Ballina Bota VIDEO/Erdogan pas 14 vitesh pret në takim një president Izraelit, diskutojnë për...

VIDEO/Erdogan pas 14 vitesh pret në takim një president Izraelit, diskutojnë për rigjallërimin e dialogut politik

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën e nëntë marsit ka pritur në takim homologun e tij izraelit, Isaac Herzog, në Ankara, vizitë e cila është cilësuar si historike, pas marrëdhënieve të tensionuar për vite me radhë në mes të dy shteteve për çështjen e Palestinës.

“Qëllimi i përbashkët i Turqisë dhe Izraelit është ringjallja e dialogut politik dypalësh bazuar në interesat e përbashkëta”, ka thënë Erdogan gjatë një konference për media.

Forcimi i lidhjeve me Izraelin sipas Erdogan është i një rëndësie të madhe për stabilitetin dhe paqen rajonale si dhe për të dy vendet.

Presidenti turk i shprehu gjithashtu homologut të tij izraelit rëndësinë e uljes së tensioneve në rajon dhe rëndësinë e ruajtjes së vizionit për një zgjidhje me dy shtete.

“Është në duart tona të kontribuojmë në rivendosjen e një kulture paqeje, qetësie dhe bashkëjetese në rajonin tonë,” vuri në dukje Erdogan.

Duke përsëritur se antisemitizmi është një krim kundër njerëzimit, ai shtoi se turqit dhe hebrenjtë kanë jetuar së bashku gjatë historisë.

Herzog nga ana e tij tha se qëllimi është të vendosen themelet për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis Turqisë dhe Izraelit dhe popujve të dy vendeve.

“Izraeli dhe Turqia mund dhe duhet të angazhohen në një bashkëpunim që do të ndikojë në këtë rajon që të gjithë e quajmë shtëpi” ka thënë Herzog.

Një nga temat kryesorë të takimit në mes të Erdogan dhe Herzog ishte çështja e Palestinës.

“Theksova rëndësinë që i kushtojmë statusit historik të Jeruzalemit dhe ruajtjes së identitetit fetar.E theksova veçanërisht se presim mbështetjen e autoriteteve izraelite për vazhdimin e organizatave tona që realizojnë projekte humanitare për popullin palestinez”, ka thënë Erdogan.

@tn.lajmelokale
@tetovanews