballimi i agresionit rus nuk është pa kosto. Ngjarjet në Ukrainë dhe sidomos në Rusi, do t’i imponojnë kosto serioze ekonomisë botërore. Pyetja është sa serioze?

Përgjigja ime paraprake është se kriza do të jetë e keqe, por jo katastrofike. Në mënyrë të veçantë, lufta e Putinit duket se nuk ka gjasa të jetë po aq e keqe sa kriza e çmimit të naftës që e tronditi ekonominë botërore në vitet 1970. Ashtu si në atë kohë, goditja ndaj ekonomisë botërore po vjen nga çmimet e mallrave.

Rusia është një eksportuese kryesore e naftës dhe gazit natyror. Si Rusia po ashtu edhe Ukraina janë – ose ishin – eksportueset kryesorë të grurit në botë. Pra, lufta ka një ndikim të madh si në çmimet e energjisë po ashtu edhe në çmimet e ushqimeve. Le ta fillojmë analizën nga energjia.

Deri më tani, sanksionet e vendosura nga Evropa kundër Rusisë, nuk po zbatohen për eksportet e naftës dhe gazit. Shtetet e Bashkuara po e ndalin importin e naftës nga Rusia. Por kjo masë e re nuk do të ketë shumë rëndësi, pasi Amerika mund të blejë naftë diku tjetër, por edhe Rusia mund ta shesë diku tjetër naftën e saj.

Megjithatë, tregjet po reagojnë sikur furnizimet do të ndërpriten, ose nga sanksionet e ardhshme apo nga frika e një reagimi publik, kompanitë globale të energjisë po “vetë-sanksionojnë” blerjet e tyre të naftës së papërpunuar ruse.

Kështu kompania Shell, që bleu naftën ruse me ulje çmimi një ditë më parë, ka kërkuar ndjesë publike dhe thotë se nuk do ta bëjë më. Për pasojë, çmimi real i naftës, i rregulluar sipas inflacionit, është rritur thuajse në nivelin që arriti gjatë Revolucionit Iranian në vitin 1979.

Për të qenë i sinqertë, unë jam pak në mëdyshje nga madhësia e rritjes së çmimeve në rastin konkret. Është e vërtetë, që Rusia është një prodhuese e madhe e naftës. Por ajo përbën vetëm rreth 11 për qind të prodhimit botëror, ndërsa prodhuesit e Gjirit Persik nxirrnin 1/3 e naftës botërore në vitet 1970.

Rusia ndoshta do të gjejë mënyrën për të shitur jashtë një pjesë të konsiderueshme të naftës së saj, pavarësisht sanksioneve perëndimore. Për më tepër, ekonomia botërore është shumë më pak e varur nga nafta sesa dikur. Po gazi natyror? Evropa varet nga Rusia për shumicën e sasisë që përdor.

Por konsumi i gazit është shumë sezonal. Prandaj ndikimi i konfliktit,nuk do të jetë aq i madh deri në fund të këtij viti, duke i dhënë Evropës kohë që të marrë masa për ta bërë veten më pak të cenueshme. Shqetësimi im më i madh për Shtetet e Bashkuara, është i natyrës  politike.

Republikanët mund të kërkojnë në të njëjtën kohë që ne të ndalojmë blerjen e naftës ruse, dhe në të njëjtën kohë të sulmojmë presidentin Biden për çmimet e larta të benzinës. Lënë mënjanë politikën, ushqimi mund të jetë në fakt një problem më i madh sesa energjia. Para luftës së Putinit, Rusia dhe Ukraina përbënin së bashku më shumë se një të katërtën e eksporteve botërore të grurit.

Tani Rusia është nën sanksione, dhe Ukraina është një zonë lufte. Nuk është për t’u habitur që çmimet e grurit gati janë dyfishuar. Në rajone të pasura si Amerika e Veriut dhe Evropa, kjo rritje e çmimeve do të jetë e dhimbshme, por në pjesën më të madhe të botës e përballueshme, sepse konsumatorët e vendeve të përparuara shpenzojnë një përqindje relativisht të vogël të të ardhurave të tyre për ushqim.

Ndërkohë në vendet më të varfra, ku ushqimi zë një pjesë të madhe e buxheteve familjare, goditja do të jetë shumë më e rëndë. Së fundmi, çfarë ndikimi do të ketë lufta në Ukrainë mbi politikat ekonomike? Rritja e çmimit të naftës dhe ushqimeve, do të rrisë normën e inflacionit, që është tashmë jashtëzakonisht i lartë.

A do të reagojë Rezerva Federale (FED) duke rritur normat e interesit, dhe dëmtuar rritjen ekonomike?Me siguri që jo. FED është fokusuar prej kohësh jo tek inflacioni “më i lartë”,por tek inflacioni “bazë”, që përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimit dhe energjisë, një fokus që ka qenë produktiv në të kaluarën.

Pra, lufta e Putinit është pikërisht lloji i ngjarjes që FED normalisht do ta injoronte. Edhe investitorët duket se besojnë se ajo do të bëjë pikërisht këtë:pritshmëritë e tregut për politikën e FED-it gjatë muajve të ardhshëm nuk duket se kanë ndryshuar fare.

Në përgjithësi, ndikimi i pushtimit rus të Ukrainë tek ekonomia botërore do të jetë negativ, por ndoshta jo edhe aq shumë. Nëse Putini imagjinon se mund ta mbajë botën peng, kjo është ndoshta një tjetër llogaritje e gabuar dhe fatale për shefin e Kremlinit.(CNA.al)

@tn.lajmelokale
@tetovanews