Presidenti i Sebisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar valë të re nacionalizmi serb, nëse zgjidhja përfundimtare e mosmarrëveshjeve me Kosovën nuk është e pranueshme për shumicën në Serbi.
Në një intervistë për të përditshmen gjermane, Rheinsche Post, Vuçiq ka theksuar se Serbia është në favor të një kompromisi të drejtë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Kemi nevojë për një kompromis të drejtë, që do të thotë se të dy palët duhet të bëjnë lëshime”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo mund të kuptohet si lëshim më i madh për Serbinë.
Por ai ka qenë i qartë duke nënvizuar se kompromisi që do të nënkuptonte turpërim të Serbisë nuk mund të kërkohet, meqë është i papranueshëm.
Vuçiq nuk ka pranuar të flasë për mënyrën si ai e sheh zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kosovën, duke thënë se “kjo do ta dobësonte pozicionin negociues” të Serbisë.