BE dhe shefat e saj mund ta favorizojnë Serbinë, nëse ky është vendim politik për të shkelur vendet e tjera të Ballkanit. Por së paku mos të manipulojnë me historinë dhe mos të fyejnë popujt tjerë, siç bëri presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, gjatë vizitës në Beograd, ku verbërisht lavdëroi Serbinë.
Nga Enver Robelli
Mes viteve 1991 dhe 1999 Serbia ka sulmuar katër territore të ish-Jugosllavisë: Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Më 1995 me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Serbisë forcat e serbëve të Bosnjës kanë kryer gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Mbi 1400 ditë forcat serbe e kanë mbajtur nën rrethim kryeqytetin e Bosnjës. Ushtria jugosllave e dominuar nga serbët ka shkatërruar qytetin barok kroat të Vukovarit dhe ka vrarë edhe pacientët e spitalit. Pothuaj të gjitha këto krime i ka përkrahur aktivisht Aleksandër Vuçiqi, atëbotë dora e djathtë e ultranacionalistit Vojislav Sheshel. Si huligan futbolli Vuçiq që herët në rini u entuziazmua me idenë e Serbisë së Madhe. Pasi serbët e Bosnjës filluan fushatën për pushtimin e tërë kësaj republike, Vuçiq shkoi në Pale afër Sarajevës, ku gjendej shtabi i luftës i R. Karagjiqit dhe R. Mlladiqit dhe vrasësve të tjerë masivë. Në Pale Vuçiq punoi në një radio, e cila ishte megafon për luftënxitje. Pak ditë pasi më 11 korrik 1995 forcat serbe pushtuan Srebrenicën, Vuçiq në Kuvendin e Serbisë kërcënoi hapur perëndimin se nëse intervenon në Bosnjë dhe vret një serb të vetë, atëherë «ne do t’i vrasim 100 myslimanë». Në prag të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë më 1999 babai politik i Vuçiqit, Vojisllav Sheshel, tha se serbët mund të pësojnë nga sulmet e Perëndimit, por «shqiptarë në Kosovë nuk do të ketë më».
Të gjitha këto fakte mbi Vuçiqin dhe Sheshelin dihen. Janë të arkivuara mirë në Bruksel dhe në çdo kryeqytet perëndimor. Dihet po ashtu se Vuçiq është një oportunist ballkanik që ka ndërruar gëzofin politik: nga antiauropiani në proeuropian. Në Serbi ka instaluar një regjim autokratik të ngjashëm me Bjellorusinë, me media të kontrolluara, bashkëpunëtorë të korruptuar, investime jotransparente, me drejtësi të kontrolluar. Megjithatë, Bashkimi Europian ka vendosur ta shpërblejë Serbinë për të penguar këtë vend që të ulet në prehër të Rusisë. Beogradi prej vitesh po e përdorë këtë alternativë të rrejshme si mjet shantazhi kundër BE-së. Dhe BE po lejon të shantazhohet.
Kohëve të fundit qëndrimet e BE-së, por edhe të Gjermanisë si vend kyç i BE-së ndaj Serbisë po marrin përmasa skandaloze. Kancelarja Angela Merkel u kritikua madje nga gazeta konservatore «Frankfurter Allgemeine Zeitung» për lavdërimet e tepërta, të panevojshme, kontraproduktive që po ia bën Vuçiqit. Takimet e saj të shpeshta me Vuçiqin para zgjedhjeve nacionale dhe lokale në Serbi tashmë janë shndërruar në ndihmë aktive elektorale nga Berlini. Mbështetja e hapur e një autokrati vetëm pse ai garanton njëfarë «stabiliteti rajonal», ndërsa paralelisht pezullon funksionimin demokratik të shtetit është dëshmi e radhës se edhe Gjermania po heq dorë nga vlerat europiane – ose po i përmend ato sa për sy e faqe, por nuk po insiston në jetësimin e tyre në Serbi.
Përkëdhelja e regjimit të Vuçiqit arriti kulmin gjatë kësaj jave me vizitën e presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk. Himni që Tusk i thuri Vuçiqit publikisht tregon se disa politikanë të BE-së po i kthehen politikës së «serbocentrizimit» – një politikë fatale e favorizimit të Serbisë, të cilën në vitet ’90 e kishte kritikuar në qindra komente e analiza gazetari i famshëm zviceran, Viktor Meier, i cili ishte me dekada korrespondent i gazetës «Frankfurter Allgemeine Zeitung» nga Ballkani. Tusk shkoi aq larg në lavdërimet e tij, saqë e quajti Vuçiqin shpirt të tijin binjak («soulmate»). Si polak i rritur në komunizëm Tusk tha se i kujtohet mirë admirimi për kurajën e serbëve. «Ne ishim në të njëjtin bllok politik, por ju ishit të aftë të ndërtoni një pavarësi shumë më të madhe politike».
Në të vërtetë pavarësia politike e Jugosllavisë, të cilës i referohej Tusk, është më së paku meritë e Serbisë si republika më e madhe brenda shtetit shumëkombësh. Ishte Josip Broz Tito, i përkrahur nga kuadrot sllovenë dhe kroatë, ai që kundërshtoi Stalinin dhe ishin kryesisht politikanët komunistë serbë të krahut dogmatik, të cilët favorizonin një aleancë e Kremlinin. Renegati më prominent i Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) ishte ministri i Financave Sreten Zhujoviq, një serb. Ai mbështeti hapur Stalinin kundër Titos, ai e informonte rregullisht ambasadorin sovjetik në Beograd mbi rrjedhën e mbledhjeve të qeverisë jugosllave. Për këtë arsye u përjashtua nga PKJ.
Në Beograd Tusk foli edhe për luftën heroike dhe rezistencën efektive të serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. E vërteta historike është se shumica e serbëve simpatizonin me lëvizjen çetnike të Drazha Mihajloviqit dhe përpjekja e Titos për të zgjeruar rezistencën kundër nazistëve në Serbi dështoi. Tito u vendos në rajonin e Uzhicës, shpalli të ashtuquajturën Republikë e Uzhicës, por shpejt u detyrua të tërhiqet në Bosnjë me trupat e tij për shkak se nuk gëzonte përkrahje nga serbët. Në vend se të merrej me revizionizëm të historisë Tusk më mirë të kishte lexuar biografinë e Josip Broz Titos të shkruar nga historiani slloven Jozhe Pirjevec. Asnjë betejë e madhe kundër nazistëve nuk është zhvilluar në Serbi. Betejat më të famshme janë zhvilluar në Bosnjë, ku kanë luftuar partizanë të të gjitha etnive, mes tyre edhe hebrenj si Mosha Pijade. Me serbocentrizmin e tij të neveritshëm për interesa të politikës ditore Tusk fyen luftën antifashiste dhe kontributin e të gjithë partizanëve. Në deklaratën e tij në Beograd Tusk tha në një kontekst tjetër se atij nuk i pëlqen propaganda. Por, çfarë ofroi ai në kryeqytetin serb ishte një shembull i propagandës më të neveritshme.
Krahas propagandës Tusk demonstroi edhe talent për krahasime. Ai tha se serbët në politikë janë aq kreativë sa ka qenë Nikolla Teslla në shkencë, efektivë sa Novak Gjokoviqi në tenis dhe sharmant si «vallja juaj kolo». Në Prishtinë askush nuk priste që Tusk të luante vallen e Rugovës, por paraqitja e tij në Beograd me gjithë atë propagandë, gjithë atë manipulim të historisë së luftës antifashiste, me gjithë ato lavdërime për një autokrat dhe kufizimi në një gjuhë thellësisht burokratike në kryeqytetin e Kosovës tregon se krerët e BE-së nëpër Ballkan po udhëtojnë pa busull politik. Rrjedhimisht, Tusk në Beograd nuk tha se Serbia duhet ta pranojë Kosovën (ose së paku realitetin në Kosovë), por përkundrazi shprehu njëfarë dhembshurie, sepse për Serbinë Kosova qenkësh temë e vështirë dhe emocionale. Po të mos kalëronte mbi kalin e propagandës Tusk do të mund të citonte një bashkëvendës të tij, Tadeusz Mazowieckin, i cili që në vitin 1992, në cilësinë e emisarit të OKB-së për të drejtat e njeriut, shkruante se është thellësisht i shqetësuar se shkelja e të drejtave të njeriut nga Bosnjë-Hercegovina mund të vazhdojë kundër shqiptarëve të Kosovës: «Popullsia shqiptare në Kosovë diskriminohet në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor». Me politikanë si Tusk BE nuk mund ta rrisë prestigjin në Ballkan, andaj ndoshta lajmi i vetëm i mirë është se në vitin 2019 do të zgjidhet një president i ri i Këshillit Europian dhe Tusk do të kthehet në Poloni.