Ballina Bota Rritet pakënaqësia ndaj Erdoganit: Shteti reagoi vonë pas tërmetit

Rritet pakënaqësia ndaj Erdoganit: Shteti reagoi vonë pas tërmetit

Zemërimi po rritet në Turqi mbi atë që konsiderohet dështim i qeverisë për të qenë e përgatitur nga tërmetet pas vdekjes së mijëra njerëzve nga lëkundjet e së hënës. Gjatë një vizite në një nga rajonet më të goditura, presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se numri zyrtar i të vdekurve në Turqi ishte rritur në 9057. Ndërsa lideri kryesor i opozitës e ka fajësuar atë për shkallën lartë të shkatërrimeve. Erdogan u kundërpërgjigj, duke thënë se “ishte e pamundur” të përgatitesh për një fatkeqësi kaq të madhe.

Shumë njerëz në zonat më të prekura kanë kritikuar reagimin e Autoritetit Turk të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) duke e konsideruar si shumë të ngadaltë. Të tjerë thonë se qeveria nuk ishte e përgatitur sa duhet paraprakisht.

“Nëse ka një person përgjegjës për këtë, ai është Erdogan” – tha Kemal Kilicdaroglu, kreu i partisë kryesore opozitare të Turqisë. Presidenti e hodhi poshtë këtë. Ai i konsideroi si “provokatorë” ata që thanë se “nuk i kishin parë fare forcat e sigurisë në disa zona”.

“Kjo është një kohë për unitet dhe solidaritet. Në një periudhë si kjo, nuk mund të mërzis njerëzit që kryejnë fushata negative për interesa politike” – u tha Erdogan gazetarëve në Hatay. Gjatë një ndalese tjetër në turneun e tij në zonat në zonën e fatkeqësisë më herët sot, ai pranoi disa probleme në fillim, por tha se situata tani ishte “nën kontroll”.

Në portin jugor turk të Iskenderun, Arzu Dedeoglu u tha gazetarëve se dy nga mbesat e saj ishin bllokuar nën rrënoja. Familja e saj kishte gjetur një mjet gërmues me burimet e saj për të hequr inertet, por ajo tha se zyrtarët nuk e lejuan ta përdornin atë.

“Ne pritëm deri vonë në mbrëmje, por askush nuk erdhi” – tha zonja Dedeoglu. “Ne sollëm një mjet gërmues me forcat tona, por ata nuk donin ta përdornim. Na ndaluan. Ne kemi dy fëmijë nën rrënoja, vajzat e motrës sime, Ayşegül dhe İlayda. Ato kanë ikur tani. Kanë mbaruar” – tha ajo.

Kur shërbimet e urgjencës mbërritën Dedeoglu bërtiti se ata ishin “shumë vonë”. Ekipet e shpëtimit ndaluan kërkimet, por familja e vajzave iu lut që të mos e bënin këtë.

“Ju lutem mos u largoni. Ndoshta fëmijët e mi janë ende gjallë” – tha nëna e tyre. Erdogan ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme 3-mujore në 10 provincat më të prekura nga tërmeti. Ajo do të përfundojë pak para zgjedhjeve të 14 majit, kur 68-vjeçari do të tentojë të qëndrojë sërish në pushtet pas 20 vitesh.

Opozita është bashkuar në një aleancë të partive të qendrës së majtë dhe të djathtë. Kilicdaroglu pritet të jetë kandidati presidencial përballë Erdogan. Në një video të postuar në Twitter, ai u zotua se nuk do ta takonte presidentin “në asnjë platformë”, duke akuzuar qeverinë se po kryen “punë për PR” pas tërmeteve.

Zemërimi po rritet gjithashtu për një “taksë tërmetesh” të vendosur nga qeveria turke pas tërmetit masiv të 1999 që vrau më shumë se 17 mijë njerëz. Rreth 88 miliardë lira (4.6 miliardë dollarë) thuhet se janë shpenzuar për parandalimin e fatkeqësive dhe modernizimin e shërbimeve të urgjencës.

Pikëpyetje ngrihen sa herë ka tërmet në Turqi, por qeveria nuk ka shpjeguar kurrë publikisht se si shpenzohen paratë. Opozitari Kilicdaroglu tha se qeveria e Erdogan “nuk ishte përgatitur për asnjë tërmet në 20 vjet”.

Por nuk është vetëm rivali kryesor politik i presidentit që po shpreh zemërimin për mungesën e gatishmërisë së qeverisë.

“Ku kanë shkuar të gjitha taksat tona, të mbledhura që nga viti 1999?” – thotë Celal Deniz, 61 vjeç në qytetin e Gaziantep. Vëllai dhe nipërit e tij mbeten të bllokuar nën rrënoja.

Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë kritikuar gjithashtu TV-të kryesore dhe proqeveritare turke për “heshtje” ndaj kritikave nga njerëzit në zonat e prekura.

Janë shpërndarë video që tregojnë një korrespondent të NTV në qytezën Kahramanmaras që thoshte se vendasit ankoheshin se “ndihma është e pamjaftueshme” ndërsa banorët që dëgjoheshin në sfond duke pyetur: “Ku është shteti?”

Më pas, kanali duket se e hoqi nga puna korrespondentin përpara se ai të kthehej në redaksi. Një video tjetër e shpërndarë në internet tregoi një të mbijetuar duke i thënë një gazetari në rrjetin kryesor Haberturk se “askush nuk kishte ardhur” për t’i shpëtuar ata prej ditësh. Gazetari më pas largohet nga i mbijetuari dhe thotë se forcat e kërkimit kanë qenë “duke kërkuar kudo”.

Erdogan pranoi se kishte pasur vështirësi me reagimin fillestar ndaj katastrofës, por për vonesat fajësoi rrugët dhe aeroportet e dëmtuara. Ai tha se njerëzit duhet të dëgjojnë vetëm komunikimin nga autoritetet dhe të injorojnë “provokatorët”.

Por për shumë njerëz edhe në qytezën Iskenderun, shteti reagoi shumë vonë. “Pse nuk erdhët dje? Dje dëgjonim zëra nga rrënojat!” – u bërtiti një grua punonjësve të shpëtimit të martën. Një grua tjetër ishte duke qarë me lot në krah të saj.
“Ne mund t’i kishim shpëtuar ata nëse do të kishit ardhur një ditë më parë” – shtoi ajo. ©LAPSI.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews