Nivelet e larta të vitaminës D në gjak mund të zvogëlojnë kancerin.
Studiuesit japonezë arritën në përfundimin se nivelet e larta të “vitaminës së diellit” lidhen me 50% më pak rrezik për t’u prekur nga kanceri i mëlçisë.
Rreziku i përgjithshëm i kancerit është 20% më i ulët, rezultate që u vunë re më shumë te meshkujt.
Studiuesit monitoruan të dhënat e 33 736 personave të të dy gjinive dhe moshave që varionin nga 40 deri në 69 vjeç.
Studiuesit vëzhguan historinë e tyre mjekësore, dietën dhe stilin e jetesës.
Po ashtu, atyre iu mor një kampion gjaku për të parë nivelin e vitaminës D.
Më pas, këta individë u monitoruan për 16 vjet në lidhje me prekjen nga kanceri.
Gjatë vëzhgimit disavjeçar u regjistruan 3 301 raste të tilla.
Studiuesit gjetën se ka një rrezik më të ulët për kancer të mëlçisë te personat që kishin nivele të larta të vitaminës D në gjak, rezultate që duken akoma më premtuese te meshkujt.
Megjithatë, studiuesit thonë se mund të ketë një “tavan” kur është fjala për përfitimet nga vitamina D.
Kjo do të thotë se pas një niveli të caktuar, ato zhduken.
Përfundimet e këtij studimi përforcojnë studime të mëparshme të kryera në Europë dhe Amerikë.
Ky është studimi i parë i kësaj natyre në Azi.
Efektet pozitive të vitaminës D në organizëm njihen prej kohësh.
P.sh, një dozë ditore e vitaminës D mund të lehtësojë simptomat e sindromës së zorrës së irrituar.
Po ashtu, ajo luan rol pozitiv në humor, përmirëson gjendjen e ankthit dhe depresionit.
Një studim i kryer vitin e kaluar zbuloi se vitamina D mund të parandalojë sëmundjet inflamatore si artriti reumatoid.
Përgatiti: Gazmira Sokoli