Flamujt e vendeve anëtare të OKB-së që valëviten rreth qendrës Rockefeller në Nju Jork, janë zëvendësuar me vepra të artistëve nga mbarë bota. Instalacioni i quajtur “Vetëm një tokë” ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për ndryshimet klimatike. Një nga 193 flamujt e vendosur është krijuar nga piktorja shqiptaro-amerikane Teuta Ibriqaj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, artistja flet mbi idenë prapa punimit të saj dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë projekt.
Në vend të flamujve të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në qendrën Rockefeller të Nju Jorkut nga 1 prilli po valëviten 193 flamuj të krijuar nga artistë në mbarë botën.
Në mesin e tyre është edhe e vepra e artistes shqiptaro-amerikane, Teuta Ibriqaj.
Instalacioni i quajtur “Vetëm një tokë” është realizuar në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara dhe Muzeun e Klimës në Nju Jork, me qëllim të rritjes së vetëdijes së shoqërisë rreth kujdesit ndaj mjedisit dhe rreziqeve nga ndryshimet klimatike.
Piktorja Ibriqaj shpjegon në një intervistë për Zërin e Amerikës hollësitë e punimit të saj.
“Zgjodha dy ngjyra, ngjyrën e tokës dhe ngjyrën që krijohet kur qielli reflekton në ujin e detit. Të dyjat i ndërlidha dhe veprën e titullova ‘Renditje’. Këtë rënditje e shohim gjithkund ku është toka dhe deti. Qetësia, dheu që është shumë me rëndësi për njerëzimin. Në një mënyrë edhe prejardhjen e kemi nga dheu. E paraqita në një mënyrë harmonike, me disa ngjyra të qeta, duke simbolizuar pasurinë, respektin, dashurinë për njëri tjetrin dhe gjithashtu respektin për tokën dhe ujin”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Ekspozita në qendrën që vizitohet nga më shumë se 120 milionë njerëz në vit është falas dhe e hapur për publikun.
Zonja Ibriqaj e sheh këtë si një mundësi të jashtëzakonshme që e gjithë bota ta shoh dhe vlerësojë artin e saj por edhe të mësojë më shumë rreth Kosovës.
“Unë e mendova kështu: flamuri i Kosovës ende nuk është aty, lavdi Zotit një vepër që e krijova unë po bëhet pjesë shumë shpejtë. Ishte një gëzim i madh, por më përpara do të doja ta shihja aty flamurin e Kosovës. Arti është kultura e një populli. Kjo është një mundësi e mirë që bota ta shoh një lloj kulture tonën”.
Flamujt e artistëve do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 1 maj.
Ky është viti i tretë që qendra Rockefeller realizon projektin e flamujve.
Instalacioni nisi më 2020 kur bota po përballej me pandeminë COVID-19, ndërsa qendra Rockefeller u dha artistëve një mundësi që përmes veprave të tyre të shprehin dashurinë për Nju Jorkun dhe jetën në të.
Ky është një shembull i mundësive të mëdha që ofron qyteti i Nju Jorkut për artistë, thotë zonja Ibriqaj.
“Në Nju Jork është një konkurrencë e madhe për të qenë artist. Vlerësimi është shumë i madh. Ka mundësi të mëdha. Secili person sheh mundësi për të arritur më shumë. Është vend shumë i mirë për mua dhe shumë i përshtatshëm. Gjithmonë kam dashur që këtu të krijojë”, thotë ajo.
Artistja jeton në Shtetet e Bashkuara nga viti 2008. Së fundmi ajo është duke realizuar një seri veprash mbi gjeneratat ilirie dhe origjinën e shqiptarëve.
“Shumica e njerëzve edhe pse kanë studiuar histori, më pyesin pse nuk kemi dëgjuar kurrë për këto gjëra, janë shumë interesante, kurrë nuk e kam parë këtë vepër, kurrë nuk e kam parë këtë artefakt; Pra është një ide shumë e mirë, shpresoj që do të bëjë bujë”, përfundon artistja.
Zonja Ibriqaj thotë se ky projekt është një nismë e saj personale që përmes krijimeve artistike bota të mësojë një pjesë të pashpalosur të historisë shqiptare./VOA