Në Samitin e Sofjes, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfaqësohen me emrat e kryesuesve të delegacioneve të tyre dhe ata do të ulën në një tavolinë të përbashkët.
Në këtë samit të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të rajonit tonë, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Thaçi është raportuar se do të udhëtojë sot për në Sofje të Bullgarisë, për t’iu bashkuar kështu mbi 30 liderëve evropianë dhe ballkanikë që do të jenë pjesë e këtij samiti.
Në mëngjesin e së enjtes, presidentit Thaçi mësohet se do t’i organizohet edhe një pritje zyrtare e mirëseardhjes nga kryeministri bullgar, Boyko Borisov.
Ndërsa, sipas mediave bullgare, menjëherë pas pritjes së mirëseardhjes së organizuar për liderët shtetërorë, do të ndodhë edhe takimi i parë i të gjithë liderëve pjesëmarrës.
Ato raportojnë se konferenca e përbashkët dhe fotografia familjare e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të ndodhë në mesditë.
Kurse, në kuadër të këtij samiti të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor, në Sofje të Bullgarisë do të organizohet edhe Forumi Ekonomik Botëror.